Kërko

Shenjterorja e Zojës së Shëndetit në Vailankanni Shenjterorja e Zojës së Shëndetit në Vailankanni

Indi, në Vailankanni nuk ka sinkretizëm, por një Nënë, që i pret të gjithë

Letër e prefektit të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, në prag të festës së Zojës së Shëndetit në shtetin e Tamil Nadu: shtegtarët, madje edhe jo të krishterët, përfitojnë shumë fryte shpirtërore. Atyre, që nuk mund të marrin sakramentet, nuk u mohohet ngushëllimi i Nënës së Jezusit. Vlerësimi i Papës për këtë vend feje

R.SH. – Vatikan

         Miliona shtegtarë shkojnë me besim në Shenjtëroren e Zojës së Shëndetit, në Vailankanni, në shtetin indian të Tamil Nadu, "dhe shumë fryte shpirtërore, që dalin nga ajo shenjtërore, na lejojnë të njohim veprimin e vazhdueshëm të Shpirtit Shenjt në atë vend”. Kështu shkruan prefekti i Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë, kardinali Victor Manuel Fernández, në një letër të datës 1 gusht, miratuar nga Papa, drejtuar ipeshkvit të Tanjores, imzot Sagayaraj Thamburaj, në prag të festës së Zojës së Shëndetit, që kremtohet në shtator. Përkushtimi për Zojën e Vailankanni-t, siç e njohin vendasit, daton në shekullin e 16-të.

Veprimi i Shpirtit Shenjt ndër shumë shtegtarë jo të krishterë

Frytet - nënvizon kardinali - "duken edhe te shumë shtegtarë jo të krishterë, që vijnë për të kërkuar lehtësim shpirtëror. Disa prej tyre janë shëruar nga sëmundjet, ndërsa shumë të tjerë gjejnë paqe dhe shpresë. Pa dyshim, Shpirti Shenjt dikon edhe mbi ta, duke iu përgjigjur ndërmjetësimit të Shën Marisë. Kjo - saktëson prefekti - nuk duhet të konsiderohet formë sinkretizmi apo përzierjeje fesh. Shenjtërorja është vend, ku bëhet e dukshme afërsia e Zojës, e cila i mirëpret të gjithë dhe u tregon dashurinë e Zotit atyre, që e kërkojnë. Atyre, që nuk mund të marrin sakramentet e Kishës Katolike, nuk u mohohet ngushëllimi i Nënës së Jezu Krishtit”. Për shqiptarët, ky dikim i Shpirtit Shenjt është i mirënjohur, pasi ndodh kështu edhe në shenjtëroren e Shna’Ndout në Laç, ku shkojnë për shtegtim të krishterë e myslimanë.

Zoja e Shëndetit
Zoja e Shëndetit

Vlerësimi i Papës për këtë vend feje

Kardinali Fernández tregon se në audiencën e 1 gushtit me Papën Françesku, e kujtuan së bashku bukurinë shpirtërore të atij vendi: “Ati i Shenjtë kujdeset shumë për përshpirtërinë popullore të besimtarëve shtegtarë, sepse ajo pasqyron bukurinë e Kishës në lëvizje, që kërkon Jezusin në krahët e Marisë dhe ia lë dhimbjet dhe shpresat zemrës së Nënës”. Për këtë arsye, shton kardinali, Papa Françesku shpreh "vlerësimin e madh" për atë vend feje dhe, në kuadrin e kremtimeve të shtatorit në shenjtëroren Vailankanni, u jep bekimin e tij atëror të gjithë shtegtarëve.

Dukja e parë e Zojës

Sipas një tradite të lashtë, Virgjëra Mari iu duk për herë të parë, në shekullin e 16-të, një djali që po i çonte qumështin një klienti, duke ia kërkuar për foshnjën, që mbante në krahë. I riu pranoi me gatishmëri, për të kuptuar më vonë, kur arriti te klienti, se në enën e tij qumështi nuk mungonte. “Kështu shprehet bujaria e atyre, që u japin diçka të tjerëve pavarësisht se të varfër - thekson kardinali. Sepse nuk duhet të kesh shumë për të qenë bujar. Jehoftë gjithmonë në atë vend kjo thirrje për të ndarë me të tjerët, për të ndihmuar, për të qenë pranë atyre, që kanë nevojë për ne. Shën Maria e do bujarinë e bijve të saj”.

06 gusht 2024, 14:08