Kërko

 Ritratto di Pio VII Jacques-Louis-David Ritratto di Pio VII Jacques-Louis-David

Papa: Piu VII, njeri i bashkimit e i bamirësisë edhe në kohë betejash e përçarjesh të ashpra

Françesku takoi shtegtarët nga dioqezat e Cesena-Sarsina, Tivoli, Savona-Noli dhe Imola. Rasti: dyqindvjetori i rikthimit tek Ati Qiellor i Papës Chiaramonti, i burgosur për gati 3 vjet gjatë epokës napoleonike. Ky shërbëtor i Zotit, tha Papa, na kujton "dashurinë për të vërtetën, unitetin, dialogun, vëmendjen për të fundmit, faljen, kërkimin këmbëngulës të paqes dhe të asaj urtie ungjillore, që na e këshillon Zoti".

R.SH. - Vatikan

Formimi në abacinë benediktine të Cesena-s, Itali, shërbimi ipeshkvnor në dioqezat e Imolas dhe Tivolit e burgimi në Savona gjatë epokës Napoleonike. Këto janë disa nga etapat e jetës së Shërbëtorit të Zotit, Piu VII, i cili kujtohet në dyqind vjetorin e vdekjes, më 20 gusht 1823.  Në atmosferën e festimeve për përvjetorin, Françesku priti shtegtarët nga Dioqezat e Cesenës -Sarsina, Savona-Noli, Imola dhe Tivoli. Në fjalën e tij, Papa kujtoi dëshminë e madhe të Bariut dhënë nga Papa Barnaba Chiaramonti, i lindur në Cesena në 1742, në një periudhë historike përplot me trazira të thella politike dhe sociale:

“Papa Chiaramonti ishte dhe është për të gjithë ne shembull i shkëlqyer i bariut të mirë, që jep jetën për grigjën e tij (shih Gjoni 10:11). Ishte njeri me kulturë dhe mençuri të shquar e, po aq, edhe i devoçëm. Murg, abat, ipeshkëv dhe papë, në të gjitha këto role ai e ruajti gjithmonë të paprekur, edhe me çmimin e flijimeve të mëdha, përkushtimin e tij ndaj Zotit dhe Kishës. Ashtu si në momentin dramatik të arrestimit, kur atyre që i ofruan rrugën e arratisjes nga burgu, në këmbim të kompromiseve në lidhje me përgjegjësitë e tij baritore, ai u përgjigj: ‘Non debemus, non possumus, non volumus" - "nuk duhet, nuk mundemi, nuk duam”, duke paguar me çmimin e lirisë së tij personale, atë që kishte premtuar se do të bënte, me ndihmën e Zotit, ditën e zgjedhjes”.

Fjalët e Françeskut i paraprinë shtegtimit  të besimtarëve ardhur nga Cesena, Savona, Imola dhe Tivoli për t’u lutur pranë varrit të Piut VII në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa theksoi tri "vlera kyçe, për të cilat dha dëshmi Piu VII”. Janë "elemente themelore – kujtoi - edhe për udhëtimet tona personale e komunitare”: kungimi, dëshmia dhe mëshira.

Bashkimi

Papa Piu VII - nënvizoi Françesku - ishte "mbështetës dhe mbrojtës i bindur" i nevojës për të nxitur bashkimin. Ky, caku i treguar nga Papa Chiaramonti "në kohë betejash dhe përçarjesh të ashpra":

“Çrregullimet e shkaktuara nga Revolucioni Francez dhe pushtimet e Napoleonit kishin krijuar dhe vazhdonin të nxisnin përçarje të dhimbshme, si në gjirin e popullit të Zotit, ashtu edhe në marrëdhëniet me botën përreth: plagë të gjakosura, morale dhe fizike. Papa dukej se ishte tronditur nga kjo. Ndaj në vend të kësaj, me këmbënguljen e tij të qetë dhe  mbrojtjen e unitetit, Piu VII qe në gjendje ta shndërronte arrogancën e atyre që donin ta izolonin dhe ta distanconin, duke e zhveshur publikisht nga çdo dinjitet, në çastin kur mendonte të niste një mesazh përkushtimi dhe dashurie për Kishën, të cilit populli i Zotit iu përgjigj me entuziazëm. Rezultati ishte një bashkësi materialisht më e varfër, por moralisht më e lidhur, më e fortë dhe e besueshme. Shembulli i tij na inkurajon të jemi, në kohën tonë, edhe me çmimin e flijimeve, ndërtues të unitetit në Kishën universale, në Kishën lokale, në famulli dhe në familje: të bëjmë bashkim, të inkurajojmë pajtimin, të promovojmë paqen, besnikë ndaj së vërtetës në bamirësi!”.

Thashethemet - shtoi Papa Françesku - e shkatërrojnë bashikimin. "Në rast se  ngacmohesh nga thashethemet - kujtoi - ka një ilaç shumë të mirë: kafshoje gjuhën".

Dëshmia

Një vlerë tjetër që karakterizoi jetën e Piut VII është ajo e dëshmisë:

“Njeri me natyrë të butë, Papa Chiaramonti ishte kumtues i guximshëm i Ungjillit, me fjalën dhe me jetën e tij. Ai, në fillim të papnisë, u tha kardinajve zgjedhës të tij: «Kisha [...] ka nevojë për shembujt tanë të mirë [...]; në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se jo [...] në madhështi [...], por më tepër në përbuzje ndaj pasurisë, në përvujëri, në modesti, në durim, në bamirësi dhe, më në fund, në çdo detyrë meshtarake pasqyrohet figura e Krijuesit tonë dhe ruhet përmasa e vërtetë e Kishës” (po aty, 8-9). E bukur ajo qe tha! E në të vërtetë e realizoi idealin e profecisë së krishterë (shih Shën Leoni i Madh, Predikimi 21.3), duke e jetuar atë dhe duke e shpallur me dinjitet në kohë të mira e të këqija, si në nivel personal, ashtu edhe në atë kishtar, edhe kur iu desh të ndeshej me të fuqishmit e kohës së tij”.

Mëshira është elementi i tretë themelor i portretit të Papës Chiaramonti, sipas përshkrimit nga Françesku:

“Megjithë pengesat e rënda që i krijuan veprës së tij ngjarjet napoleonike, Papa Piu VII e vijoi edhe më shumë kujdesin për nevojtarët, duke u shquar për disa reforma dhe nisma të gjera shoqërore, novatore në kohën e tij, si dhe duke rishikuar marrëdhëniet ‘e vasalitetit’ me pasojë emancipimin e fshatarëve të varfër, heqjen e shumë privilegjeve fisnike, ‘angarive’, ryshfeteve dhe përdorimit të torturës (shih Piu VII, Motu proprio Quando per disposition admirable, 6 korrik 1816) dhe ngritjen e një katedre kirurgjie në Universitetin La Sapienza për përmirësimin e asistencës mjekësore dhe thellimin e kërkimeve shkencore”.

Papa Piu VII - vijoi Françesku - ishte tejet mendjehollë:

“Ishte tejet inteligjent, ndaj diti ta përballojë edhe burgimin me zgjuarsi. Ndonjëherë dërgonte mesazhe të fshehura ndër ndërresa; dhe kështu arriti t’i prijë Kishës, përmes rrobave të brëndshme! Gjë e bukur, kjo: ai ishte i zgjuar, njeri që dëshironte ta kryente detyrën e qeverisjes që i kishte dhënë Zoti. Edhe kjo, e bukur”.

I butë, por i mençur

Papa Françesku kujtoi gjithashtu se Piu VII tregoi të njëjtën bamirësi "për persekutorët e tij: duke denoncuar troç gabimet dhe abuzimet e tyre, ai u përpoq të mbante të hapur një kanal dialogu me ta dhe, mbi të gjitha, t’i falte, gjithmonë". Deri në atë pikë, sa të mikpriste në shtetet e Kishës, pas rimëkëmbjes, "familjen e atij Napoleoni që, disa vite më parë, e kishte burgosur duke kërkuar për të, tashmë të mundur, trajtim të lehtë në burg". Janë të shumta vlerat që na sjell në kujtesë Shërbëtori i Zotit, Piu VII: "dashuria për të vërtetën, uniteti, dialogu, vëmendja për më të fundmit, falja, kërkimi këmbëngulës për paqen dhe atë mendje të hollë ungjillore, që na e këshillon vetë Zoti”. Do të jetë mirë, vërejti Françesku, të reflektojmë mbi vlerat e lëna trashëgim nga Piu VII. Mbi të gjitha, "t'i bëjmë tonat dhe të dëshmojmë për ta, në mënyrë që stili i butësisë dhe gatishmëria për flijim të rritet në ne dhe në bashkësitë tona".

21 prill 2024, 14:53