Në kufijtë e tokës, ndërmjet popujve të rinj e Kishave plot gjallëri, Papa në Azi e Oqeani
R.SH. / Vatikan
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, përshkruan për mediat shtegtimin apostolik të Papës nga 2 deri më 13 shtator në Indonezi, Papua Guinea e Re, Timori Leste dhe Singapori. Është një nga shtegtimet më të gjata të Françeskut.
"Nuk ka shqetësime shtesë për shëndetin e Papës. Do të mbajë gjashtëmbëdhjetë fjalime në italisht dhe spanjisht mbi tema të ndryshme, si paqja dhe krijimi. Do të nënshkruajë edhe një deklaratë të përbashkët me Imamin e madh të Xhakartës, me të cilin do të vizitojë "Tunelin e Miqësisë",
Nga e hëna e ardhshme (deri më 13 shtator), Papa do ta ndërmarrë këtë shtegtim, më i gjati i papnisë së tij. Duke pasur parasysh lëvizjet me avion, do të përshkojë 32,814 kilometra, për një total prej 44 orësh fluturimi.
Papa Bergoglio do të ndalet në Indonezi, Papua Guinea e Re, Timorin-Lindor dhe në Singapor. Me Papën 87-vjeçar do të udhëtojnë, siç ndodh me udhëtimet e tjera ndërkombëtare, edhe mjeku e një infermiere. “Do të ketë të njëjtat masa paraprake mjekësore të udhëtimeve të tjera, të konsideruara të mjaftueshme. Nuk do të ketë shtesa, gjë që do të thotë se ka një nivel të vëmendjes, që mund t’i mbulojë edhe situatat e këtij udhëtimi”- siç shpjegoi Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, gjatë paraqitjes së udhëtimit prej mbi trembëdhjetë orë fluturimi.
Është udhëtimi i 45-të ndërkombëtar i Papës Bergoglio. Kështu do të ketë 65 vende të vizituara gjatë papnisë së tij. “Ata që do të vizitojë - shpjegoi Bruni - janë vende me një pasuri besimesh, fesh dhe gjuhësh, me pak fjalë, me një thirrje të fortë për pluralizëm. E kjo është edhe tema e parë, që sigurisht do të trajtohet me sfidat përkatëse, gjë që nënkupton planin social dhe politik”.
Papa do të takohet me misionarë dhe të rinj nga vende të ndryshme. Do të ketë edhe ballafaqimin e zakonshëm ballë për ballë me jezuitët vendas. “Do të jenë patjetër diskutime për mjedisin dhe mbrojtjen e krijimit si dhe thirrje për të vijuar përpjekjet për mbrojtjen e paqes”- vë në dukje Bruni.
Në grupin që shoqëron Papën do të jenë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe Pro-Prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin - Seksioni për ungjillizimin e parë dhe Kishat e reja, kardinali Luis Antonio Tagle - si dhe sekretarët e tij, të cilëve do t’u shtohen ipeshkvijtë e vendeve të vizituara.
Papa gjatë udhëtimit do të mbajë gjashtëmbëdhjetë fjalime, duke thyer kështu një rekord. Më hollësisht, katër do të jenë në Indonezi (në italisht). Më pas Papa do të mbajë 5 fjalime në Papua Guinenë e Re. Në Timorin Lindor 4 (në spanjisht). Në Singapor do të ketë 3 fjalime (në italisht).
Ndërmjet këtyre ngjarjeve me rëndësi të veçantë, duhet theksuar nënshkrimi i një deklarate të përbashkët në Xhakartë me rastin e takimit ndërfetar, që do të ketë Papa në xhaminë e madhe, me Imamin e Madh dhe përfaqësuesit e feve të tjera. “Deklarata - informon zëdhënësi i Vatikanit - do të ketë veçoritë e vendit ku do të jemi. Sigurisht që do të lidhet me temën e unitetit në larmi". Në Singapor do të arrijnë edhe ipeshkvijtë nga Hong Kongu.