Kërko

Muzetë Vatikanase: petkat e Shën Pjetrit e Shën Gjonit, të restauruara

Dy veshje, një tunikë dhe një dalmatik, ndoshta prodhim koptik egjiptian, që vijnë nga thesari i Sancta Sanctorum, ishin - dhe do të jenë - në qendër të "së Enjtes Muzeale". Besohet, sipas traditës, se ishin të dy apostujve, e datojnë në shekujt e parë të krishterimit. E pohojnë analizat e Kabinetit të Kërkimeve Shkencore të Muzeve, me rastin e restaurimit të përfunduar së fundmi.

R.SH. / Vatikan

Janë të thuruara me fije leshi, liri dhe hithre, dy punëdoret jashtëzakonisht të vlefshme, të cilat sipas traditës dhe devocionit, duhet të jenë tunikat e shenjtorëve Pjetri dhe Gjoni. Ato vijnë nga Thesari i paçmuar i Kapelës Papnore Sancta Sanctorum, i cili ruhej në majë të Shkallëve të Shenjta të në Sheshin e Shën Gjonit, në Lateran. Sot reliket e çmuara mund t’i kundrojnë rishtas turistët dhe besimtarët. Ne folëm për to në të "E Enjtën Muzeale", organizuar më 23 maj, në orën 16:00 në Sallën e Konferencave të Muzeumeve të Vatikanit e gjithashtu edhe në transmetim të drejtpërdrejtë në kanalin YouTube të koleksioneve papnore.

Dy relike të çmuara

Merita e vlerësimit të ri të këtyre gjetjeve të jashtëzakonshme duhet kërkuar në një ndërhyrje të saktë konservatore, kryer nga viti 2019 deri në 2024 nga restauratorja Emanuela Pignataro e Laboratorit të Tapicerive dhe Tekstileve të Kabinetit të Kërkimeve Shkencore të Muzeumeve të Vatikanit, nën drejtimin e parë të Maria Serlupi-t dhe pastaj, të Luca Pesante-s, të cilët morën me radhë përgjegjësinë për Departamentin e Arteve Dekorative të Muzeumeve të Vatikanit. Analizat dhe hetimet e kryera nga Kabineti i Kërkimeve Shkencore bënë të mundur zbatimin e informacionit në lidhje me dy punimet tekstile.

Këta të fundit, të stilit oriental, u cilësuan si fryt i studimeve të fundit të një pjese të biografisë së Papës Gregori i Madh, shkruar në shekullin IX nga diakoni Gjon. Teksti dokumenton praninë e një tunike dhe të një dalmatike ndërmjet relikeve të Lateranit, përkatësisht të Shën Gjonit Ungjilltar dhe të Shën Pashkasit.

Restaurimi i tunikës së Shën Gjonit
Restaurimi i tunikës së Shën Gjonit

Një tunikë dhe një dalmatikë

 “Tradita, që ia atribuon dy veshjet Shën Pjetrit dhe Shën Gjonit – shpjegon Luca Pesante për Vatican Radio - Vatican News - është relativisht e re: i duhet ditur punës së Wolfgang Fritz Volbach, studiues i madh i artit të hershëm të krishterë dhe mesjetar, i cili nga viti 1934 deri në 1946 ishte drejtor i Muzeut të Krishterë të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Volbach i lidhi të dy rrobat me një fragment të biografisë së Papës Gregori i Madh, që papnoi nga viti 590 - deri në vitin 604, shkruar në shekullin e 9-të nga djakoni Gjon. Dokumenti dëshmon për praninë, ndërmjet relikteve Laterane, të një tunike dhe një dalmatike, që i përkasin përkatësisht Shën Gjonit Ungjilltar dhe Shën Pashkasit. Sipas biografit, tunika e Ungjilltarit, e cila në atë kohë mbahej nën altarin e Bazilikës së Shën Gjonit, duhet të identifikohet me atë që vetë Papa Gregori kishte kërkuar në vitin 592 nga manastiri i Sirakuzës - në Santa Lucia, në mënyrë që mund të dërgohej në Romë si relike”.

Cilës datë i takojnë saktësisht dy petkat?

Analizat shkencore të kryera nga Universiteti i Tuscias, me rastin e restaurimeve të fundit (Carbon 14), e datuan tunikën e Shën Pjetrit  ndërmjet gjysmës së dytë të shekullit të 6-të dhe gjysmës së parë të shekullit të VII pas Krishtit, ndërsa dalmatikën e San Giovanit, ndërmjet fundit të shekullit I dhe gjysmës së dytë të shekullit II pas Krishtit.

Restaurimi i tunikës së Shën Gjonit
Restaurimi i tunikës së Shën Gjonit

Edhe pse nuk i përkisnin ende Pjetrit dhe Gjonit, këto qenë objekt i përkushtimit të veçantë për besimtarët gjatë shekujve. A ka ndonjë gjurmë të këtij nderimi?

Nëse shikoni nga afër dy rrobat, do të vini re shenja të shumta prerjeje përgjatë skajeve, të cilat i referohen përdorimit të gjerë në shekujt e kaluar të marrjes së fragmenteve të vogla të relikeve për kushtim publik dhe privat. Prandaj, ne mund të dallojmë bërthamën e origjinës, Sancta Sanctorum, si vendin më domethënës të përkushtimit romak në Mesjetë dhe në epokën moderne: disa relike dhe piktura, si ajo Acheropita-s, domethënë e papikturuar nga dorë njeriu, e Shëlbuesit, vendosur mbi 'altar, shpesh bartej me procesion përgjatë rrugëve të Romës me rastin e ngjarjeve të veçanta; në të njëjtën kohë çdo relike e vetme gëzonte një përkushtim të veçantë, të lidhur me origjinën e saj të shenjtë.

Restaurimi
Restaurimi

Në çfarë gjendje ishin rrobat para restaurimit?

Tunika e Shën Pjetrit ishte në gjendje shumë të keqe, edhe për shkak të përbërjes së saj; pamja tjetër, më solide dhe rezistente kërkon një restaurim krejtësisht të ndryshëm.

Duke folur me restauruesen Emanuela Pignataro, mësuam se dy veshjet, ndoshta të prodhimit koptik egjiptian, ishin ruajtur nën xham përpara ndërhyrjes konservatore. Kjo zgjidhje, tani e papërshtatshme, bëri të nevojshme heqjen e dy gjetjeve për t'u dhënë atyre origjinalitetin tredimensional. U dezinfektuan dhe u pastruan me kujdes, duke hequr grimcat që qenë grumbulluar ndër shekuj. Më në fund, u krye një restaurim i përpiktë konservator, duke konsoliduar dhe riintegruar të gjitha zonat e degraduara. Sot tunikat paraqiten para syve me një pamje më natyrale dhe tredimensionale: ato do të ekspozohen në Sala Degli Indirizzi të Pius IX, dhoma e parë që haset kur del nga Kapela Sikstine, ngjitur me Kapelën e Shën Pjetrit Martir, ku ruhen reliket më të çmuara të Shenjtit të Shenjtëve. Një vend, ky i fundit, plot hijeshi, ku ndërthuren arti, feja, historia dhe devocioni.

Fletorja e restaurimit
Fletorja e restaurimit

Fletorja e restaurimit   

“Thesari i Sancta Sanctorum – shpjegon Luca Pesante – për shekuj u mbajt në kapelën private të pallatit ku jetonin papët në mesjetë. Më pas u shkatërrua pothuajse plotësisht gjatë punimeve të kryera nga Sixti V ndërmjet  viteve 1585 dhe 1590. Kjo kishëz me origjinë shumë të lashtë, e shekullit të 8-të, kushtuar Shën Lorencit, kryente të njëjtin funksion që kryen Kapela Sikstine në Vatikan në epokën moderne. Këtu ruheshin edhe kokat e apostujve Pjetër dhe Pal, të cilat Papa Urbani V, i cili vdiq në Avignon në vitin 1370, i kishte vendosur mbi altarin e lartë të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran.

Në prill 1903 Papa Leoni XIII autorizoi jezuitin francez Florian Jubaru për të hapur sëndukun shumë të lashtë prej druri selvije, që daton rreth shekullit të 9-të, deri në kohën e Leonit III, i cili ndodhej nën altarin e kapelës, për një studim mbi Shën Anjezes, koka e së cilit ruhej ndërmjet relikeve. Dy vjet më vonë, një tjetër jezuit, këtë herë gjerman, Hartmann Grisar, ishte përsëri në gjendje të hetonte përmbajtjen e thesarit të Shenjtores së Shenjtorëve, duke zbuluar përbërjen vërtet të jashtëzakonshme të kësaj përmbajtjeje shumë të çmuar. Ishte grupi më i admirueshëm i relikeve të ruajtura në të gjithë Evropën, i përbërë nga kryevepra të artit bizantin, pers, sirian, kopt, si dhe nga relike të vetë Krishtit, të Apostujve dhe të martirëve të parë. Menjëherë pas hetimeve të para dhe përhapjes së shpejtë të lajmit për zbulimin, u ndez një garë e ethshme ndërmjet bashkësive shkencore që vepronin në fillim të shekullit në Romë, madje edhe brenda urdhrave të njëjtë fetarë. Për të shmangur shkandujt apo mosmarrëveshjet me shtetin italian, siç kishte ndodhur në vitin 1879 me episodin e shitjes së paligjshme të Pllakave të Castel Gandolfos, Papa Piu X e zhvendosi relikuarin në koleksionin  e Muzeut Kishtar të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit.

Në vitin 1999, përmes një reskripti të Shën Gjon Palit II, koleksionet historike të Bibliotekës kaluan nën kompetencat e Muzeve të Vatikanit, ku  ruhet edhe sot thesari i Sancta Sanctorum”.

25 maj 2024, 14:23