Kërko

Fesata e Vesakut në Indonezi Fesata e Vesakut në Indonezi

Festa e Vesakut: të krishterët dhe budistët së bashku për të promovuar paqen

Mesazhi i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar me rastin e festës, që përkujton lindjen, shndritjen shpirtërore dhe vdekjen e Budës, thekson përgjegjësinë e përbashkët për të promovuar pajtimin dhe rezistencën para problemeve të jetës

R.SH. – Vatikan

Paqja, pajtimi dhe rezistenca, vlera të rrënjosura thellë në dy tradita fetare – në atë të krishterë dhe në atë budiste - janë mjete themelore për ndërtimin e një bote pa konflikte: këtë vë në dukje Dikasteri vatikanas për Dialogun Ndërfetar në mesazhin me rastin e festës së Vesakut 2024, që u bë i njohur sot (6 maj). Kujtojmë se kjo festë përkujton lindjen, shndritjen shpirtërore dhe vdekjen e Budës.

Pajtimi dhe rezistenca para kulturës së dhunës

Bashkimi i këtyre vlerave themelore na lejon të “formojmë një sinergji të fuqishme, që shëron plagët e së shkuarës, farkëton lidhje të forta dhe na bën t’i përballojmë sfidat e jetës me forcë dhe optimizëm”, shkruhet në mesazhin e nënshkruar nga krerët e dikasterit të Vatikanit – prefekti, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot dhe sekretari, imzot Indunil J. Kodithuwakku K.. Në të nënvizohet se dobia, që vjen nga pajtimi dhe rezistenca, dëshmohet nga "mësimet fisnike të traditave tona përkatëse dhe nga jetët shembullore të atyre që nderojmë". Duke kërkuar faljen dhe rilidhjen e marrëdhënieve të ndërprera, ata që ishin larguar, pajtohen dhe rivendosin harmoninë, ndërsa rezistenca, përveçse jep mundësi ta marrim veten nga problemet e fatkeqësitë, "promovon guximin dhe shpresën në një të ardhme më të ndritur, sepse i transformon si viktimat, ashtu edhe fajtorët”.

Pengesat në arritjen e paqes

“Shkallëzimi i vazhdueshëm i konflikteve në mbarë botën – lexohet në mesazhin për budistët – kërkon vëmendje të re për çështjen kritike të paqes dhe reflektim më të thellë mbi rolin tonë në kapërcimin e pengesave, që nuk e lejojnë të arrihet”. Përmendet për këtë fjalimi i Papës shenjt Pali VI, i cili, më 4 tetor 1965, para Kombeve të Bashkuara, bëri thirrjen: “Kurrë më luftë, kurrë më luftë! Është paqja, paqja, ajo që duhet të udhëheqë fatin e kombeve të mbarë njerëzimit!”. Në të vërtetë, nëse shkaqet rrënjësore të konflikteve dhe të dhunës nuk trajtohen si duhet, paqja e qëndrueshme është iluzion: "Sepse nuk mund të ketë paqe dhe pajtim, pa barazi dhe drejtësi në jetën politike, ekonomike dhe kulturore", vijon mesazhi.

Rëndësia e faljes

Në mbyllje, mesazhi u bën thirrje të krishterëve e budistëve “të rizbulojnë dhe t'i ruajnë si thesar këto vlera të pranishme në traditat e secilit, t'i bëjnë më të njohura figurat shpirtërore, që i mishëruan ato dhe të ecin së bashku për paqen”. Pajtimi dhe rezistenca para problemeve, duke u përpjekur të gjenden zgjidhje të përshtatshme për secilin, u jep mundësinë të falin dhe të kërkojnë falje, të duan dhe të jenë në paqe me veten dhe me të tjerët, përfshirë ata që u kanë sjellë probleme. Vihet në dukje urtia e Budës, sipas të cilit "në këtë botë urrejtja nuk qetësohet kurrë me urrejtje, por me mirësi", si edhe fjalët e Shën Palit apostull, i cili, duke kujtuar thirrjen e Jezusit për të falur gjithmonë, i nxiti të krishterët drejt shërbimit për pajtimin e njerëzve. Edhe Papa Françesku, në Enciklikën “Fratelli tutti”, siguron se "pajtimi do të na ringjallë dhe do të na bëjë të mos kemi më frikë".

06 maj 2024, 13:40