Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Presto
Programe Podcast
Papa Piu XII, 24 gusht 1939 Papa Piu XII, 24 gusht 1939

Piu XII, profeti i paqes, në tmerrin e luftës

Fjalët e Papës Pacelli, transmetuar nga Radio Vatikani në mbrëmjen e 24 gushtit 1939, tetëdhjetë e pesë vjet më parë, jehojnë ende të fuqishme. Nuk i përkasin të shkuarës, por janë më të gjalla e më aktuale se kurrë. Janë thirrje për ta ndalur fundin e tmerrshëm, para se të jetë tepër vonë. "Drejtësia e hap rrugën me forcën e arsyes, jo me armë! Rreziku është i pashmangshëm, por ka ende kohë. Asgjë nuk humbet me paqe. Gjithçka mund të humbasë me luftë".

R.SH. / Vatikan

Atë mbrëmje të 24 gushtit 1939, tetëdhjetë e pesë vjet më parë, ajri ishte i rëndë, klaustrofobik, por nuk ishte vapa e verës: në të vërtetë Papa Piu XII nuk do t'i kishte vënë re të gjitha këto lojëra stinore, i shtypur nga ankthi i një luftë gjithnjë e më të afërt.

“Asgjë nuk humbet me paqen. Çdo gjë mund të ndodhë me luftën. Lërini burrat ta kuptojnë përsëri njëri-tjetrin. Le të fillojmë përsëri negociatat. Duke biseduar me vullnet të mirë dhe respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, do ta kuptojnë se negociatat e sinqerta dhe efektive nuk përjashtohen kurrë nga suksesi i ndershëm”.

Nga Castel Gandolfo, radiomesazhi i Pacellit drejtuar qeverive dhe popujve në rrezikun e afërt të luftës, i transmetuar nga mikrofonat e Radio Vatikanit, jehon edhe sot, sikur të ishte paralajmërim i përhershëm kundër fatkeqësive të një konflikti që nuk i përket më një kohe të kaluar, por që përsëritet vazhdimisht, deri në kohët tona, përhapet në çdo cep të botës, kërcënon indiferencën e ngurtë të botës perëndimore, pa kujtesë dhe pa përvojë. Dëgjojmë fjalët e përzemërta të Papës dhe ndjejmë të njëjtin ankth, por edhe të njëtin hidhërim, sepse duket se historia nuk na ka mësuar gjë prej gjëje.

Dëgjoni mesazhin radiofonik nga Papa Piu XII më 24 gusht 1939

Dëgjoni mesazhin radiofonik nga Papa Piu XII më 24 gusht 1939

Pikërisht një ditë më parë, më 23 gusht, Gjermania e Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit kishin nënshkruar një pakt mossulmimi për t'u mbrojtur nga njëri-tjetri, ndonëse marrëdhëniet e tyre në realitet nuk ishin të mira e politikat e tyre, agresive. Hipokrizia e një marrëveshjeje për të ndarë ndikimin mbi Poloninë doli në sipërfaqe pak më shumë se një javë më pas. Në agimin e 1 shtatorit 1939, trupat gjermane pushtuan Poloninë, duke  u shfajsuar me arsye të rreme, qesharake. Më 3 shtator, Britania e Madhe dhe Franca, besnike ndaj marrëveshjes që garantonte kufijtë polakë, i shpallën luftë Gjermanisë. Më 17, Rusia nga ana e saj pushtoi Poloninë nga lindja, duke e flakur vendin ndërmjet dy zjarreve të rrethimit, pa shpëtim. Fillonte, kështu, Lufta II Botërore.

Piu XII nga Lozha e Bekimeve në ditën e zgjedhjes së tij, më 2 mars 1939
Piu XII nga Lozha e Bekimeve në ditën e zgjedhjes së tij, më 2 mars 1939

"Burri më paqësor nuk pati kurrë një çast paqeje"

Parandjenja e një lufte të afërt datonte muaj më parë, që nga marsi i po atij viti, kur Polonia nuk e pranoi kërkesën e Fyhrer-it të lëshonte disa territore strategjike. Eugenio Pacelli ishte zgjedhur Papë pikërisht në atë periudhë, më 2 mars. Kardinali Domenico Tardini shkroi në ditarin e tij, në vitin 1954: “Ky njeri, paqësor nga temperamenti, nga arsimi, nga bindja, po jeton një papni që mund ta quajmë luftë. E nxehtë apo e ftohtë, globale apo lokale, por gjithmonë luftë”. Në mesazhin e parë radiofonik të Piut XII, Dum Gravissimum të 3 marsit 1939, të nesërmen e zgjedhjes së tij, Papa bëri thirrje për paqe, i vetëdijshëm për çka po ndodhte:

"Në këto orë ankthi, ndërsa kaq shumë vështirësi duket se kundërshtojnë arritjen e paqes së vërtetë, e cila është aspirata më e thellë e të gjithëve, i drejtojmë Zotit një lutje të veçantë për ata që mbajnë nderin shumë të lartë dhe barrën shumë të rëndë të udhëheqjes së popujve në rrugën e prosperitetit dhe përparimit qytetar”. Papa flet gjithmonë për paqen, flet pandërprerë. Ndërkaq shpërthen lufta, duke nisur, kështu, një shpërthim që do të bëhej mbarëbotëror, me shkallëzim të hatashëm dhune dhe vdekjeje.

Kardinali Tardini, Sekretari i ardhshëm i Shtetit të Vatikanit me Gjonin XXIII, shkruan se Pacelli, njeriu më paqësor, nuk pati më asnjë çast paqeje: “Ai pranon kryqin e tij të rëndë nga Zoti: vuan, ndihmon, vepron. Për të zbutur mjerimet e panumërta dhe të papërshkrueshme të luftës, jep gjithçka kishte e gjithçka ishte! Mobilizon Radion dhe Diplomacinë: krijon Komisionin e Ndihmës Papnore: mirëpret nën strehët e tij të zhvendosurit dhe ata që ishin në atë periudhë - të gjithë të shpëtuar, edhe nëse jo - të gjithë mirënjohës - ushqen dhe shpëton popullsinë e Romës, ndërsa një zë e shpall Defensor Civitatis: vrapon në Shën Lorenzo dhe Shën Giovanni pas bombardimeve; kërkon me ankth lajmet për të zhdukurit; urdhëron përfaqësuesit e tij t’i vizitojnë dhe t'u çojnë dhuratat e tij të burgosurve: ofron arin e kërkuar nga nazistët për shpëtimin e hebrenjve: ndërmjetëson për të dëbuarit dhe të dënuarit me vdekje. Papa pakëson ushqimin e tij, shumëfishon pendesat, dëshiron që apartamenti i tij të mos ngrohet në dimrin e ashpër. Pak e dinë se, në fund të luftës, Piu XII ishte aq i hollë dhe aq i dobët, sa peshonte vetëm 57 kilogram. Ndërsa ishte i gjatë - është mirë ta kujtojmë këtë - 1 metër e  82”.

Piu XII mes turmës pas bombardimit të Romës
Piu XII mes turmës pas bombardimit të Romës

I armatosur vetëm me fjalën Vërtetësi

Që në fillim Papa nuk u tërhoq përballë asnjë përgjegjësie. Mesazhi radiofonik i tetëdhjetë e pesë viteve më parë hapet me këto fjalë: “Një orë e rëndë tingëllon sërish për familjen e madhe njerëzore; ora e diskutimeve të jashtëzakonshme, për të cilat zemra jonë nuk mund të mos interesohet, Autoriteti ynë shpirtëror, që na vjen nga Zoti, nuk duhet të jetë i çinteresuar për t'i udhëhequr shpirtrat në shtigjet e drejtësisë dhe paqes. Dhe ja ku jemi me të gjithë ju, që në këtë çast mbani barrën e kaq shumë përgjegjësish, që nëpërmjet zërit tonë të dëgjoni zërin e atij Krishti, nga i cili bota mori një shkollë të lartë jete dhe në të cilin miliona e miliona  shpirtra e mbështesin besimin e tyre në një çast, në të cilin vetëm fjala e tij mund të mbizotërojë mbi të gjitha zhurmat e tokës.

Këtu jemi me ju, udhëheqës popujsh, burra të politikës dhe armëve, shkrimtarë, folës në radio dhe në tribuna dhe të gjithë ata të tjerë që kanë autoritet mbi mendimet dhe veprimet e vëllezërve të tyre, përgjegjësi për fatin e tyre. Ne, të armatosur vetëm me fjalën e së Vërtetës, përtej garave dhe pasioneve publike, ju flasim në emër të Zotit, prej të cilit e merr emrin e vet çdo atësi në qiell dhe në tokë (Efes., III, 15), - në emër të Jezu Krishtit, Zotit tonë, i cili donte që të gjithë njerëzit të ishin vëllezër - e Shpirtit Shenjt, dhuratë e Zotit të Lartë, burim i pashtershëm dashurie në zemra.

Sot, me gjithë nxitjet Tona të përsëritura dhe interesin Tonë të veçantë, frika e një konflikti të përgjakshëm ndërkombëtar po bëhet më urgjente; Sot, kur tensioni i shpirtrave duket se ka arritur një nivel të tillë, saqë shpërthimi i vorbullës së tmerrshme të luftës konsiderohet i pashmangshëm, ne i drejtojmë me frymë atërore një thirrje të re dhe më të ngrohtë pushtetarëve dhe të gjithë popujve: atyre, sepse, pasi të jenë bërë akuzat, kërcënimet, shkaqet e mosbesimit të ndërsjellë, përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet aktuale me të vetmin mjet të përshtatshëm për këtë, pra me mirëkuptime të përbashkëta dhe besnike: ndaj këtyre, në mënyrë që në paqe dhe qetësi, pa agjitacione të kota, të inkurajojnë përpjekjet paqësore të atyre që qeverisin."

Piu XII lutet në S. Lorenzo pas bombardimeve më 19 korrik 1943
Piu XII lutet në S. Lorenzo pas bombardimeve më 19 korrik 1943   (ANSA)

Rëndësia e Radios

Deri tani është interesante të vërehet se si radio, shpikje e kohëve të fundit në atë kohë, duket shpesh. Piu XII ishte plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e komunikimit, të një komunikimi të shpejtë, që mund të arrinte tek të gjithë. Ai e dinte se radio ishte mjet themelor e i fuqishëm për paqen. Gjatë luftës, Radio Vatikani u bë kanal i privilegjuar për komunikimin papnor.

Papa Piu XII përuron Radio Vatikanin në Santa Maria di Galeria, më 27 tetor 1957
Papa Piu XII përuron Radio Vatikanin në Santa Maria di Galeria, më 27 tetor 1957   (ANSA)

Zemra e Papës, me zemrën e më të ligshtëve

Papa tregon përkushtimin e tij për paqen dhe shqetësimin e tij. Ai e bën këtë me këdo që takon ose me cilin që i drejtohet. E bën këtë, veçanërisht, me një grup shtegtarësh gjermanë, "Erdhët tek ne në një orë varri. Është aq e rëndë dhe e ardhmja, aq e errët,  sa ne burrat mund të shohim dhe të themi vetëm një gjë për këtë çast: lufta, që shpërtheu, është plagë e tmerrshme e Zotit për të gjithë popujt e përfshirë në të”, e sidomos për numrin e madh të polakëve që banojnë në Romë: “Ju nuk keni ardhur për të bërë kërkesa, as për të bërë ankesa me zë të lartë, por për t’i kërkuar. Zemrës sonë, buzëve tona, një fjalë ngushëllimi dhe paqeje në vuajtjet tuaja, detyra jonë si atë është t'jua japim, dhe askush nuk duhet të habitet”.  

Dhe përsëri në Enciklikën e tij të parë, programatike të papnisë,  Summa pontificatus, datuar 20 tetor, nënvizon: "Na arrin lajmi i frikshëm se uragani i tmerrshëm i luftës, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet tona për ta zhvlerësuar, tashmë shpërtheu. Pena jonë do të dëshironte të ndalej, kur mendojmë për humnerën e vuajtjes së njerëzve të panumërt, mbi të cilët edhe dje, në mjedisin familjar, buzëqeshte një rreze mirëqenieje modeste. … pikërisht përballë këtyre parashikimeve apokaliptike të fatkeqësive të afërta dhe të ardhshme … detyra jonë është t’i drejtohemi të Vetmit, dora e gjithëfuqishme dhe e mëshirshme e të cilit mund t'i japë fund kësaj stuhie; të Vetmit, e vërteta dhe dashuria e të cilit mund të ndriçojë inteligjencat dhe të ndezë shpirtrat e mbarë njerëzimit, të zhytur në gabime, egoizëm, konflikte dhe luftë, për ta riorganizuar atë në frymën e mbretërimit të Krishtit".

25 gusht 2024, 17:49
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031