Kërko

150-vjetori i Guglielmo Marconi-t: restaurohet Transmetuesi Vatikanas

Me rastin e përvjetorit të lindjes së shpikësit të radios, fituesit të Çmimit Nobel për fizikën dhe krijuesit të Radio Vatikanit, në emër të Piut XI, Selia e Shenjtë zbulon fytyrën e re të ndërtesës së ngritur në vitin 1929 për të strehuar "Radion e Papës”. Qendra transmetuese, muzeu historik, laboratori dhe një sallë e re konferencash, për t'i krijuar vazhdimësi dhe të ardhme transmetuesit, që çon mesazhin e Kishës në botë.

R. SH. - Vatikan

Guglielmo Marconi, ashtu si Papa Piu, që pas lindjes së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, thirri shpikësin e telegrafit pa tela, Çmim Nobel në fizikë, për ta ndërtuar Radio Vatikanin, e kishte një vizion e nuk kishte frikë t’i rrokte teknologjitë e reja e edhe ata, që mund të ishin të nevojshme “për Kishën dhe për ungjillizimin". Lidhur me këtë - përsëriti imzot Paul Richard Gallagher në ditën kur Vatikani përkujtonte 150-vjetorin e lindjes së shpikësit italian - "Radio Vatikani është një nga sukseset më të mëdha të Selisë së Shenjtë në këtë shekull”.

Çast historik në dialogun ndërmjet shkencës dhe fesë

 Vendi i zgjedhur për të përkujtuar këtë përvjetor, ishte hapësira përballë transmetuesit të Vatikanit, brenda Mureve Leonine, projektuar dhe ndërtuar nga Marconi në vitin 1929 dhe seli e parë e "Radios së Papës". Një godinë, ku u përurua këto ditë përfundimi i punimeve restauruese, të nisura në vitin 2017, “çast historik në dialogun e mundshëm ndërmjet shkencës e fesë”, nënvizoi Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit për komunikimin. Vend që dëshmon edhe "sesi mund të përdoret teknologjia për qëllime fisnike dhe shpirtërore" ose "për të kultivuar fjalë paqeje në një botë, që me sa duket, nuk është e aftë t'i shqiptojë". Tregon - shpjegoi Ruffini - "se Radio Vatikani ishte dhe është ende urë lidhëse ndërmjet Papës dhe miliona besimtarëve, duke e përhapur mesazhin e Kishës në çdo skaj të Tokës e duke e bërë të dukshme lidhjen e ngushtë, që na bashkon". E dëshmojnë përvoja të tilla, si ato të Atit misionar Pier Luigi Maccalli, i rrëmbyer në Niger, i cili në valët e Radio Vatikanit gjeti ngushëllimin e atij Ungjilli, që në ato çaste të vështira nuk e kishte në dorë.

Marconi: pak fjalë dhe shumë fakte

Ndërtesa në të cilën Papa foli me mikrofon për herë të parë më 12 shkurt 1931 - vazhdoi Ruffini – “na nxit të përfytyrojmë në epokën dixhitale, mënyra të reja për të realizuar një projekt komunikimi të bazuar mbi bashkimin”. E këtë mund ta bëjmë “konkretisht, duke endur, falë teknologjive të reja, një rrjet që nuk kënaqet me lidhjen, por kërkon ndarje, duke e përkthyer mesazhin ungjillor në botën e multimedias, pa i shlyer historitë dhe kulturat e çdo vendi; duke ofruar rrjetin tonë si vend takimi të vërtetë ndërmjet njerëzve, duke qenë dëshmitarë të një mënyre të re të të jetuarit të kohës sonë, duke e humanizuar teknologjinë, duke e bazuar mbi dhuratën, më shumë se mbi konsumin, mbi dhurimin, sesa mbi çmimin, mbi ndarjen e përbashkët, sesa mbi ambicien hegjemoniste, mbi bashkimin si ilaç kundër ambicies për ta ndarë veten nga të tjerët dhe më pas për t'u imponuar duke i bërë ata uniformë". Shembull për këtë është pikërisht Guglielmo Marconi, shkencëtari i madh, që përfytyronte kufij të rinj, hap pas hapi, nga telegrafi - në radio: "me pak fjalë dhe shumë fakte", siç shkruante Albino Luciani përpara se të bëhej Papë në një dialog imagjinar me Atin e radios, përmbledhur në librin Illustrissimi-“Të Përndriturit”.

Të mbrosh paqen, do të thotë të  bësh të mirën

 Që kur Papa iu drejtua gjithësisë në latinisht - nënvizoi Massimiliano Menichetti, kreu i Vatikanit Radio-Vatican News, - Radioja, "duke u shërbyer tetë papëve" në më shumë se pesëdhjetë gjuhë, ka pasur shumë sfida humanitare dhe teknologjike: "Vënien në kontakt me të burgosurit ose të zhdukurit gjatë Luftës II Botërore ose përhapjen e fjalës së Zotit në shumë vende, ku ishte e ndaluar gjatë nga totalitarizmi, ndjekjen e Koncilit, të të gjitha fakteve të doktrinës sociale të Kishës, transmetimin e udhëtimeve të papëve, ndërtimin e urave, kudo e kurdo, pa lënë askënd vetëm gjatë pandemisë Covid-19 ose në konfliktet e fundit si në Siri, Sudanin e Jugut, Ukrainë, Lindjen e Mesme. Gjithmonë në kërkim të mënyrave për të mbrojtur paqen, bashkimin, për të dëshmuar të mirën, duke përtërirë kështu ndjenjën e misionit që i është besuar - dhe ndjenjën e punës dhe të shpikjes së Marconit".

Ndaj pas kaq vitesh, vijon të ushtojë në të katër anët e botës, falënderimi  “shkencëtarit të madh, fenerit të brezave të të gjitha kohërave, i cili i krijoi Kishës mundësinë të banojë në botën e valëve dhe, me intuitën dhe studimin e tij, vazhdon t’i prijë në të ardhmen”.

29 prill 2024, 10:03