Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher në Vietnam Imzot Paul Richard Gallagher në Vietnam

Selia e Shenjtë e Vietnami: kthesë, që vjen nga larg

Takimet e imzot Gallagher në Hanoi nxorrën në pah historinë unike të marrëdhënieve ndërmjet katolicizmit vietnamez dhe pushtetit politik. Temë e trajtuar disa javë më parë në Paris, në një konferencë interesante të profesoreshës Claire Tran në selinë e Missions Etrangères de Paris, duke u nisur nga “udhëzimet” e Papës Aleksandri VII në vitin 1659 për vikarin e parë apostolik Pierre Lambert de la Motte

R.SH. – Vatikan

Udhëtimi në Vietnam i Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, i cili filloi më 9 prill e përfundoi dje, më 14 prill, e gëzoi pa masë bashkësinë katolike vietnameze. Por ishte edhe një kapitull i ri në historinë e gjatë dhe të rëndësishme të marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe autoriteteve politike të këtij vendi. Pikërisht për këtë temë, para disa javësh, në Paris, u mbajt një konferencë interesante në selinë e Missions Etrangères de Paris, gjatë së cilës Claire Tran, profesoreshë e historisë së Azisë Juglindore në Universitetin Paris Cité, trajtoi temën “Fetë dhe pushteti në Vietnam: rasti i katolikëve (shek. XIX-XX)”, bazuar në studimet e kryera prej saj në Arkivin Apostolik të Vatikanit.

Profesoresha Tran nënvizoi praninë e fuqishme të katolicizmit në Vietnam, i cili, me 7 milionë besimtarët e tij, dallohet nga vendet fqinje si Laosi, Tajlanda dhe Kamboxhia. Sot, është bashkësia e pestë katolike në Azi (paraprirë vetëm nga rasti unik i Filipineve dhe nga vende shumë më të populluara si India, Kina dhe Indonezia). Si shpjegohet kjo prani e katolicizmit në Vietnam?

Një nga arsyet qëndron pikërisht në historinë e ndërlikuar të marrëdhënieve ndërmjet pakicës katolike dhe autoriteteve të vendit. Sipas mendimit të studiueses, bashkësia katolike po përjeton një periudhë premtuese, për shkak të tre faktorëve: ka një Kishë kombëtare me përvojë të gjatë dialogu me shtetin komunist; mund të mbështetet në diplomacinë e Vatikanit, e cila ka qenë shumë aktive dhe novatore në përpjekjet për të çuar përpara këtë dialog; edhe diplomacia vietnameze ka dashur gjithnjë të tregojë hapje ndaj fesë, natyrisht, për interesa ekonomike.

Që fillimet e pranisë katolike në këtë rajon kanë qenë tejet interesante. Profesoresha Tran përmendi një letër të vitit 1659, që Papa Aleksandri VII i drejton vikarit të parë apostolik të Cochinchina-s së atëhershme, Át Pierre Lambert de la Motte, misionar i Missions Etrangères de Paris (Misioneve të Jashtme të Parisit). Një tekst, në të cilin shihet qartë se ai dëshironte, jo vetëm respekt për traditat kombëtare, por edhe për pushtetin e pranishëm në territor: “Njerëzve – shkruante Papa – u predikoni bindjen ndaj princit të tyre; lutjuni Zotit me gjithë zemër për begatinë dhe shpëtimin e tyre. Refuzoni absolutisht të mbillni farat e ndonjë partie spanjolle, franceze, turke, persiane a tjetër. Mos përdorni asnjë argument për t'i bindur këta njerëz që ta ndryshojnë jetën dhe kulturën e tyre, përveç rastit kur ato janë qartësisht në kundërshtim me fenë dhe moralin. Mos u paraqitni idetë tona, por fenë”.

Kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet me pushtetin vendor ishin të thjeshta. Që në fillim misionarët u luftuan, pasi refuzuan të përhapnin kultin e perandorit dhe të paraardhësve. Autoritetet i kanë konsideruar gjithnjë katolikët si prani e dobishme për ndërmjetësimin me të huajt, por edhe si rrezik të mundshëm. Gjërat u ndërlikuan më tej në shekullin XIX, pasi kolonizatorët francezë e justifikuan ardhjen dhe qëndrimin e tyre, duke thënë se po shpëtonin misionarët nga një regjim armiqësor. Më pas, fuqitë e Luftës së Ftohtë, për të legjitimuar luftën kundër komunizmit dhe mbrojtjen e botës së lirë, i panë misionarët e huaj perëndimorë si kalë Troje për të hyrë në perandorinë vietnameze. Kjo, së bashku me idenë komuniste se feja është opium për popujt, solli martirizimin e Kishës në Vietnam. Vlerësohet se rreth 300 mijë katolikë u vranë, për shkak të fesë. Prej tyre, 117 janë shpallur tashmë të Lumë: 96 vietnamezë, 11 spanjollë e 10 francezë.

Që nga viti 1919, në fund të Luftës I Botërore, Vatikani pranoi gjashtë seminaristët e parë vietnamezë të dërguar në Romë për t'u formuar, në perspektivën e një Kishe lokale, që nuk identifikohej me fuqitë perëndimore. Shpejt, u shugurua edhe ipeshkvi i parë, në një kohë kur vietnamezët nuk mund të kishin postet më të larta në hierarkinë politike të vendit. Që nga viti 1924, ishte i pranishëm në Vietnam një Legat apostolik, por kjo rrugë u ndërpre në mënyrë dramatike në fund të luftës, më 1975, nga qeveria komuniste, me një dekret dëbimi për përfaqësuesin papnor.

Tani, nga dhjetori i kaluar, me kthimin në Hanoi të nuncit apostolik si rezident i përhershëm, kjo rrugë rifilloi, e ndihmuar nga vitaliteti shoqëror i Kishës vietnameze. Nuk është rastësi, vuri në dukje profesoresha Tran, që, në letrën e tij drejtuar katolikëve vietnamezë, në korrik 2023, Papa Françesku ngul këmbë në dy pika: në rolin shoqëror të Kishës, e cila duhet të marrë pjesë në të gjithë sektorët e jetës së vendit, dhe në angazhimin për të qenë të krishterë dhe qytetarë të mirë.

15 prill 2024, 13:02