Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Rondeau (Andante grazioso)
Programe Podcast
Piu XII shpall Dogmen e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell Piu XII shpall Dogmen e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell

Misteri i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në magjisterin papnor

Virgjëra Mari na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund përgjithmonë. Këtë thekson liturgjia e Fjalës së Zotit në Meshën që kremtohet në solemnitetin e ‘Të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell’. Pas përkufizimit dogmatik të Të Ngjiturit e Marisë në Qiell nga Papa Piu XII, në Vitin Shenjt 1950, rrodhën vite e vite plot me frymë shenjtërie, poezie e devocioni për Atë, që Papa Pali VI e quajti “kurora e të gjitha mistereve”

R. SH. - Vatikan

Me 15 gusht Kisha katolike romake kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell. Dogma u shpall më 30 tetor 1950 nga Papa Piu XII. Kjo shpallje, që konsiderohet si ngjarja më e madhe fetare e kohës sonë, sipas fjalëve të Papës Palit VI – nuk mund të mos i sillte të mira njerëzimit.

Është data 1 nëntor e Vitit Shenjt 1950. Papa Piu XII takohet me besimtarët pas ritit solemn të përcaktimit dogmatik të të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell. E u drejtohet me fjalë prekëse, duke u kujtuar privilegjin e madh të pranisë në këtë ditë të jashtëzakonshme, që duket se hap shtigje të reja në qiellin e pafund, për t’u kapur në amshim:

Të nderuar vëllezër e të dashur bij e bija, që ngarendët në praninë tonë, e ju të gjithë, që na dëgjoni në këtë Romë shenjte e në çdo skaj të botës katolike! Të prekur thellë për shpalljen, si dogmë feje, të të Ngriturit të së Lumes Virgjër Mari me korp e shpirt në qiell; të ngazëllyer për galdimin që mbush përplot zemrën e të gjithë besimtarëve, të  lum për plotësimin e dëshirave të tyre; ndjejmë nevojën e papërmbajtshme t’i lartojmë së bashku me ju një himn falënderimi Provanisë së ëmbël të Zotit, që deshi  ‘ta ruante për ju gëzimin e kësaj dite e për ne, ngushëllimin e stolisjes së ballit të Nënës së Jezusit e Nënës sonë, Marisë, me diademën e shndritshme, kurorë privilegjesh të posaçme’”.

Gjashtëdhjetë vjet më pas, në Kastelgandolfo, më 15 gusht 2011, Benedikti XVI i kujtonte fjalët e Paraardhësit, duke i lidhur me agimet e historisë së Kishës: “Në zemër të muajit gusht, të krishterët e Lindjes e të Perëndimit kremtojnë bashkërisht festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell - që siç dihet - u shpall gjatë Vitit Shenjt 1950 nga paraardhësi im i nderuar, Papa Piu XII. Pa harruar se kjo festë i ka rrënjët në fenë e shekujve të parë të Kishës”.

Që nga shpallja e dogmës, më 1 nëntor 1950, të nesërmën e konfliktit të dytë botëror, Piu XII u ofroi besimtarëve figuren e Marisë së Ngritur në Qiell si ngushëllim, si mbështetje, si gurrë shprese: “Përmes planit të pashqyrtueshëm hyjnor, mbi njerëzit e breznisë së një kohe të ngarkuar me tronditje e dhimbje, të përhumbur e të zhgënjyer thellësisht, u hap një kind i ndritshëm qielli, vezullues prej bardhësie, shprese, jete të lume, ku rri Mbretëresha Nënë, Maria pranë Diellit të drejtësisë”.

Këto, fjalët që, i prekur thellë, i shqiptonte Papa Piu XII, për të vijuar plot ngazëllim: “E pritur prej motesh, kjo ditë është më në fund jona; është juaja. Zëri, që vjen nga thellësitë e shekujve - madje mund të themi - nga thellësitë e amshimit, është Yni që, me praninë e Shpirti Shenjt, përcaktoi privilegjin e Nënës Hyjnore. Britma e shekujve është juaja. E sot shpërthen në hapësirën e këtij vendi të nderuar, të shenjtëruar nga lavditë kristiane. Port shpirtëror i shumë njerëzve, sot bëhet altar e tempull për përdëllimin tuaj gufues”.

Lutja e Gjon Palit II

Kështu, pra, që nga shekujt e parë të Kishës e deri tek vitet  dramatike të shekullit XX, ndjehet fuqimisht një vazhdimësi, një vijë e vetme besimi, që kanë bijtë në Nënën. Vitet rendin, po devocioni mbetet. Madje shpesh bëhet edhe më i thellë, më  shpresëdhënës, më i zjarrtë! Jemi në vitin 1993. Më 15 gusht! Në Denver, ku kremtohet Dita Botërore e Rinisë. Ndërmjet të rinjve, të cilët e shpërthejnë harenë me një vrull rinor të paparë e i hapin udhë gëzimit, që sillet rreth botës, është një Papë, i cili tashmë njihet si Papa i të rinjve: Gjon Pali II. E pikërisht Shenjti Atë Papë Polak Wojtila ia beson Marisë gjithë të rinjtë e tokës:

Mari,  ty ta besojmë rininë – kjo lutja e Gjon Palit II

Mari, Nënë e Kishës

Ne bashkë me ty

Trininë e falënderojmë,

për çka i solli në jetë

rinisë kjo Dita e saj;

atyre, që e ndoqën

Kryqin e Vitit Shenjt në Denver!

Mari, Virgjër e Papëlyer,

lutu për këta të rinj

që të kenë jetë,

e ta kenë me begati!

Shoqëroi, nësa përgatiten

të bëhen lajmëtarë

të jetës hyjnore;

e vetmja që e shuan

urinë e zemrës njerëzore.

E pafshin në Ty

Kryqin e Krishtit,

dhe thirrjen e Dashurisë Hyjnore

që vdekjen e shndërron në jetë,

dëshpërimin, në shpresë,

trishtimin, në gëzim pa fund!”.

Papa Françesku për Zojën e Ngjitur në Qiell

Me penelatat e fjalës, Papa Françesku realizon një portret të paharrueshëm të Zojës së Ngjitur në Qiell. Feja - na kujton në këtë festë - është arsyeja kryesore e madhështisë së Marisë, e lumnisë së saj. Feja është zemra e gjithë historisë së Marisë: “Ajo e di - e edhe e thotë - se mbi historinë rëndon barra e dhunës së prepotentëve, e fodullëkut të të pasurve, arrogancës së krenarëve. E, megjithatë, Maria beson e u kujton të gjithëve se Zoti nuk i lë kurrë vetëm bijtë e Tij, të përvuajturit, të varfërit, por u vjen në ndihmë me mëshirë e kujdes, duke i rrokullisur poshtë të mëdhenjtë prej së larti,  duke i humbur  krenarët në intrigat e zemrës së tyre”.

Mëshira e Zotit është motori i Historisë. Punët e mëdha, që bëri i Gjithëpushtetshmi në Nënën e Zotit – shton Papa Bergoglio - nuk i përkasin vetëm Marisë. Na prekin thellësisht edhe ne, na flasin gjatë shtegtimit tonë mbi dhe, na kujtojmë cakun, që na pret, shtëpinë e Atit: “Jeta jonë, parë në dritën e Marisë së Ngritur në Qiell, nuk është bredhje pa kuptim, por shtegtim i cili, pavarësisht nga paqartësitë e vuajtjet, e ka një cak të sigurt: shtëpinë e Atit tonë, që na pret me dashuri”.

Shenja e ngushëllimit dhe e shpresës, që Zoti e bën të shndrisë për popullin e vet, e ka një fytyrë, e ka një emër: “Fytyrën e ndritshme të Nënës së Zotit, emrin e bekuar të Marisë hirplote, emrin e Zojës së Lume, sepse besoi në fjalën e Zotit. Besimtare e madhe! Si gjymtyrë të Kishës, jemi të paracaktuar ta gëzojmë lumninë e Nënës, sepse, falë Zotit, edhe ne besojmë në  flijimin e Krishtit mbi kryq e, përmes Pagëzimit, përfshihemi në këtë mister shëlbimi”.

 Në ditën e solemnitetit të të Ngriturit të Zojës në Qiell, Papa Françesku, përmes një tweet-i,  e përkryen, me penelatën e fundit, portretin e Zojës së Ngjitur në Qiell: “Jeta e Marisë tregon se Hyji kryen vepra të mëdha, përmes njerëzve të përvuajtur”.

15 gusht 2024, 09:53
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031