Kard. Parolin në Odessa: marr pjesë në dhimbjen tuaj për këtë luftë të tmerrshme
R.SH. / Vatikan
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, vizitoi sot Odesën, një nga qytetet më të prekura nga lufta që vijon ta torturojë vendin prej gati dy vitesh. Këtu u lut për viktimat dhe bëri thirrje për paqe të drejtë e të qëndrueshme. Prania e tij, si Legat Papnor që dje, 19 korrik, deri më 24 korrik, është shenjë e afërsisë së Papës Françesku me popullin ukrainas. Në takimin me bashkësinë, në Katedralen Katolike Romake të Fjetjes së Zojës së Bekuar, foli fjalë falënderimi dhe inkurajimi.
Dhembja juaj është edhe imja
Kardinali Parolin, i cili nisi dje shtegtimin në Ukrainë nga rajoni perëndimor i Lvivit, e që nesër, më 21 korrik, do të kryesojë meshën përfundimtare të ritit latin të shtegtimit të katolikëve të këtij riti në tempullin Marian të Berdychiv, i shprehu qytetit port të Odesës, në jug të vendit, falënderimet e tij për pritjen në këtë komb. Përshëndeti, pastaj, ipeshkvin dhe meshtarët e pranishëm, por edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse [kujtojmë se Kisha Ortodokse e Ukrainës, u shpall autoqefale nga Kostandinopoja në vitin 2019], laikët, përfaqësuesit e administratës, ambasadorët dhe të gjithë njerëzit që u mblodhën në këtë vend për t'u lutur. Mbi të gjitha, theksoi afërsinë, praninë dhe bekimin e Papës Françesku, i cili “e ndjek situatën me shumë vëmendje, me shumë shqetësim, me shumë, tepër, dhimbje”.
Mikpritja e besimtarëve
Mediave të Vatikanit Kardinali u rrëfen se, sapo vuri këmbën në vendin e trazuar nga lufta për gati dy vjet e gjysmë, ndjeu dhimbjen e këtij populli në një mënyrë të veçantë. E ndërsa ipeshkvi përkujtoi të vdekurit e luftës duke ndezur një qiri në katedrale, u ndje fort edhe dhimbja e atyre, që humbën të dashurit - kujtoi Parolin - si dhe e atyre që i kanë ende të freskëta plagët e luftës, e cila vijon të korrë e të grijë! Kujton kardinali se "shumë kanë mbetur invalidë". Ndaj bashkohet me të gjitha vuajtjet "e atyre që qajnë për shkatërrimin e pronave, e atyre që iu desh të largoheshin e të strehoheshin diku tjetër. E sidomos, me dhimbjen e të gjithë atyre që, në një farë mënyre, u përfshinë në këtë luftë të tmerrshme".
Lutja për një paqe të drejtë
Dhimbja në njërën anë, shpresa në tjetrën. Inkurajimi i përfaqësuesit papnor është i fortë: “Besoj se si të krishterë nuk duhet ta humbasim shpresën: shpresën se me hirin e Zotit mund të prekim edhe zemrat më të ngurta”. Shpresoj se, “edhe me vullnetin e mirë të shumë njerëzve, mund të gjendet një mënyrë për të arritur një paqe të drejtë”. Në këtë drejtim punon dhe angazhohet diplomacia e Vatikanit! Në prag të festës së Zonjës, e cila do të kremtohet nesër në Berdychiv, Kard. Parolin kujton se ne të gjithë mund të mbështetemi te Zoja, Mbretëresha e Paqes.
“Shpresoj se kjo vizitë, si dhe ato të mëparshmet, për shembull ajo e kardinalit Zuppi, do të japë një ndihmesë të vogël për ndërtimin e paqes, për një rrugë paqeje në këtë tokë”, shton sërish Parolin.