Kërko

Arnolfo di Cambio e bottega, Papa Bonifacio VIII e due profeti, 1296-1310, marmo bianco; la collocazione originaria doveva essere sulla facciata della cattedrale di Firenze, Sala del Paradiso, ©Museo dell’Opera del Duomo di Firenze Arnolfo di Cambio e bottega, Papa Bonifacio VIII e due profeti, 1296-1310, marmo bianco; la collocazione originaria doveva essere sulla facciata della cattedrale di Firenze, Sala del Paradiso, ©Museo dell’Opera del Duomo di Firenze

Kronika nga Jubileu I: Roma, ndërmjet fesë e bllokimit të trafikut

Dokumentet e lashta tregojnë gjallërisht skena të veçanta, të jashtëzakonshme, gjatë muajve të Vitit Shenjt 1300

R.SH. / Vatikan

Në Jubileun shpallur nga Papa Bonifaci VIII gjithçka ishte madhështore, duke nisur nga numri i madh i shtegtarëve. Kronikat e kujtojnë shpesh, e gjithnjë të mrekulluara: “Vijnë njerëz të famshëm nga i gjithë krishterimi  - shënon në kronikat sieneze një autor anonim nga mesi i shekullit të katërmbëdhjetë - aq sa atyre, që nuk i kishin parë, u dukej e pabesueshme”. Njerëz të dy sekseve, gjë që ngjalli habi edhe më të madhe, pasi zakonisht turma e shtegtarëve përbëhej nga burra dhe jo nga gra. "E erdhën burri e gruaja e fëmijët - vazhdon autori i Kronikës së lartpërmendur - e lanë shtëpitë e mbyllura dhe të gjithë, me përkushtim të përsosur, shkuan për të marrë në ndjesën e plotë".

Ky shkrim konfirmohet në një lapidar, që mund të admirohet edhe sot e kësaj dite në Firence, në Rrugën Giovanni da Verrazzano, ku lexojmë (në latinisht) se në vitin 1300 Varri i Shenjtë iu mor saraçenëve e tartarëve dhe iu kthye krishterimit; për më tepër, përmendet indulgjenca, a falja e mëkateve, shpallur nga Bonifaci VIII dhe fakti që shumë, duke përfshirë edhe tatarët, shkuan në Romë për këtë ndjesë. Pastaj, në fund, një kalim i papritur nga latinishtja - në gjuhën popullore: «E andovi Ugolino cho la molgle» «Dhe atje shkoi Ugolino cho la molgle» - “Dhe atje shkoi Ugolini me gjithë të shoqen” - Se kush ishte ky Ugolino mbetet mister, megjithëse shumëkush u përpoq ta shpjegojë identitetin e tij: është logjike të hamendësohet se ai duhet të ketë qenë qytetar i pasur, por pa ndonjë rol të rëndësishëm. Përndryshe - sipas të gjitha gjasave - do të ishte shpjeguar më hollë pozita e tij.

Turma e jashtëzakonshme krijon gjithmonë - dje si sot - bllokime të konsiderueshme trafiku. Edhe ajo shkaktoi shumë dyndje në atë vit, kur Roma, veçanërisht në periudhat kulmore, pranë festave të mëdha dhe në periudha të tjera të vitit, përveç verës (në mesjetë ajri në Romë nuk ishte më i miri në atë stinë, ose kur bujqësia kërkonte një pjesë të madhe të fuqisë punëtore), pushtohej trupat Romei që hynin e dilnin duke brohoritur. Prandaj, nuk ishte për t'u habitur që ndërmerreshin veprime të ndryshme. Po veçoj dy prej tyre, që na i bëjnë të ditur dy dëshmitarë të jashtëzakonshëm. Të parin e mora nga libri i Kardinalit Stefaneschi për vitin e njëqindtë apo jubileun.

Dëshmitar i dorës së parë i ngjarjes së jashtëzakonshme, ai siguron se “me përhapjen gjithnjë e më të madhe të lajmit për ndjesën e vitit të njëqindtë, turma njerëzish u nisën në çast në drejtim të Romës, aq të shumta sa kudo që kalonin, krijonin përshtypjen e një ushtrie a të një tubimi. Brenda dhe jashtë mureve të qytetit një turmë e dendur grumbullohej gjithnjë e më shumë me kalimin e ditëve, me rrezikun që shumë të shtypnin njëri-tjetrin. Më pas u miratua një zgjidhje e favorshme, megjithëse jo plotësisht e mjaftueshme: një derë e dytë u hap në mure për të siguruar rrugën më të shkurtër ndërmjet monumentit të Romulit dhe rrugës antike".

Një derë tjetër, pra; ndoshta, siç hamendësoi Arsenio Frugoni, “ndërmjet Varrit të supozuar të Romulit përballë Shën Marisë në Traspontinë e, ndoshta, Porta Castelli-t». Në fillim dyndja e njerëzve vinte nga veriu. Por më pas të gjithë, të huaj apo romakë, përfunduan duke u grumbulluar rreth bazilikave, veçanërisht asaj të Princit të Apostujve. Dhe pikërisht aty, mbi të gjitha, ndodhi bllokimi i trafikut. Kështu iu drejtuan asaj, që mund ta përkufizojmë si rruga e parë njëkahëshe në histori ose, të paktën, e para nga e cila kemi lajme. Na e kujton këtë Poeti gjenial, Dante (Ferri, XVIII, 28-33):

“.. banor’t e Romës, në të shejtën vjetë

të jubileut të madh kur urën dalin

mënyrë të lehtë për këtë kalim kanë gjetë.

 

Kështu disa përballë kështjellës ndalin

hapin e vet për t’shkue në Shejtnoren

e Sh’Pjetrit, ndërsa të tjerë përballë kanë malin”.

 Pra në urën Sant'Angelo u vendos një ndarje, në mënyrë që njerëzit të ecnin në një drejtim, ose në tjetrin. Megjithatë, bllokimet e trafikut nuk ishin problemi i vetëm që duhej zgjidhur. Kërkesat e parashtruara nga “gjithë kjo ushtri” ishin të ndryshme. Për qëndrimet e natës, ndihma e madhe jepej nga scholae peregrinorum, ku takoheshin shtegtarë nga kombe të ndryshme; e atëherë, megjithatë, shumë i shfrytëzuan duke u vënë në dispozicion shtëpitë e tyre, domethënë, duke i shndërruar në diçka shumë të ngjashme me Bed and Breakfasts-in e sotëm. E duke qenë se kërkesat sigurisht nuk ishin moderne, u përshtatën për t’u strehuar edhe në dhoma të përbashkëta.

Vinte pastaj problemi i furnizimeve, pasi çdo shtegtar ishte një gojë për t’u ushqyer. Lajmëtar i njohur, Stefaneschi na vjen edhe një herë në ndihmë: «Për shkak të fluksit të papritur të romeive, pasi Roma u kishte siguruar me bollëk shtegtarëve gjithçka të nevojshme për jetën për rreth tre muaj, rreziku i zisë u duk rishtas, veçanërisht pasi dukej se as furrat dhe as mullinjtë e mbingarkuar nuk do të mjaftonin për turmën; e edhe Tiberi, i fryrë nga shirat, kishte vërshuar, duke ngjallur frikë e pasiguri. Ndonëse drithi ishte i mjaftueshëm, u sigurua menjëherë një ilaç i dyfishtë: e para, kështjellat aty pranë, furnizuese të zakonshme të drithit në Romë, me atë rast u urdhëruan të furnizonin bukë; e dyta: vetë njerëzit, për të mos u përballur me mundësinë e mungesës së drithit, kur të vinin duhej të sillnin me vete gomerët e ngarkuar me ushqime; me këtë masë iu dha një frymë e re furnizimit, u rindërtuan stoqet, që mullinjtë, furrat e deri edhe buka e shitur me kosh nëpër fshatra të mjaftonin me bollëk; e në të vërtetë, duke pasur parasysh turmën e mbledhur në atë vit të njëqindtë, bashkëkohësit u mahnitën shumë, dhe ndoshta pasardhësit do të jenë edhe më shumë, pasi nuk pati kurrë mungesë ushqimi ose pije në Romë gjatë gjithë kohëzgjatjes së jubileut, kur ushqimet ishin të konsiderueshme, butet ishin të stërmbushura me verë dhe të korrat, të bollshme. “Gjithçka e mirëmenduar, përveç rritjes së çmimeve të mallrave me ardhjen e tetorit dhe të shirave të vjeshtës”.

Roma, në njëfarë mënyre, e kaloi provën dyfish të vështirë, si për shkak se nuk ishte parashikuar paraprakisht, ashtu edhe për shkak të dyndjes së jashtëzakonshëm të njerëzve, me të cilën duhej të përballej.

A do të jetë gati Roma për të bërë të njëjtën gjë edhe sot?

06 maj 2024, 13:56