Kërko

Lunedì dell'Angelo Pasqua Lunedì dell'Angelo Pasqua

Domethënien e fjalës “Engjëll” për ne sot

Ungjilltarët pohojnë që, kur gratë shkuan te varri i Jezusit dhe e gjetën të zbrazët, qe një Engjëll që u kumtoi se Jezusi qe Ngjallur. Në Mateun ky lajmëtar u thotë: “Ju mos u trembuni! U ngjall sikurse tha”; këndej e tregon varrin e zbrazët dhe i ngarkon t’’ia sjellin kumtimin dishepujve. Në Markun engjëlli përshkruhet si ““një i ri, i veshur me petk të bardhë”, që u jap grave po të njëjtin mesazh. Luka flet për “dy njerëz me petka të bardha”, Gjon flet për “dy engjëj me petka të bardha”

R.SH. / Vatikan

Vijon kumtimi i Ngjalljes së Krishtit. Kremtimi i Pashkëve liturgjikisht zgjatet gjithë javën, këtë javë, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë edhe të hënën pas Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit.

Pra nga ana liturgjike, vijon kumtimi i Ngjalljes së Krishtit, që këtë herë vjen nga Engjëlli, i cili u duket grave për t'ua kumtuar Ngjalljen e Jezu Krishtit, e prej këndej dita merr emrin e Hëna e Engjëllit. Në dritën e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit, siç dihet, e Hëna pas së Dielës së Ngjalljes tradicionalisht quhet e “Hëna e Engjëllit”. Është shumë interesante të thellohet ky referim ndaj “Engjëllit”.

Natyrisht mendimi menjëherë shkon te tregimet ungjillore të Ngjalljes së Jezusit, në të cilat tregime paraqitet figura e një lajmëtari të Zotit. Shën Mateu shkruan: “ Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe u ul mbi te. Fytyra e tij ishte porsi vetëtima e petkat e tij bardhë porsi bora” (Mt 28,2-3).

Të gjithë Ungjilltarët, pastaj, saktësojnë që, kur gratë shkuan te varri dhe e gjetën të hapur e të zbrazët, qe një engjëll që u kumtoi atyre se Jezusi ishte ngjallur. Në Mateun ky lajmëtar i Zotit u thotë atyre: “Ju mos u trembuni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar! Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse tha” (Mt 28,5-6); këndej e tregon varrin e zbrazët dhe i ngarkon t’’ia sjellin kumtimin dishepujve. Në Markun engjëlli përshkruhet porsi “një i ri, i veshur me petk  të bardhë”, që u jap grave po të njëjtin mesazh (Mk 16,5-6). Luka flet për “dy njerëz me petka të bardha”, që u kujtojnë grave se si  Jezusi pati paralajmëruar shumë më parë vdekjen dhe ngjalljen e tij (krh. Lk 24,4-7). Edhe Gjon flet për “dy engjëj me petka të bardha”; është Maria nga Magdala ajo që i sheh, derisa po qante afër varrit, e ata i thonë: “Grua, pse qan?” (Gjn 20,11-13).

Mirëpo Engjëlli i ringjalljes ta kujton edhe një tjetër domethënie. Duhet të kujtojmë, e vërtet, fjala “engjëll” përveç që përcakton Engjëjt, krijesat shpirtërore të pajisur me inteligjencë e vullnet, shërbëtorë e lajmëtarë të Hyjit, është edhe një ndër titujt më të lashtë që i vihet vet Jezusit. Lexojmë për shembull në Tertulianin: “Ai - do të thotë Krishtit - u quajt edhe “engjëll i këshillit”, do të thotë lajmëtar, që është fjalë që përcakton detyrën, jo natyrën. Në të vërtet, ai duhej t’i kumtonte botës planin e madh të Atit për rimëkëmbjen e njeriut” ( De carne Christi, 14). Kështu shkrimtari i lashtë i krishterë.

Krishtit Ngjallur përuron një jetë të re

Jezu Krishti, Bir i Hyjit, pra, quhet edhe Engjëlli i Hyjit Atë: Ai është Lajmëtari i dashurisë së tij. Të mendojmë tani mbi atë që Jezusi i Ngjall u tha Apostujve: “Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjn 20,21); e u dha atyre Shpirtin e tij të Shenjt. Kjo do të thotë se, ashtu siç Jezusi ishte lajmëtar i dashurisë së Hyjit Atë, edhe ne duhet të jemi lajmëtarë të dashurisë së Krishtit: të jemi lajmëtarë të ngjalljes së tij, të fitores së tij mbi të keqen e mbi vdekjen, bartës të dashurisë së tij hyjnore. Është qartë se në saje të natyrës mbesim burra e gra, por e marrin misionin si “engjëj”, si lajmëtarë të Krishtit: kjo u dhurohet gjithëve në  Sakramentin e Pagëzimit dhe në Krezmimit.

Kështu e Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen: misteri i Krishtit Ngjallur përuron një jetë plotësisht të re. Krishti Gjallë na nxit ta përhapim Ungjillin e Jetës në realitetin e jetës së përditshme. Prandaj edhe një herë të gjithëve e secilit i bëjmë urimet tona për këtë të Hëne të Engjëllit të ringjalljes, në cilën jehon me forcë kumtimi i gëzueshëm i Pashkëve: Krishti u Ngjall, vërtet u Ngjall! Aleluja.

01 prill 2024, 12:35