Kërko

Gjyshërit dhe nipërit, së bashku me Papën, me një përkëdhelje dhe një buzëqeshje

Takimi i 27 prillit i promovuar nga Fondacioni Età Grande u paraqit sot për mediat. Përfaqësues të dy brezave do të jenë të shtunën krah Françeskut, në sallën Pali VI, për të promovuar të moshuarit dhe rolin e tyre në botën e sotme

R.SH. – Vatikan

         Promovimi i dialogut ndërmjet brezave dhe vlerësimi i të moshuarve në sferën shoqërore e kulturore: ky është objektivi i manifestimit "Përkëdhelja dhe buzëqeshja", që do të zhvillohet të shtunën, më 27 prill, në sallën Pali VI, në Vatikan e ku do të marrin pjesë gjashtë mijë gjyshër, të moshuar, nipër, në praninë e Papës Françesku. Takimi, i paraqitur sot në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, promovohet nga Fondacioni Età Grande, i cili, i frymëzuar nga vlerat e krishtera dhe ungjillore, synon të garantojë të drejtat e të moshuarve dhe detyrat, që ata kanë në bashkësi.

Rizbulimi i trashëgimisë së të moshuarve

Nëpërmjet nismës, duam të japim një vizion të ri mbi pleqërinë, pohoi imzot Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetën. Ajo nuk është humbje, barrë, por pasuri e pashkëputur nga moshat e tjera të jetës. Duam që trashëgimia e të moshuarve të rizbulohet, duke ua dhënë fjalën gjyshërve dhe nipërve, ndërmjet të cilëve ka një harmoni të veçantë, një bashkëfajësi dhe një përmasë dashurie, që nuk ekziston ndërmjet brezave të tjerë. Të moshuarit duhet të kuptojnë se mund të japin ende shumë, shtoi prelati, i cili kujtoi se Papa, me një cikël prej nëntëmbëdhjetë katekezash, tregoi si të jetohet mosha e tretë dhe themeloi festën e gjyshërve, që vëmendja ndaj brezave më të vjetër të rritet në të gjitha kombet.

Imzot Vincenzo Paglia, Lino Banfi e Mario Marazziti
Imzot Vincenzo Paglia, Lino Banfi e Mario Marazziti

Veprimtaria e Fondacionit Età Grande

Takimi me Papën Françesku synon edhe të tërheqë vëmendjen ndaj veprimtarisë së Fondacionit Età Grande, i cili e vendos të moshuarin, me nevojat dhe dobësitë e tij, në qendër të reflektimit politik, për të sugjeruar ligje dhe ndërhyrje në favor të më të vjetërve, në aspektin e punës, të kulturës e të formimit, të shëndetit publik, të mbrojtjes ekonomike, të plakjes aktive dhe të përfshirjes sociale. “Përpiqemi ta humanizojmë botën me dashuri, që të shërohemi nga izolimi dhe vetmia”, deklaroi Mario Marazziti i Fondacionit Età Grande, duke shpjeguar se të shtunën, në sallën e Palit VI, imzot Paglia dhe aktori i mirënjohur italian Lino Banfi do të reflektojnë mbi marrëdhëniet ndërmjet gjyshërve dhe nipërve. Në veprimtari do të marrë pjesë edhe këngëtari Al Bano, si edhe kori i dioqezës së Romës, nën drejtimin e imzot Marco Frisina-s. Papa do të arrijë për të dëgjuar dëshmitë e tre të moshuarve dhe tre nipërve.

Dëshmia e Lino Banfit

Për gazetarët në Sallën e Shtypit, Lino Banfi foli për praninë e tij, në opinionin publik, si gjyshi i Italisë dhe i Europës, i cili shkon kudo për të vlerësuar moshën e tretë, edhe nëpërmjet miqësisë me Papën Françesku – “abuelo del mundo” ( gjyshi i botës), siç e quajti. Aktori deshi t’u lexojë gazetarëve një nga poezitë e tij, duke nënvizuar se “Ati i Shenjtë, besoj se e bën çdo mëngjes, na ndihmon të lutemi për Ukrainën e torturuar. Edhe për Izraelin e Palestinën. Të gjithë ne, sot, së bashku me Papën Françesku, që është gjyshi i botës, duke shtrënguar duart, gjyshërit, nipërit, do të bëjmë një xhirotondo. Natyrisht, nuk është me këtë gjest që çdo luftë do të përfundojë, por sigurisht që për diçka të mirë do të shërbejë”.

22 prill 2024, 17:23