Kard. Tagle: për të qenë misionarë, duhet të keni në zemrën tuaj faljen
R.SH. / Vatikan
“Para se të vija këtu, e pyeta Atin e Shenjtë Françeskun nëse kishte ndonjë mesazh për ju. Ai tha, "Kthimi në Eukaristinë". Kështu e nisi Kardinali Luis Antonio Tagle predikimin, që vulosi Kongresin Kombëtar të Eukaristisë në Shtetet e Bashkuara, kremtuar në stadiumin Lucas Oil në Indianapolis me mandatin e Papës Françesku për të reflektuar mbi lidhjen ndërmjet kthesës eukaristike e kthesës misionare - pasi - vëren ai, Kongresi "do të pasohet nga dërgimi i misionarëve eukaristikë".
Marrëdhëniet artificiale
Në pikën e parë, që përcakton "Misioni dhe Dhurata", pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin u ndalua në faqet e Ungjillit, në të cilat Jezusi flet për misionin e tij. Krishti - vijoi - "ka vetëdijen e thellë se “u dërgua" nga Ati, "u dërgua, për t'u dhuruar". Misionari - nënvizoi Kardinali Tagle - "është dhuratë" e ndoshta, vërejti "pikërisht aty ku zelli misionar mungon, kjo ndoshta ndodh pjesërisht për shkak të një dobësimi të vlerësimit për dhuratat e për bamirësinë". Nëse ky horizont po zhduket – vazhdoi - “nëse horizonti ynë është vetëm ai i suksesit dhe i fitimit, nuk ka hapësirë as për të parë e as për marrë dhurata falas”. Disa njerëz - vuri në dukje Kardinali - "preferojnë të lidhen me 'miq' ose 'takime' të krijuara nga inteligjenca artificiale, sepse nuk i shohin dhuratat tek njerëzit e vërtetë". E ky theksim pasohet nga një sërë pyetjesh drejtuar ndërgjegjes së burrave, grave, meshtarëve dhe laikëve, ipeshkvijve dhe baballarëve e nënave të familjeve, duke i nxitur të dhurohen, si Jezusi.
Të mos e humbasim zemrën
Po “Jezusi është dhuratë - apo problem?” - vijon kardinali filipinas, duke kaluar në pikën e dytë. Kur ai u tha dishepujve se ta marrësh Atë "do të thotë, së pari, të besosh në Të dhe, së dyti, të marrësh korpin dhe të pish gjakun e tij" - ata "filluan të dyshonin" dhe shumë e braktisën. E këtu Kardinali Tagle shtroi një sërë pyetjesh, që arrijnë drejt e në zemër: "A është e mundur që ne, Dishepujt, të kontribuojmë në largimin e të tjerëve nga Jezusi", në distancimin e tyre nga feja? “A ofrojnë bashkësitë tona të famullisë përvojën e afërsisë dhe të kujdesit për Jezusin? A janë ende familjet tona edukatorët dhe transmetuesit kryesorë të fesë? E të rinjtë, a dëgjohen e a kuptohen kur janë në kërkim të Jezusit?”. Shumë nga të ashtuquajturit "të fshehur" - të varfër, emigrantë, të moshuar, të pastrehë, indigjenë - "mund të ndjehen si të huaj". Por, ftesa është, “të mos humbasim zemrën. Jezusi nuk do të lodhet duke ardhur tek ne me dhuratën e tij, edhe kur është i plagosur”.
Jezusi nuk imponohet
Në pikën e tretë të aspektit të misionit, Kardinali Tagle kthehet në çastin kur Jezusi i pyet apostujt nëse edhe ata kanë ndërmend ta braktisin. Shpresoj – vijon Kardinali - "se ne do të mund të përgjigjemi si Shën Pjetri: "Do të rri me ty! Nuk dua të jetojë larg teje!”.
Por këto - argumenton ai - nuk duhet të jenë fjalë boshe. Ashtu si Shën Pjetri, ne duhet të besojmë me bindje. Jezusi nuk ia imponon veten askujt. Ai i bën thirrje lirisë sonë shpirtërore”.
Pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin u kërkon misionarëve të shkojnë dhe të ndajnë "dashurinë e butë të Jezusit" me njerëzit e lodhur, me ata që kanë nevojë për dhembshuri. Në letrën që më dërgoi - vijon Kardinali Tagle: “Papa shprehu besimin 'se pjesëmarrësit në Kongres, plotësisht të vetëdijshëm për dhuratat universale që marrin nga ushqimi qiellor, mund t'ua kalojnë dhuratave të tjerëve’”.
Të dashur miq – përfundoi Kardinali - “kur prifti apo djakoni thotë: “Mesha u krye. Shkoni në paqe!” - të lutem, shko! Shkoni! Çka dëgjuat, çka preket e çka shijuat, duhet ta ndani me të tjerët” - për “jetën e botës”.