Kërko

Grua në Gazë Grua në Gazë
Editorial

Të papërgjegjshmit dhe përgjegjësia e popujve

Skenarët e luftës dhe britma e paqes, që lartojnë popujt

R.SH. – Vatikan

Andrea Tornielli

Ç’ka ndodhur gjashtë muajt e fundit dhe, fatkeqësisht, ç’po ndodh sot në Lindjen e Mesme, e mban botën pezull. Agresioni mizor kundër Izraelit, kryer nga Hamasi me vrasjen e 1200 njerëzve, kryesisht civilë paqësorë; bombardimet e vazhdueshme dhe pushtimi i Rripit të Gazës, që ka shkaktuar gati 34.000 viktima, kryesisht civilë, shumë prej të cilëve fëmijë; sulmi, që e shdërroi në skelet ndërtesën e një selie diplomatike iraniane në Damask; përgjigja e Iranit me sulmin e dronëve dhe raketave kundër objektivave ushtarake izraelite dhe sot, përgjigja e Izraelit kundër objektivave ushtarake në Iran: rreziku që ky shkallëzim të degjenerojë në vendime pa kthim, duke e tërhequr gjithë botën në një konflikt me pasoja të pallogaritshme, bëhet më real çdo ditë.

Me Papën Françesku, të vetmin lider botëror nga fjalët e të cilit del në pah vetëdija për udhëkryqin tragjik në të cilin ndodhemi, t’i themi “jo” luftës, “jo” dhunës, “po” paqes, “po” bisedimeve. Më se njëzet vjet më parë, pas sulmit terrorist të 11 shtatorit në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shën Gjon Pali II publikoi një mesazh për Ditën Botërore të Paqes, jo rastësisht, titulluar “Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk ka drejtësi pa falje”. Fjalë të vërteta, fjalë profetike. Logjika e reagimit dhe hakmarrjes, e përgjigjes që duhet të pasojë gjithmonë, shkakton një spirale nga e cila është e vështirë të shpëtosh dhe pasojat katastrofike të së cilës i paguajnë popujt.

Në një botë ku ka njerëz të papërgjegjshëm, të cilët, në vend që të investojnë në luftën kundër urisë, në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, në energjitë e rinovueshme, në krijimin e një ekonomie më pak të nënshtruar ndaj zotërve të financave dhe më të vëmendshme ndaj së mirës së përbashkët, mendojnë vetëm të investojnë shuma të mëdha për riarmatimin, për mjetet më të sofistikuara që prodhojnë vdekje dhe shkatërrim, thirrja mund t'i drejtohet vetëm përgjegjësisë së popujve. Ndërsa besimtarët i lartojnë lutje Zotit që të frymëzojë vendimet e qeveritarëve, miliona njerëz bashkojnë zërat e tyre për të lartuar një britmë për paqen. Lufta është aventurë pa kthim: në një botë me arsenale plot armë bërthamore, këto fjalë dramatikisht të vërteta bëhen gjithnjë e më reale nga dita në ditë.

19 prill 2024, 13:11