Kërko

Pyje Pyje

Imzot Caccia: të mbrohen pyjet, jeta e miliona njerëzve varet prej tyre

Në Nju Jork, fjalimi i kryeipeshkvit, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB: ekologjia e gjithanshme, për të cilën flet Papa, është mënyra për të mbrojtur së bashku ekosistemet dhe bashkësitë

R.SH. – Vatikan

Pyjet janë "njëkohësisht" ekosisteme jetike, burime jetese dhe mirëqenieje, rezervuarë të biolarmisë. Këtë kujtoi kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në deklaratën e bërë dje në Nju Jork, në sesionin e 19-të të Forumit të OKB-së për Pyjet. Duke kujtuar konceptin e "ekologjisë së gjithanshme", shprehur nga Papa në enciklikën “Laudato si'”, imzot Caccia nënvizoi se pyjet janë "motorë të zhvillimit të qëndrueshëm, pasi ato ofrojnë mjete jetese, ujë të pastër dhe rregullojnë klimën për miliona njerëz në të gjithë botën”.

 Prandaj është “thelbësore”, theksoi ai, që të gjitha veprimet për ruajtjen e pyjeve “të synojnë drejt zhvillimit të gjithanshëm të popullsive që varen” prej tyre. "Tepër shpesh", vërejti prelati, shohim situata në të cilat, për sa kohë që prodhimi rritet, shqetësohemi pak për koston që sjell kjo për pasuritë e ardhshme natyrore, për shëndetin e mjedisit dhe mirëqenien e njerëzve, si në rastin e shpyllëzimit. Rrugëdalja duket ajo "holistike", që nënvizon "ndërlidhjen" e faktorëve mjedisorë, shoqërorë dhe ekonomikë, me qëllim respektimin e ekosistemeve dhe të bashkësive.

07 maj 2024, 16:56