Kërko

Biblioteka Apostolike e Vatikanit: gartë e para akademike në Vatikan, nga 1929 e më tej. Fotografi e vitit 1936 Biblioteka Apostolike e Vatikanit: gartë e para akademike në Vatikan, nga 1929 e më tej. Fotografi e vitit 1936

Vatikan: 95-vjetori i punonjëseve të para me diplomë universitare

Në vitin 1929, Biblioteka Apostolike e Vatikanit punësoi një grup të rejash me shkollë të lartë, për herë të parë në Shtet-Qytetin e Vatikanit. Përvoja e tyre qe pozitive, por projekti përfundoi 12 vite më vonë, për shkak të Luftës II Botërore. Sot, mbi 50 për qind e personelit të Bibliotekës së Vatikanit janë gra, shumë prej të cilave mbajnë poste drejtuese

R.SH. – Vatikan

Filloi gjithçka me një udhëtim në Amerikë në vitin 1927. Për gati tre muaj, Át Eugène Tisserant (akoma përpara se të bëhej kryeipeshkëv e kardinal) shkoi në bibliotekat më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara. Jo për të lexuar, megjithëse do t’i pëlqente shumë. Meshtari dhe orientalisti francez, i ngarkuar me administrimin e dorëshkrimeve orientale në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, me interes të madh për risi, u përpoq të mësonte nga praktikat bibliotekare në Amerikën e Veriut.

Tisserant u kthye me një plan për Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, që i kushtonte vëmendje më të madhe përdoruesit: donte një katalog, një shërbim referimi, një proces të thjeshtë për kërkimin e librave, magazinimin e mirë të tyre dhe një sallë të madhe për lexim. Pa harruar hapësirën e sigurt për librat dhe dorëshkrimet e rralla. Tisserant dëshironte ta çonte Bibliotekën e Vatikanit në lartësinë e epokës moderne.

Gratë si bibliotekare: SHBA-ja ishte përpara

Meshtari vërejti praninë e grave të arsimuara në bibliotekat e Amerikës, gjë e paparë në Vatikan. Por viti 1929 do të ndryshonte shumë gjëra. Traktatet e Lateranit i garantonin Papës pavarësinë territoriale nga Italia, duke sjellë një sërë ndërtimesh të reja dhe një fluks inovacioni, që nuk shihej në Vatikan që nga koha e Rilindjes. Risitë mbështeteshin nga Papa studiues Piu XI; Achille Ratti pati qenë vetë Prefekt i Bibliotekës së Vatikanit në rini të tij. Ishte pikërisht ai, që tha “po” për “zonjushat” e para – siç u quajtën - në bibliotekën e tij, që tashmë kishte hyrë në procesin e modernizimit. Akademikja e parë femër, që u punësua në Vatikan, ishte studiuesja franceze e Mesjetës, Jeanne Odier, në tetor 1929. Punësimi i grave vazhdoi deri sa u arrit në 24 femra, që punuan për katalogun e dorëshkrimeve. Shumica prej tyre, me diplomë nga Universiteti i Romës, La Sapienza, por disa edhe nga Shkolla e Shkencave të Bibliotekës së Vatikanit, të cilën Papa Piu XI e hapi më 1934. Financimi erdhi nga SHBA-të. Koleksioni më i madh i dorëshkrimeve në botë ishte në duart e këtyre grave, eksperte në fushën e dorëshkrimeve dhe të paleografisë.

Një brez i ri grash në shërbim të Kishës

Dy dyzinat e “zonjushave” në Bibliotekën e Vatikanit nuk kishin kontratë të përhershme, punonin me orë. Gjithashtu, nuk ishin as "gratë e para të punësuara në Vatikan": sipas analeve të Vatikanit, ky post i përket rrobaqepëses Anna Pezzoli, në vitin 1915. Dihet edhe se murgeshat drejtonin punishten për restaurimin e sixhadeve të Muzeve të Vatikanit, që nga viti 1920.

Megjithatë, Jeanne Odier dhe koleget e saj ishin femrat e para me gradë akademike në shtetin papnor. Ato përfaqësonin një brez të ri grash në shërbim të Kishës dhe shembulli i tyre u përhap shpejt. Pesë vjet më vonë, arkeologia gjermano-hebreje Hermine Speier filloi shërbimin e saj si fotobibliotekare në Muzetë e Vatikanit, fillimisht si "punonjëse e jashtme", pavarësisht nga kualifikimi i saj. Ndryshe nga koleget e saj të Bibliotekës, Hermine Speier punoi mjaftueshëm për të nënshkruar një kontratë të përhershme me të drejtë pensioni në Vatikan, duke u bërë gruaja e parë, që e fitoi këtë të drejtë, më 1964.

Epoka e femrave të para me shkollë të lartë në Vatikan mori fund në vitin 1941. Ndryshimi i Papës, por sidomos Lufta II Botërore luajti rol të dukshëm për këtë. Komunikimi me SHBA-të u ndërpre dhe përparësitë në Vatikan e në fondacionin amerikan, që mbështeste projektin, ishin të tjera.

Sot, Biblioteka e Vatikanit ka rreth 100 punonjës, prej të cilëve më se gjysma janë gra. Ato drejtojnë edhe shumicën e departamenteve. Emërimi i femrave të para akademike në Vatikan, në kohën e modernizimit të bibliotekës, 95 vjet më parë, ishte vetëm fillimi.

08 mars 2024, 12:16