Kërko

Intervista e Andra Tornielli-t me imzot Antonio Staglianò Intervista e Andra Tornielli-t me imzot Antonio Staglianò

Ndjesa jubilare, shi i begatë mëshire për të gjithë

Arsyet teologjike të ndjesave, në dialogun e drejtorit editorial të mediave të Vatikanit, Andrea Tornielli, me kryetarin e Akademisë Papnore të Teologjisë, imzot Antonio Staglianò

R.SH. – Vatikan

“Jo vetëm e plotë dhe shumë e gjerë, por tejet e plotë", non solum plenam, et largiorem immo plenissimam në origjinalin latinisht: kështu përkufizohet ndjesa njëqindvjeçare në bulën “Antiquorum habet fide relatio” të Jubileut të vitit 1300, jubileut të parë të Kishës Katolike, shpallur nga Papa Bonifaci VIII. Janë tre mbiemra, që shkojnë duke u rritur në shkallë – nga i plotë, në më i gjerë dhe në shumë i plotë – duke nënvizuar enkas se dallohen qartas nga faljet e mëparshme, të lidhura me kryqëzatat, nga ato françeskane dhe nga ajo akuilane, shpallur me bulën e vitit 1294 nga Papa paraardhës, Çelestini V. Bonifaci VIII përmend Shën Pjetrin e Shën Palin apostull dhe, duke kërkuar mbrojtjen e tyre, i lejon vetes të japë faljen e plotë të mëkateve, në bazë të fjalëve marrë nga Ungjilli, në veçanti, nga Shën Mateu 16,9: "Gjithçka që do të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell".

Për të marrë ndjesën e plotë, romakët duhej të vizitonin bazilikat 30 herë në 30 ditë rresht, të huajt 15 herë për 15 ditë, "të penduar me të vërtetë dhe të rrëfyer". Papa Bonifaci vendosi që Jubileu të kremtohej çdo 100 vjet, por një Jubile i dytë u shpall vetëm 50 vjet më vonë nën papninë e Klementit VI. Arsyeja ishte dëshira për t'u ofruar të gjithë brezave mundësinë për të përjetuar një Vit të Shenjtë – e, për rrjedhojë, edhe për të marrë ndjesën e plotë - gjatë jetës.

Në nivelin historik, mund të shkojmë edhe më tej, por duhet bërë një hap prapa dhe së pari, të pyesim: ç’është ndjesa e plotë?

Kthim në gjendjen fillestare e të panjollë të Pagëzimit

Andrea Tornielli, drejtor editorial i mediave të Vatikanit dhe ipeshkvi Antonio Staglianò, kryetar i Akademisë Papnore të Teologjisë, i përgjigjen pikërisht kësaj pyetjeje – ç’është ndjesa - sepse ajo është një fjalë me "kuptim të pacaktuar, të vështirë, e kuptueshme në gjuhën italiane – si qëndrim tolerues, si të qenit tolerues - por me kuptim të veçantë teknik për doktrinën e Kishës. Ndjesa apo falja e mëkateve ka qenë edhe burim polemikash, sidomos në të kaluarën, sepse në fund të fundit, një nga arsyet pse Luteri sulmoi Papën dhe Kishën e Romës ishte konceptimi i ndjesës si tregti, prandaj, kush paguante fitonte faljen dhe shpërblimin e mëkateve”. Më tej, Tornielli vëren se «ndjesa nënkupton mundësinë që të fshihet jo vetëm mëkati si i tillë, sepse kjo ndodh me faljen, por edhe të eliminohen pasojat, që shkakton mëkati tek ne. Jubileu është me të vërtetë një mundësi e shkëlqyer, sepse duke respektuar kushte të veçanta - duke u rrëfyer, duke kaluar nëpër Portën Shenjte, duke vizituar një bazilikë, duke u lutur për Papën - mund të fitohet më shumë se falja e thjeshtë, madje, fitohet kthimi në gjendjen e hirit të pagëzimit. Është sikur gjithçka të fshihet me një leckë të madhe, një pastrim i përgjithshëm”.

Dhuratë e Kishës

Imzot Staglianò shpjegon kuptimin shpirtëror të ndjesës së plotë, e cila «është e lidhur me mëshirën e Zotit, e cila dikohet me shumicë në jetën e qenieve njerëzore. Duke qenë se mëshira e Zotit është vetë Zoti, ajo hyn në jetën e njeriut dhe e ndryshon atë. Ndjesa e plotë është mëshira që, si shiu i begatë, bie mbi ekzistencën e njeriut dhe e transformon atë, duke e orientuar drejt së mirës, ​​dashurisë, vëllazërimit, pra, drejt ripërtëritjes dhe rigjetjes së humanizmit, të cilët, deri diku, humbën përmes mëkatit”. Kryetari i Akademisë Papnore të Teologjisë vijon: “Kur jemi në mëkat e shkatërrojmë imazhin, shëmbëlltyrën e Zotit, që na krijoi. Pra, e shkatërrojmë bukurinë e njerëzimit, që Ai ëndërron duke na parë. Prandaj, ndjesa është para së gjithash dhuratë që Kisha e bën, sepse, siç lexojmë në Ungjill, Kisha ka pushtetin të lidhë e të zgjidhë dhe mund ta dhurojë këtë mëshirë të Hyjit, të cilën e meritojmë për hir të Zotit tonë Jezu Krisht dhe të shenjtorëve të Parrizit. Ajo ka një ndikim pozitiv në jetën e qenieve njerëzore, që rigjejnë humanizmin e tyre, sepse, duke mëkatuar, i kanë prishur marrëdhëniet me të tjerët dhe me Zotin, e kanë shkëmbyer të mirën shpirtërore të miqësisë, vëllazërimit, dashurisë me egoizmin për të pasur vetëm për vete dhe për të mos i parë vuajtjet e të tjerëve”.

Feja nuk është magji

Imzot Antonio Staglianò paralajmëron për rreziqet e keqkuptimit të ndjesës: «Për ta kuptuar thellësisht çështjen që ka të bëjë me përshpirtërinë e me fenë, duhet të mendojmë se nuk mjafton të kryejmë gjeste në një mënyrë thuajse magjike, si, për shembull, kalimi nga Porta e Shenjtë ose ndonjë gjest bamirësie, sikur të ishin elementë mekanikë shkak-pasojë. Feja nuk është magji, është sakramentore, që do të thotë se ka të bëjë me trupin e secilit, pasi ka të bëjë me korpin e Krishtit, i cili paraqitet në sakrament dhe i ka rrënjët në një përvojë të thellë, të brendshme kthese. Njeriu duhet të vendosë, në thellësi të zemrës së vet, rrugëtimin shenjt drejt dashurisë së Zotit, që fal dhe kthen në udhën e shëlbimit”.

Mëshira që përqafon

“Mesazhi i Jubileut të Mëshirës, ​​i portës së hapur për pajtim, i aftësisë për të falur, ndodh në një kohë në të cilën po luftojmë gjithnjë e më shumë, ku gjuha e urrejtjes së mediave sociale dhe tragjedia e bombave, që shkaktojnë kaq shumë viktima civile dhe të pafajshme, na flasin për një qëndrim diametralisht të kundërt me faljen”, vë në dukje Tornielli, i cili vijon: “Gjithsesi, është bukur të nënvizohet se vendimi për të bërë kthesë nuk është parakusht për të takuar mëshirën. Mjafton të kujtojmë skenën ungjillore të Zakeut, i cili ishte kureshtar, por rrinte larg. Nuk na thuhet nëse kishte hyrë në ndonjë rrugë pendestare e pse Jezusi e pa, e deshi, e thirri e i tha: ‘Po vij të ha në shtëpinë tënde’. Ai u përqafua nga mëshira. Në fund të fundit, ne kemi nevojë për këtë shi mëshire. Sepse kur e ndiejmë se na duan e na përqafojnë si kurrë ndonjëherë, e kuptojmë se jemi veç mëkatarë të mjerë. Vetë mëshira e Zotit na nxjerr nga bunkeri”.

Mëshira e Zotit ka ekzistuar gjithmonë dhe është për të gjithë

Kryetari i Akademisë Papnore të Teologjisë kujton se «imazhi i shiut që bie me shumicë është imazh ungjillor, sepse Jezusi thotë se Zoti bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. Jemi mësuar të mendojmë për mëshirën e Zotit vetëm nga ana njerëzore: ‘Jam besimtar, jam i pagëzuar, bëj mëkat, prandaj, kam nevojë për falje. Shkoj te prifti, rrëfehem dhe marr mëshirën e Zotit, faljen e mëkateve të mia nëpërmjet aktit sakramentor’. Por nuk funksionon kështu për të gjithë. Funksionon vetëm nëse pranojmë perspektivën që uji i begatë i mëshirës së Zotit dikohet mbi të gjithë, jo vetëm mbi besimtarët dhe të krishterët, mbi të gjithë. Sepse ky ujë i begatë i mëshirës së Zotit ekziston përpara Abrahamit, përpara Adamit, përpara botës. Në Koncilin e Nikesë, u shkishëruan të gjithë ata, që thoshin se Jezusi "nuk ishte i pranishëm kur nuk ekzistonte" si njeri. Jezusi i Nazaretit, i cili është mëshira e Zotit dikuar mbi njerëzimin, ishte i pranishëm "edhe" kur nuk ekzistonte, sepse Jezusi është para ekzistencës së botës.

07 maj 2024, 14:43