Kërko

Cardinale Michael Czerny, prefetto del Dicastero per il Servizio dello Sviluppo Umano Integrale Cardinale Michael Czerny, prefetto del Dicastero per il Servizio dello Sviluppo Umano Integrale

Kard. Czerny: punë dinjitoze është ajo që kujdeset për njerëzit dhe krijimin

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor foli në hapjen e punimeve të Këshillimit mbi temën “Kujdesi është punë, puna është kujdes”. Marrin pjesë personalitete, që diskutojnë nevojën për të ndërtuar bashkësi gjithëpërfshirëse, të cilat nxisin ndryshimin: "Angazhohuni së bashku për të mbrojtur drejtësinë sociale në botën e punës"

R.SH. / Vatikan

Puna ka qenë gjithmonë në qendër të mësimeve shoqërore dhe baritore të Kishës e sot “është urgjente të reflektohet për të ardhmen e punës në kuadrin e ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në kohën tonë”.  Me këto fjalë kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, hapi punimet e Konsultës me temën "Kujdesi është punë, puna është kujdes", në të cilën marrin pjesë personalitete nga Vatikani dhe institucione të ndryshme të lidhura me Kishën Katolike, së bashku me përfaqësues të Këshillit Botëror të Kishave, me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), me shoqatat e punëtorëve, sipërmarrësve, universiteteve, qendrave kërkimore, OJQ-ve dhe organizatave të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Të mbrojmë dinjitetin dhe të drejtat e punëtorëve

“Objektivi kryesor është gjithnjë mbrojtja e dinjitetit dhe e të drejtave të punëtorëve” - pohoi kardinali Czerny - i cili citoi më pas fjalët e Papës Françesku  me rastin e Konferencës së 109-të Ndërkombëtare të Punës, në vitin 2021: “Puna që nuk kujdeset, që shkatërron Krijimin, që rrezikon mbijetesën e brezave të ardhshëm, nuk respekton dinjitetin e punëtorëve dhe nuk mund të konsiderohet dinjitoze”.

Nisma, punimet e së cilës këto ditë përfaqësojnë fazën e 2-të të projektit "E ardhmja e punës - Puna pas Laudato si'", të cilin Dikasteri e ka shoqëruar që në fillim, nisi në vitin 2018, me qëllim që "të promovojë drejtësinë sociale në botën e punës dhe të ndihmojë që zëri i të flakurve në skutat e kësaj bote të dëgjohet" dhe synimi për t’iu përgjigjur sfidave të reja me veprime konkrete "në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar"  .

Në takim u fol edhe për metodat e dëgjimit "sinodal" si dhe  për "Problemet sociale, që duhet të përballohen nga rrjetet e bashkësisë”. E pikërisht këtë e lexojmë edhe në Laudato si' – gjë që kardinali Czerny e citoi në fund: "Problemet sociale duhet të trajtohen nga rrjetet e komunitetit dhe jo thjesht nga shuma e veprave të mira individuale".

10 maj 2024, 13:42