Kërko

Imzot Noël Treanor Imzot Noël Treanor  

Ndërroi jetë imzot Treanor, nunc në Bashkimin Evropian

Irlandez, dikur ipeshkëv i Down and Connor dhe sekretar i përgjithshëm i Comece-së, vdiq paraditen e 11 gushtit, në moshën 73-vjeçare, për shkak të një infarkti

R.SH. – Vatikan

         Ndërroi jetë paraditen e djeshme, 11 gusht, në Bruksel, për shkak të një infarkti, imzot Noël Treanor, nunci apostolik në Bashkimin Evropian. Detyrën e pati marrë në nëntor 2022, pas emërimit nga Papa Françesku. Ishte 73 vjeç.

Lindur në Silverstream, Irlandë, më 25 dhjetor 1950, u shugurua meshtar në vitin 1976 në dioqezën e Clogher. Më 31 mars 1993 u emërua sekretar i përgjithshëm i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), me qendër në Bruksel. Më 22 shkurt 2008 u emërua ipeshkëv i Down and Connor, duke u shuguruar si i tillë më 29 qershor. Në vitin 2022, imzot Treanor u emërua përfaqësues papnor në BE nga Papa, i cili në të njëjtën kohë e ngriti në dinjitetin e kryeipeshkvit. Ai pasonte në detyrë imzot Aldo Giordano-n, i cili ndërroi jetë në vitin 2021, për shkak të disa komplikimeve shëndetësore nga Covid-19.

Ngushëllimet e Konferencës Ipeshkvnore Irlandeze

Në emër të Konferencës Ipeshkvnore Katolike Irlandeze, kryeipeshkvi Eamon Martin shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e nuncit në një notë, ku shkruhet: “Ashtu si shumë të tjerë, jam thellësisht i tronditur nga vdekja e papritur dhe e parakohshme e tij”. Imzot Martin siguron se lutet që nunci të prehet në paqe dhe që të ngushëllohen familjarët e të gjithë ata, që e njihnin në Evropë dhe Irlandë. "Në qershor - vazhdon imzot Martin - pata privilegjin të takohem me kryeipeshkvin Noël kur foli në asamblenë plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, që u mbajt në Beograd të Serbisë. Ai ndoqi nga afër gjurmët dhe frymën e etërve themelues për një unitet më të fortë evropian, si ato të Shërbëtorit të Zotit Robert Schuman, të cilin e pati nderuar kohët e fundit në Luxeil les Bains në Francë. Kryeipeshkvi Noël ka kryer pjesën më të madhe të shërbimit të tij duke punuar për të krijuar marrëdhënie pozitive me vendet partnere të Bashkimit Evropian dhe për të ndihmuar që të ushqehet zemra dhe shpirti i krishterë i Evropës. Në takimin tonë në Beograd, ipeshkvijtë reflektuan mbi të ardhmen e fesë së krishterë në Evropë dhe intelekti i mprehtë, intuita dhe drejtimi i kryeipeshkvit Noël dhanë një kontribut të paçmuar në diskutimin tonë”.

12 gusht 2024, 13:58