Kërko

Georges Braque, Bird crossing a cloud (Birds XI; Dove) (Oiseau traversant un nuage; Oiseaux XI; Colombe), 1957 Città del Vaticano, Musei Vaticani, Collezione d’Arte Moderna e Contemporanea Georges Braque, Bird crossing a cloud (Birds XI; Dove) (Oiseau traversant un nuage; Oiseaux XI; Colombe), 1957 Città del Vaticano, Musei Vaticani, Collezione d’Arte Moderna e Contemporanea

Grafikat e Muzeve të Vatikanit ekspozuar në Minneapolis, në shenjë takimi

Në Galerinë e Arteve Thrivent në Minneapolis, Minesota këto ditë u paraqit ekspozita "Arti që bashkon. Dialog ndërmjet shekujve nga Muzetë e Vatikanit dhe Koleksioni i Arteve Thrivent". Ekspozita në bashkëpunim me Muzetë e Vatikanit, ofron disa nga kryeveprat grafike më të rëndësishme bashkëkohore nga koleksionet papnore, të cilat nuk janë ekspozuar kurrë më parë në SHBA

R.SH. - Vatikan

Mundësi e rrallë për të admiruar veprat e shekullit të 20-të ardhur nga Muzetë e Vatikanit së bashku me kryeveprat e së kaluarës, burimi i tyre i frymëzimit. E jashtëzakonshme, ekspozita e ngritur në Galerinë e Arteve Thrivent, në qendër të Minneapolis: 27 vepra nga Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor i Muzeut të Vatikanit. 29, ato nga Koleksioni i Arteve Thrivent.

Manifesti i ekspozitës
Manifesti i ekspozitës

Dialog, takim, zbulim

Dialogu, takimi dhe zbulimi janë karakteristikat specifike të një ekspozite e cila, e hapur për publikun nga data 22 prill deri më 25 qershor, premton të jetë ngjarje e madhe. Joanna Reiling Lindell, drejtoresha e Koleksionit të Artit Fetar Thrivent dhe Koleksionit të Artit të Korporatës, si dhe kuratore, së bashku me Francesca Boschetti-n, ndihmës kuratore e Koleksionit të Artit Modern dhe Bashkëkohor të Muzeut të Vatikanit, flet për një "ekspozitë epokale".

Henri Matisse, Zoja me Krishtin Fëmijë në sfondin e luleve dhe yjeve (Vierge et Enfant sur fond de fleurs et d'étoiles), 1950-1951 Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor
Henri Matisse, Zoja me Krishtin Fëmijë në sfondin e luleve dhe yjeve (Vierge et Enfant sur fond de fleurs et d'étoiles), 1950-1951 Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor

 “Dialogu ndërmjet veprave të të dy koleksioneve”, nënvizon Barbara Jatta, “është mundësi për pasurim të madh, që konfirmon rëndësinë e takimit të hapur për shkëmbim përvoje me institucionet e tjera dhe të krijimit të dialogut të frytshëm ndërmjet koleksionit tonë dhe koleksioneve të tjera”.

Sipas Micol Forti-t, kurator i Koleksionit të Artit Modern dhe Bashkëkohor të Muzeut të Vatikanit, ekspozita është "mundësi e shkëlqyer për të kuptuar sesi subjektet shenjte janë model themelor gjatë shekujve"

Rembrandt van Rijn Zbritja nga Kryqi, 1633 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent
Rembrandt van Rijn Zbritja nga Kryqi, 1633 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent

 Tetë seksione

Ekspozita ka tetë seksione: Krijimi i botës, Dhjata e Vjetër, Zoja me Krishtin Fëmijë, Jeta e Jezusit, Paqja dhe Engjëjt, Apokalipsi, Qyteti dhe Lutja.

Jan H. Muller Dies V nga Krijimi i Botës, 1589 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent
Jan H. Muller Dies V nga Krijimi i Botës, 1589 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent

Arti grafik, traditë dhe risi

I inauguruar nga Shën Pali VI në 1973, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor i Muzeut të Vatikanit numëron sot mbi 9500 vepra arti, nga të cilat 4000 në kartë: vizatime dhe printime nga mjeshtrit e kalibrit Joan Miró, Henri Matisse, Marc Chagall, Edvard Munch. Pjesë të ekspozuara nga koleksioni Thrivent përfshijnë vepra nga Pablo Picasso, Albrecht Dürer, Rembrandt van Rijn dhe Elizabeth Catlett. “Zakonisht i konsideruar si fushë për specialistët, arti grafik është observator i privilegjuar për të kuptuar rrugët shpesh të pazakonta të zgjedhura nga artistët në kërkim të metodave të reja shprehëse, formave të reja, simboleve të reja”, shpjegon Francesca Boschetti, në një intervistë për Vatican News.

Rembrandt van Rijn Davidi në lutje, 1652 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent
Rembrandt van Rijn Davidi në lutje, 1652 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent

“Kjo ekspozitë - vijon - lindi nga takimi. Pra një takim i punimeve grafike, vizatimeve, gravurave dhe printimeve që vijnë nga dy koleksione të ndryshme. Gjithashtu takim ndërmjet artistëve që, siç thotë edhe titulli, punuan dhe vepruan në shekuj të ndryshëm. Veprat e ekspozuara variojnë nga shekulli i 15-të, deri në shekullin e 21-të. Takim ndërmjet vizioneve të ndryshme mbi shenjtërinë. Veprat, që përzgjodhëm me Joanna Reiling Lindell, kanë tematikë të ngjashme, tregojnë sesi artistët e kohëve të ndryshme e shikojnë të kaluarën dhe frymëzohen nga tradita për ta rinovuar, për ta kapërcyer dhe për të propozuar vizione të reja, simbole të reja”.

Marc Chagall Crucifixion Grise, 1970 Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor
Marc Chagall Crucifixion Grise, 1970 Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor

Kjo është një ekspozitë që fton për zbulim. Pse?

 Sepse punimet në letër që ekspozojmë, për arsye konservimi, zakonisht duhet të qëndrojnë në errësirë, në dritën e zbehtë të magazinës. Janë vepra të brishta, kanë nevojë për trajtim të veçantë dhe për këtë arsye ekziston mundësia e zbulimit të tyre në çastin që ekspozohen. Kjo mund të ndodhë vetëm për periudha shumë të shkurtra, për t'i ruajtur ato për të ardhmen. E “Zbuluar” edhe sepse grafika është fushë që konsiderohet për specialistët, por në realitet ka shumë të papritura për të gjithë ata, që i afrohen. Është zonë që, veçanërisht qysh nga fillimi i shekullit të njëzetë, u përdor nga artistët si një lloj laboratori, vend ideal për të eksperimentuar me gjëra të reja dhe teknika grafike. Për të përmendur vetëm më të rëndësishmet: ksilografinë, gravurën, acquaforten, acqua tintën e, duke iu afruar litografisë në kohë, linoleum-grafinë. Janë të gjitha teknika që kërkojnë shumë angazhim nga ana e artistëve dhe njohuri të thella të materialeve dhe të kimisë, por që ofrojnë një gamë vërtet të pafund mundësish.

Barcelona 1893 – Palma de Mallorca 1983 “Per l’Aigua la germana che es molt útil i humil…”, 1975, Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor
Barcelona 1893 – Palma de Mallorca 1983 “Per l’Aigua la germana che es molt útil i humil…”, 1975, Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor

Artistët bashkëkohorë vazhdojnë të mësojnë teknika të lashta, duke i ripërdorë për të krijuar mundësi të reja gjuhësore, stilistike dhe shprehëse. “Zbulim” sepse publiku do të ketë mundësinë të shohë me sytë e tij se tradita është ende një pus, nga ku mund të nxirren ide që  shndërrohen në propozime të reja. Bashkëkohësit i nxjerrin kryeveprat pikërisht nga ky pus dhe nga artistët e së shkuarës. Krahasimi dhe dialogu që është krijuar mes veprave të ekspozuara, e vërteton këtë vitalitet të vazhdueshëm.

Edvard Munch Plaku duke u lutur (The Father Praying), 1902 Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor
Edvard Munch Plaku duke u lutur (The Father Praying), 1902 Qyteti i Vatikanit, Muzetë e Vatikanit, Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor

Bibla si referencë dhe frymëzim, bashkon artistë të së shkuarës dhe bashkëkohës...

Bashkëkohësit dhe madje edhe artistët e Rilindjes së shekullit të shtatëmbëdhjetë i shikojnë vazhdimisht Shkrimet e Shenjta. Shkrimet e Shenjta janë zemra që rreh fort në kraharorin e kësaj ekspozite. Për të shoqëruar vizitorin menduam ta strukturonim një udhëtim të ndarë në seksione, që hapet në qytet. Disa karta shumë të çmuara na lejojnë të futemi në sheshe të mëdha: para së gjithash Sheshi i Shën Pjetrit. Ndërtesat e shenjta dominojnë hapësirën e sheshit. Një printim i mrekullueshëm nga Piranesi është i rrethuar prej dy letrash nga Paul Klee dhe Lyonel Feininger. Më pas kalojmë në hapësira ku lutja është qendrore. Gjejmë dy kryevepra absolute: një gdhendje të Rembrandt, krahas së cilës një prerje druri e Munch na tregojnë se si artisti i dytë u frymëzua nga paraardhësi i tij, duke e transformuar atmosferën dhe duke ruajtur zemrën e asaj që ishte çasti i soditjes dhe i meditimit të subjektit të përfaqësuar. E pikërisht pranë lutjes, më në fund vjen interpretimi, mahnitja gjithnjë e larmishme dhe e ndryshme e Shkrimeve të Shenjta, duke nisur nga Zanafilla, nga krijimi i botës. Këtu shohim krah për krah vepra të Miró, francezit Dulac dhe holandezit Muller. E pastaj vazhdojmë me Shkrimet e Shenjta. Dhjata e Vjetër me imazhe të pakta, por të bukura: Pikaso, Otto Diksi, partnerja e Max Ernst, Dorothea Tanning. Pastaj hyjmë në episodet e jetës së Krishtit. E gjithë rruga kushtuar kësaj, e gjatë, komplekse dhe narrative, na krijon mundësinë të shijomë artistë shumë të largët nga njëri-tjetri, të cilët dialogojnë dhe tregojnë se si këto tekste janë frymëzuese dhe kalojnë nëpër shekuj. Pastaj kemi edhe çastet e ëmbla, në të cilat Virgjëra mban në krahët e saj Krishtin Fëmijë si dhe Pagëzimin e Krishtit. Më pas vjen çasti i hidhur i takimit me Pilatin, rrahja e Zotit me kamxhik, kryqëzimi, deri në zbritjen nga Kryqi e sidomos, deri në fund, tek Ngjallja. Në këtë seksion gjejmë artistë të kalibrit të Goltzius, Matisse, Dürer, Elizabeth Cutler e edhe të Luca di Leida, Sandra Boden, Chagall, Rouault, Dürer, Rembrandt, Marino Marini. Është me të vërtetë një begati vizionesh dhe prirjesh.

Albrecht Dürer The Four Horsemen of the Apocalypse, 1498 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent
Albrecht Dürer The Four Horsemen of the Apocalypse, 1498 Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent

Një seksion i kushtohet Apokalipsit…

Dy mjeshtër të mëdhenj përballë njëri-tjetrit: Albrecht Dürer-in me katër kalorësit e tij në gdhendjen madhështore, përkrah katër litografive të Rufino Tamayo, artist meksikan që jep një interpretim krejtësisht të ri: gjë që tregon se si shembulli i të lashtëve mbetet gjithnjë pikë referimi.

Eugene Delacroix Studim për një grup engjëjsh, sek. XIX Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent
Eugene Delacroix Studim për një grup engjëjsh, sek. XIX Minneapolis (MN), Koleksioni i Arteve Thrivent

A ofron ekspozita ndonjë mesazh? Duke menduar çfarë po ndodh me dramën e luftës, që karakterizon këto orë?

Është e kotë të nënvizojmë se si ky kapitull i parafundit ka lidhje me atë që po ndodh në botë dhe me atë, që na kujton se si arti ka gjithmonë lidhje kuptimore, vështrim të vëmendshëm dhe të pranishëm me çka na tregon realiteti, me çka mund të ndodhë dhe me çka po ndodh. Ne deshëm ta mbyllim këtë shtegtim në udhët e artit me dy vepra të bukura të Picasso-s dhe Braque-t, dy pëllumba paqeje që duam t'ia premtojnë të ardhmes së të gjithëve.

 

Për të gjitha imazhet e veprave nga Koleksioni i Arteve Thrivent në Minneapolis (MN): Foto mirësjelljeje të Thrivent".

22 prill 2024, 16:43