Kardinali Bo: Papa do t'u japë shtytje të re Kishave në Azi, që jetojnë ndërmjet sfidave
R.SH. / Vatikan
“Shumë nga Kishat tona janë plot gjatë meshëve të së dielës. E shumë nga aziatikët që emigrojnë në vende të tjera, e mbajnë gjallë besimin e tyre”. Në një intervistë me mediat e Vatikanit, kardinali Charles Maung Bo, kryeipeshkëv i Yangon (Myanmar) dhe kryetar i Federatës së Konferencave Ipeshkvnore Aziatike (FABC), përshkruan portretet e besimtarëve nga Azia dhe Oqeania, me të cilët do të takohet Papa Françesku gjatë shtegtimit apostolik në Indonezi, Papua Guinea e Re, Timori Lindor dhe Singapori.
Shtegtim Papaës që do zgjasë nga 2 deri më 13 shtatori i ardhshëm, i 45-ti apostolik ndërkombëtar i Jorge Mario Bergoglio, njëri nga shtegtimet e shumta në Azi, gjatë papnisë së tij. Kardinali Bo flet për një Kishë të gjallë dhe të larmishme, e cila, pavarësisht sfidave politike, ekonomike, sociale, mjedisore dhe kulturore dhe faktit se "nuk është gjithmonë e lehtë ta jetosh fenë e krishterë në disa pjesë të Azisë", "vazhdon jo vetëm të jetë e gjallë, por edhe dinamike, në mënyra të ndryshme”.
Papa Françesku përgatitet të bëjë shtegtimin e 45-të apostolik në Azi dhe Oqeani. Si e vlerësoni rëndësinë e kësaj vizite?
Shumë popuj të Azisë dëgjojnë vetëm të flitet për Papën dhe e "shohin" atë me ndihmën e mediave dixhitale. Por, për popullsinë në përgjithësi, Papa është një figurë disi e “largët”. Prandaj ardhja e Papës në Azi jo vetëm që emocionon, por edhe ngjall zell të përtërirë dhe ndjenja të përtërira feje, mbasi tregon se popujt aziatikë nuk janë larg mendjes dhe zemrës së Papës. E çka është më inkurajuese, është se Papa Françesku zgjodhi për të vizituar vendet më të vogla, më pak të njohura në botë, si Papua Guinea e Re dhe Timorin Lindor, duke krijuar kështu mundësinë që bota t’i njohë Kishat e këtyre vendeve.
Flitet për vende shumë të ndryshme: për pasurinë e Singaporit dhe varfërinë e Papua Guinesë së Re, Indonezisë me shumicë myslimane dhe shumicës katolike të ish-kolonisë portugeze të Timorit Lindor. Çka është më interesante, që mund të theksohet?
Veçantia e Azisë, përsa i përket kulturave, feve dhe traditave, duhet parë pikërisht në larminë e saj. Ndërsa të krishterët janë pakicë në shumicën e vendeve aziatike, me përjashtim të Filipineve dhe Timorit Lindor, ne e shohim fenë në rritje. Kishat në Azi, megjithëse të vogla, janë plot gjallëri. Ati i Shenjtë Françesku do të jetë në gjendje të prekë me dorë larminë dinamike të Kishave aziatike dhe fenë e popullit të kontinetit. Qofshin të pasur apo të varfër, shumicë apo pakicë, besimi i njerëzve mbetet i palëkundur pavarësisht nga shumëllojshmëria e sfidave me të cilat ndeshen vendet e ndryshme.
Çfarë mund të mësojë Kisha universale nga Kisha në Azi?
Më vijnë në mendje tri fjalë: paqe dhe harmoni; e, më pas, çka e bën paqen dhe harmoninë realitet, pra, dialogu. Pavarësisht sfidave të shumta me të cilat ndeshen Kishat në Azi, qëllimi ynë është të kërkojmë paqe dhe harmoni. Të gjithë kërkojnë paqen dhe harmoninë dhe kjo është arsyeja pse, përballë shtypjes politike, varfërisë, shkatërrimit të klimës dhe shumë situatave të tjera, Kisha duhet të bashkëpunojë me të tjerët për të rivendosur paqen dhe harmoninë në jetën e atyre që preken drejtpërdrejt. Në Azi mësojmë të bashkëpunojmë, të dialogojmë dhe të respektojmë njëri-tjetrin. Por mbi të gjitha mësuam të bashkëjetojmë si vëllezër e motra pavarësisht vështirësive. Unë besoj se rrugët e paqes dhe të harmonisë përmes dialogut janë ato që Azia mund t'ia ofrojë edhe Kishës universale.
E çfarë mund të na thoni për dëshminë e Kishës Aziatike?
Kishat në Azi janë të gjalla dhe të gjallëruara. Mjafton të shohësh se shumë nga Kishat tona janë plot gjatë meshëve të së dielës. Do të vini re se shumë nga aziatikët që emigrojnë në vende të tjera, e mbajnë të gjallë fenë e tyre. Janë misionarët tanë në këto Kisha të lashta. Ata sjellin shpresë dhe zell të përtërirë në “shtëpitë e tyre të reja”. Ne jemi edhe dëshmitarë të shumë Kishave të persekutuara në Azi. Nuk është gjithmonë e lehtë ta jetosh fenë e krishterë në disa pjesë të kontinentit. Pavarësisht këtyre sfidave - politike, ekonomike, sociale dhe kulturore - besimi i tyre vazhdon të jetë jo vetëm i gjallë, por edhe dinamik, në mënyra nga më të ndryshmet.
Për çfarë ka nevojë Kisha në Azi, apo secila nga këto katër Kisha, që Papa do të vizitojë?
Është e vështirë për mua të them se çfarë nevoje kanë Kishat e veçanta, por lutja ime është që vizita e Atit të Shenjtë të sjellë zell të ri për fenë dhe hapje më të madhe reciproke për të jetuar në paqe dhe për t'u kujdesur për njëri-tjetrin si motra dhe vëllezër, secili i vëmendshëm ndaj tjetrit, pavarësisht nga dallimet që mund të kemi.
Sa e rëndësishme mendoni se do të jetë çështja e kujdesit ndaj klimës dhe mjedisit, duke qenë se kjo pjesë e kontinentit po preket gjithnjë e më shumë nga fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga kriza klimatike?
Efektet e ndryshimeve klimatike po duken në mënyrë shkatërrimtare në Azi. Meqenëse Ati i Shenjtë e ka shumë për zemër kujdesin ndaj klimës, jam i sigurt se do ta trajtojë këtë temë. Ne nuk mund të jemi më spektatorë, por duhet të përfshihemi aktivisht në kujdesin ndaj klimës, për të mirën e përbashkët të të gjithëve. Kisha në Azi duhet të jetë protagoniste në sjelljen e këtij ndryshimi në rajon dhe në botë.