Takim në Bibliotekën e Vatikanit për ruajtjen dixhitale
R.SH. / Vatikan
Sot, në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit mbahet e para nga tri ditët (22-24 mars) e një kursi ndërkombëtar, organizuar nga rrjeti më i rëndësishëm i bibliotekave, pjesë e të cilit është: IFLA (Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave). Qëllimi i kursit është të krijojë mundësi për zhvillimin profesional dhe rrjetëzimin e kualifikuar.
Dita e parë e këtij kursit të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave mbahet pranë Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave (IFLA), është organizata më e rëndësishme bibliotekare, në të cilën bën pjesë edhe BAV (Biblioteka Apostolike e Vatikanit). Gjatë këtij kursi disa ditor do të ketë edhe një qendër për kërkimin dhe praktikat e qëndrueshmërisë dhe ripërdorimin e koleksioneve dixhitale. Prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, don Mauro Mantovani pohon se: "IA (Inteligjenca artificiale), për të cilën kemi edhe projekte interesante, duhet të udhëhiqet gjithmonë nga dituria njerëzore në kërkim të së mirës, të së vërtetës dhe të së bukurës".
Ballafaqim ndërkombëtar
“Takohen drejtuesit e bibliotekave dhe të federatave bibliotekare nga mbarë bota, për të verifikuar së bashku dhe për të shkëmbyer përvojën lidhur me mbledhjen, ruajtjen dhe vënien në dispozicion të trashëgimisë së librit, e cila po rritet me kalimin e viteve”, thekson prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit (BAV), Don Mauro Mantovani.
Dita e parë do t'i kushtohet kryesisht sfidave për ruajtjen dixhitale, me fokus kërkimin dhe praktikat aktuale mbi qëndrueshmërinë dhe ripërdorimin e koleksioneve dixhitale; në veçanti, projektit afatgjatë të ruajtjes dixhitale të Bibliotekës së Vatikanit.