Kërko

Kardinali koreanojugor Lazzaro You Heung-sik Kardinali koreanojugor Lazzaro You Heung-sik

Kardinali You: ia vlen ende të bëhemi meshtarë, jemi të thirrur për të qenë të lumtur

Gazeta vatikanase “L'Osservatore Romano” në bisedë me prefektin e Dikasterit për Klerin, në kuadrin e Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet, që kremtohet më 21 prill

R.SH. – Vatikan

Andrea Monda

Në prag të Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet në jetën meshtarake e rregulltare, që do të kremtohet të dielën, më 21 prill, gazeta vatikanase “L'Osservatore Romano” bën një bisedë me prefektin e Dikasterit për Klerin, kardinalin koreanojugor Lazzaro You Heung-sik.

Fillimisht, ai shpjegon ç’është thirrja, duke u nisur nga thirrja për çdo njeri e jo vetëm për meshtarët e rregulltarët. “Thirrja – vëren kardinali – është nxitje për të qenë të lumtur, për të marrë në dorë jetën, për ta realizuar atë plotësisht dhe për të mos e shpërdoruar. Kjo është dëshira e parë, që ka Zoti për çdo burrë e grua, për secilin prej nesh: që jeta jonë të mos shuhet, të mos humbasë, që të shndrisë sa më mirë. Për këtë arsye, Hyji u bë i afërt në Birin e Tij Jezu Krishtin dhe dëshiron të na tërheqë të gjithëve në përqafimin e dashurisë së Tij. Pra, falë Pagëzimit, ne bëhemi pjesë aktive e kësaj historie dashurie dhe, kur e ndiejmë se duhemi dhe shoqërohemi prej Zotit, atëherë jeta kthehet në rrugë drejt lumturisë pa fund. Më pas, kjo rrugë mishërohet dhe realizohet në një përzgjedhje në jetë, në një mision të veçantë e në situatat e shumta të përditshme”.

“Për të qenë të lumtur – vijon kardinali You - duhet të mos bëjmë gabime në zgjedhjet tona të jetës, të paktën në ato themelore. Shenjat e para, që duhen ndjekur, janë pikërisht dëshirat tona, çka ndiejmë në zemrat tona. Por jo gjithmonë dëshirat tona korrespondojnë me të vërtetën e qenies sonë si njerëz; mund të ndodhë që ato të jenë rezultat i një këndvështrimi të pjesshëm, të lindin nga plagë, ose zhgënjime, të diktohen nga kërkimi egoist i mirëqenies, ose nga iluzionet. Atëherë, kemi nevojë për shoshitjen, që është arti shpirtëror, me të cilin, të ndihmuar nga Hiri i Tënzot, kuptojmë rrugën, që duhet të zgjedhim në jetë. Por, shoshitja është e mundur vetëm nëse dëgjojmë veten dhe Zotin e pranishëm brenda nesh, duke kapërcyer tundimin aktual për t'i bërë ndjesitë tona të përkojnë me të vërtetën absolute. Thirrja njihet kur dëshirat tona më të thella hyjnë në dialog me punën e Hirit të Tënzot brenda nesh; falë këtij konfrontimi, nata e dyshimeve dhe e pyetjeve zbardhet gradualisht dhe Zoti na bën të kuptojmë se cilën rrugë duhet të marrim”.

Kardinali You shpjegon edhe në ç’pikë është Kisha me formimin e meshtarëve, për të cilët duhet zhvilluar si aspekti shpirtëror, ashtu edhe ai njerëzor, pasi Hiri i Tënzot nuk ka ndonjë “pushtet magjik”. “Zoti u bë njeri dhe, për këtë arsye, thirrja e tij mishërohet gjithmonë në natyrën tonë njerëzore – nënvizon prefekti. - Bota, shoqëria dhe Kisha kanë nevojë për meshtarë thellësisht njerëzorë, tipari shpirtëror i të cilëve është i ngjashëm me stilin e Jezu Krishtit: jo përshpirtëri, që na ndan nga të tjerët, ose që na bën zotërues të ftohtë të ndonjë të vërtete abstrakte, por aftësi për të mishëruar afërsinë e Zotit me njerëzimin, dashurinë e Tij për çdo krijesë, dhembshurinë e Tij për këdo, që vuan nga plagët e jetës. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për njerëz që, pavarësisht se janë të brishtë si gjithë të tjerët, në brishtësinë e tyre kanë pjekuri të mjaftueshme psikologjike, qetësi të brendshme dhe ekuilibër emocional” vë në dukje kardinali koreanojugor.

Të shumtë janë meshtarët, që jetojnë në vështirësi e vuajtje. Kardinali, që ia ka kushtuar gati gjithë jetën formimit, shoqërimit dhe afërsisë me meshtarët, sot, si prefekt i Dikasterit për Klerin, është edhe më pranë tyre e shqetësohet për ta. “Kemi nevojë për reflektim kishtar në dy fronte – shpreh ai mendimin e vet për zgjidhjen e problemit. – Së pari: duhet ta rimendojmë mënyrën tonë për të qenë Kishë dhe për ta jetuar misionin e krishterë, në bashkëpunim me gjithë të pagëzuarit, sepse meshtarët shpesh mbingarkohen me punë, me të njëjtat detyra - jo vetëm baritore, por edhe ligjore dhe administrative – të viteve më parë, kur numerikisht ishin më shumë.

Së dyti: duhet ta rishikojmë profilin e priftit dioqezan, pasi, pavarësisht se nuk është i thirrur në jetën rregulltare, duhet të rizbulojë vlerën sakramentale të vëllazërimit me ipeshkvin, shokët e tij meshtarë dhe me besimtarët, sepse, në vështirësitë e sotme, kjo përkatësi mund ta mbështesë në shërbimin baritor dhe ta shoqërojë kur vetmia bëhet e rëndë. Megjithatë, ka nevojë për një mendësi të re, sepse prifti shpesh edukohet të jetë udhëheqës i vetmuar, "i vetëm në komandë" dhe kjo nuk është mirë. Ne jemi të vegjël dhe plot kufizime, por jemi dishepuj të Mësuesit Hyjnor. Të shtyrë prej tij, mund të bëjmë shumë gjëra. Jo individualisht, por së bashku. Nuk mund ta bëjmë priftin administrator të thjeshtë të riteve fetare. E ka shumë nevojë për priftërinj dhe laikë të aftë t’u çojnë të gjithëve gëzimin e Ungjillit, si profeci e një bote të re dhe si busull orientimi në rrugëtimin e jetës”.

“Sipas jush, a ia vlen edhe sot të bëhesh meshtar?”: kjo pyetja e fundit e “L’Osservatore Romano”-s për prefektin e Dikasterin për Klerin. Përgjigjja e kardinalit You është lapidare: “Gjithmonë ia vlen ta ndjekim Zotin në këtë rrugë, të tërhiqemi prej Tij, duke ia kushtuar jetën planit të Tij. Le të shohim Marinë, këtë vajzë të re nga Nazareti, e cila, pavarësisht se e shqetësuar nga njoftimi i engjëllit, zgjedh të rrezikojë e të ndjekë aventurën magjepsëse të thirrjes, duke u bërë Nënë e Zotit dhe Nënë e njerëzimit. Me Zotin nuk humbet kurrë asgjë! Dua t'u them një fjalë gjithë priftërinjve, veçanërisht të shkurajuarve e të lënduarve: Zoti e mban gjithmonë fjalën. Nëse ju ka thirrur, nuk do t'ju mungojë butësia e dashurisë së Tij, drita e Shpirtit Shenjt, gëzimi i zemrës. Në shumë mënyra, Ai do të duket në jetën tuaj meshtarake. Uroj që kjo shpresë të arrijë tek priftërinjtë, diakonët dhe seminaristët në çdo anë të botës, për t'i ngushëlluar dhe për t’i inkurajuar. Nuk jemi vetëm, Zoti është gjithmonë me ne! Dhe na do të lumtur!”

17 prill 2024, 18:02