Kërko

Vepër e re e Maupal mbi Mesazhin papnor të Krezhmëve Vepër e re e Maupal mbi Mesazhin papnor të Krezhmëve

Drejt së mirës së përbashkët, vepër e re e Maupal mbi Mesazhin papnor të Krezhmëve

Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor publikon ilustrimin e ri të artistit të njohur të rrugës, veprat e të cilit po shoqërojnë fjalët e Françeskut gjatë rrugëtimit të Krezhmëve

R.SH. – Vatikan

"Krezhmët të jenë kohë për vendime komunitare, për vendime të vogla e të mëdha, që shkojnë kundër rrymës". Kjo është fraza e Mesazhit të Papës Françesku për Krezhmët 2024, që shoqëron ilustrimin e ri të artistit të rrugës Maupal, pseudonim i Mauro Pallotta. Vepra publikohet nga Dikasteri për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe i kushtohet pikërisht dokumentit papnor, botuar më 1 shkurtin e kaluar. Është ilustrimi i gjashtë i artistit të njohur, i famshëm për pikturat murale kushtuar Papës në rrethinat e Vatikanit. Në posterin e ri shohim Papën, të ndjekur nga tre të rinj, duke pedaluar me biçikletë në rrugën, që çon drejt “së mirës së përbashkët” e duke lënë pas shpine rrugën e “përfitimit”.

Mesazhi i Papës për Krezhmët e këtij viti ka si temë: "Nëpër shkretëtirë, Zoti na prin drejt lirisë". Frymëzohet nga një fragment i Librit të Daljes: "Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë” (Dal 20,2).

Pikërisht liria është tema qendrore e veprave të Maupal. "Eksodi krezhmor - shpjegon në një notë të shkurtër Dikasteri i udhëhequr nga kardinali Michael Czerny - na ndihmon të çlirohemi nga skllavëria. Zoti e mbështet shpresën tonë - përmes një rrugëtimi kishtar, komunitar dhe personal kthese - për të na çuar drejt tokës, që Ai dëshiron të na japë".

18 mars 2024, 11:20