Kërko

 Santuario di Nostra Signora di Chandavila, La Codosera, Spain, 2024.08.22 Santuario di Nostra Signora di Chandavila, La Codosera, Spain, 2024.08.22

Virgjëra e Dhimbshme e Chandavilas: dritë jeshile nga Doktrina e Fesë

Dikasteri vatikanas për Doktrinën e Fesë jep pëlqimin të mos ketë "asnjë pengesë", për devocionin ndaj Shenjtërores së Chandavilas, në Spanjë, propozuar nga Kryeipeshkvi i Mérida-Badajoz.

R.SH. / Vatikan

Dikasteri vatikanas për Doktrinën e Fesë "jep me kënaqësi pëlqimin" që kryeipeshkvi i Merida-Badajoz, Imzot José Rodríguez Carballo, të vazhdojë me shpalljen e "nihil obstat", në mënyrë që "shenjtërorja e Chandavilas, në Spanjë, trashëgimtare e një historie të pasur thjeshtësie, fjalësh të pakta e devocioni të shumtë, të mund të vazhdojë t'u krijojë besimtarëve që dëshirojnë të gjunjëzohen në atë ngrehinë të shenjtë, një vend paqeje shpirtërore, ngushëllimi e pendese".

Kështu shkruan Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, kardinali Victor Manuel Fernández në një letër,  miratuar nga Papa Françesku dje, më 22 gusht, në përgjigje të letrës së prelatit spanjoll të datës 28 korrik, lidhur me ngjarjet, që u ndodhën në vitin 1945 dy të rejave, të cilave iu duk Zoja e Dhimbshme, në qytetin spanjoll Chandavila, në Extremadura, pranë kufirit me Portugalinë.

Sipas normave të botuara më 17 majin e kaluar nga Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë, me autorizimin "edhe nëse nuk ka siguri për vërtetësinë mbinatyrore të fenomenit, njihen shumë shenja të veprimit të Shpirtit Shenjt Zot", "ipeshkvi dioqezan inkurajohet ta çmojë vlerën baritore e ta promovojë përhapjen e këtij propozimi shpirtëror, edhe nëpërmjet shtegtimeve të mundshme në këtë vend shenjt", ndërsa besimtarët janë të autorizuar të japin "maturisht miratimin e tyre”.

Historia e Marcelinës dhe Afras

Devocioni ndaj Zojës së Dhimbshme të Chandavila-s në Spanjë lindi në fund të Luftës II Botërore me përvojën shpirtërore që dy vajza, Marcelina Barroso Expósito, dhjetë vjeçe, dhe Afra Brígido Blanco, shtatëmbëdhjetë, patën veçmas në të njëjtin vend, duke nisur nga maji 1945.

Marcelina - shkruan Kardinali Fernández - kujton se në fillim pa një formë të errët në qiell, e cila në vijim bëhej gjithnjë e më e qartë, si të ishte Virgjëra e Dhimbjeve, me një mantel të zi plot yje, mbi një dru gështenje. Por përvoja e thellë e kësaj vajze, më tepër se vegimi, ishte se ndjeu përqafimin dhe puthjen e Virgjërës në ballë. Kjo siguri e afërsisë plot dashuri të Zojës Bekuar është ndoshta - vëren Ipeshkvi - mesazhi më i bukur. Edhe pse, me kalimin e ditëve, ajo dhe Afra u bindën se ishte Zoja e Dhimbshme, çka të bie më shumë në sy, është prania e Virgjërës që u jep ngushëllim, inkurajim dhe besim. Kur Virgjëra Mari i kërkon Marcelinës të lëvizë në gjunjë mbi gjethet e thata të gështenjës, gjembave dhe gurëve të mprehtë, nuk e bën këtë për t’i shkaktuar vuajtje, përkundrazi, i kërkon besim përballë kësaj sfide: "Mos ki frikë, nuk do të të ndodhë asgjë".

Ëmbëlsia e Marisë

"Kjo ftesë nga Zoja Mari për të besuar në dashurinë e saj - vazhdon Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, kardinali Fernández - i dha kësaj vocrrakjeje të varfër dhe të vuajtur shpresën dhe përvojën për t'u ndjerë në lartësinë e dinjitetit të saj. Ai mantel i thjeshtë thurur prej kallami dhe bari me të cilin Zoja Mari mbronte gjunjët e vogëlushes, a nuk është shprehje e bukur e ëmbëlsisë së Marisë? E, njëkohësisht - edhe përvojë bukurie, sepse Virgjëresha u duk e rrethuar nga yjësitë e ndritshme, si ato që mund të admirohen natën në qiellin e pastër të fshatrave të vegjël të Extremadurës.

Jetë e përvuajtur, në shërbim të të sëmurëve, të moshuarve dhe jetimëve

Pas vegimeve të hamendësuara, dy vajzat bënë “një jetë të matur e tejet të thjeshtë” duke iu kushtuar “veprimtarive bamirëse, duke u kujdesur, mbi të gjitha, për të sëmurët, të moshuarit dhe jetimët e duke u transmetuar kështu atyre që pësuan, ngushëllimin e ëmbël të dashurinë e Virgjërës, që e patën jetuar”.

Shumë aspekte që flasin për veprimin e Shpirtit

Për të gjitha këto arsye - i shkruan Kardinali Fernández, kryeipeshkvit imzot Rodríguez Carballo - "nuk ka asgjë që mund ta kundërshtojë këtë devocion të bukur, me të njëjtën thjeshtësi që mund ta shohim te Maria e Nazaretit, Nënën tonë". Ka shumë aspekte pozitive, që të kujtojnë veprimin e Shpirtit Shenjt Zot mbi shumë shtegtarë, të cilët vijnë si nga Spanja, ashtu edhe nga Portugalia, në pendimet, në shërimet dhe në shenja të tjera të çmuara, që ndodhin në këtë vend”.

Së fundi, kardinali Victor Manuel Fernández kujton jubileun e vitit 2020, me rastin e 75-vjetorit të përvojave shpirtërore të ndodhura në Chandavila, vit jubilar i njohur nga kryeipeshkvi i asokohshëm i Merida-Badajoz "si bekim për Dioqezën".

23 gusht 2024, 11:16