Kërko

Shërbëtori i Zotit Atё Luigji Paliq, martir Shërbëtori i Zotit Atё Luigji Paliq, martir

Shërbëtori i Zotit Atё Luigji Paliq, martir, nё pёrvjetorin e vrasjes

Mё 7 mars kujtojmё martirizimin e Atё Luigj Paliqit, françeskan e martir. Bari i mirë, inteligjent dhe largpamës, i dashuruar pas Krishtit e popullit tё tij, Shërbëtori i Hyjit Atë Luigji ishte i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. I durueshëm, kurajoz dhe i gatshëm për sakrific. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë.

R.SH. - Vatikan

Mё 7 mars kujtojmё 111 vjetorin e martirizimit të Atё Luigj Paliqit, françeskan, intelektual dhe largpamës, i dashuruar pas Krishtit e popullit tё tij. Mbi figurёn e kёtij martiri, tё ndjekim dom Gjovanin Kokona:

Tё ndjekim dom Gjovanin Kokona

Historia e martirizimit të shërbëtorit të Hyjit Atë Luigji Paliq, i Urdhrit të Fretërve Minorë, është një tregues se si njerëzit jo rrallë herë tentojnë të përdorin fenë për të arritur qëllime të tyre njerëzore që me fenë e besimin nuk kanë shumë të bëjnë. Ishte një frat françeskan i dashuruar pas Krishtit e Kishës, gjithashtu i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë. Ai ishte një bari i palodhshëm. Ishte inteligjent dhe largpamës. Te çdo person shihte një vëlla në Krishtin. Plot me virtyte siç ishte nuk u kursye për të mbrojtur e ruajtur popullin e vet nga kanosjet dhe shtrëngimet e atyre që donin t’ia kushtëzonin lirinë e besimit.

Atë Luigji lindi në Janjevë të Kosovës më 20 shkurt 1877 nga prindërit Toma dhe Paulina. U pagëzua me emrin Mate si apostulli shën Matia. Dëshmia e krishterë e prindërve të tij e ndihmoi dhe e forcoi në edukimin dhe rritjen e tij në fe, po nga prindërit ushqeu edhe devocionin e thellë për shën Antonin e Padovës. Është falë kësaj ndihmese të prindërve që do të lindë e do të zhvillohet thirrja e tij për të ndjekur Krishtin sipas modelit të shën Françeskut të Asizit, thirrje që ishte paraprirë nga ajo e të vëllait më të madh i cili përpara Mates [Atë Luigji] kishte hyrë në urdhrin françeskan e më vonë si i tillë do të quhet patër Engjëlli. Pra Mate, apo Matia, duke e ndier fuqishëm thirrjen për ta ndjekur Krishtin në Urdhrin e Fretërve Minorë, në moshën 17 vjeç, kërkon të pranohet ndër bijtë e shën Françeskut.

Fillon noviciatin në Troshan më 23 shtator 1896 e që nga ai moment do të marrë emrin Luigji, pasi e kishte prekur jeta e shën Luigji Gonzagës. Pas përfundimit të studimeve filozofike teologjike dhe pas bërjes së kushteve solemne, u shugurua meshtar më 20 prill 1903. Kthehet në vendlindje, ku do të jetë për një periudhë jo të gjatë në Shkodër si dhe në Baz të Mirditës. Më pas veprimi i tij baritor do të përqendrohet në Pejë dhe në Gllogjan (Rrafshi i Dukagjinit). Në vitin 1907 iu besua edhe përgjegjësia e shenjtërores së shën Antonit në Gjakovë, detyrë që e mbajti deri më 1910. Më pas u përqendrua në Pejë, ku ishte famullitar i vëllai, atë Engjëlli, duke u kujdesur për fshatin e Gllogjanit. Në Gllogjan arqipeshkvi Mjedja kishte blerë një terren për ndërtimin e kishës dhe atë Luigji u kujdesua, përveç aspektit baritor, edhe me atë të mbledhjes së materialeve të ndërtimit për kishën e re që parashikohej të ndërtohej aty.

Ata që e kanë njohur, dëshmojnë se atë Luigji me të vërtetë i përngjante shën Luigjit. Karakteristikat e tij na nxjerrin në dukje një atë Luigj të durueshëm, kurajoz dhe i gatshëm për sakrificë. Kishte një shikim të vendosur e të drejtë. Ata sytë e tij ishin si dy drita-fenerë në ballë. Ishte fjalëpakë, por shumë komunikativ dhe përfshirës. Siç e përcakton prof. Zekeria Cana: “Ishte kaq i vendosur, sa mund t’ia vrisje trupin por jo shpirtin”.

Ishte një frat françeskan i dashuruar pas Krishtit e Kishës, gjithashtu i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë. Ai ishte një bari i palodhshëm. Ishte inteligjent dhe largpamës. Te çdo person shihte një vëlla në Krishtin. Plot me virtyte siç ishte nuk u kursye për të mbrojtur e ruajtur popullin e vet nga kanosjet dhe shtrëngimet e atyre që donin t’ia kushtëzonin lirinë e besimit.

Vitet 1912-1913 janë vite mjaft delikate në aspektin politik, pasi malazezët në përpjekjet për të aneksuar Kosovën mundohen, me joshje e me kërcënime, t’i bëjnë shqiptarët të kthehen në ortodoksi. E patër Luigjit i duhet të punojë pikërisht në një situatë të tillë. I shtyrë nga besimi i tij i thellë dhe nga përgjegjësia e misionit meshtarak, mbrojtja e lirisë së besimit e, si rrjedhojë, ajo e të drejtave njerëzore ishin për të një gjë e vetme. Prandaj nuk u ndal përpara kërcënimeve të ndryshme, për t’i mbështetur katolikët dhe myslimanët që të mos e mohonin besimin e tyre përkatës. Situata ishte mjaft e nderë. Edhe arqipeshkvi Mjedja në një letër të gjatë Prefektit të Propaganda Fide-s në Vatikan, i përshkruan me dhimbje mizoritë që po bëheshin mbi popullsinë shqiptare nga ana e serbo-malazezëve. Atë Luigj Paliqi me qëndresën e tij të vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku spikat ajo e lirisë së ndërgjegjes dhe besimit, u bë një pengesë e pathyeshme për serbo-malazezët. Me gjithë vështirësitë, atë Luigji nuk zmbrapsej.

Ja si dëshmon Ndue Mark Gera, që e takoi atë Luigjin pak ditë para arrestimit në shtëpinë e Uk Gjonit në Gllogjan: “e këshillova të merrte tre katër burra e ta shoqëronin deri në Shkodër. Atë Luigji me një shprehje fytyre rrezatuese refuzoi kategorikisht. Për krishterimin e për vendim tim do të bëhem kurban, fli, e do ti mbroj këto të drejta deri në vdekje”.
Autoritetet serbo-malazeze tashmë ishin të vendosura për ta eliminuar këtë pengesë serioze të planit të tyre e për këtë shfrytëzuan periudhën shkurt-mars 1913, ku nën pretekstin e kontrolleve për grumbullimin e armëve kishin filluar një seri torturash e mundimesh kundër popullsisë shqiptare, edhe pse këta nën nxitjen e atë Luigjit i kishin dorëzuar armët. Atëherë atë Luigji vendos të shkojë në Pejë për t’u ankuar mbi keqtrajtimet ndaj popullsisë së pafajshme. E në vend që të dëgjohej fjala e tij aty, në Pejë, atë ditë, 4 mars 1913, arrestohet menjëherë. Autoritetet shpresojnë se kështu do të detyrohet të mohojë fenë dhe të ndahet nga Kisha Katolike dhe Vatikani, duke kaluar në ortodoksi. Po ta bënte ai, do të ishte më e lehtë të detyroheshin besimtarët e tjerë. Por nuk ia arritën.

E dërguan në Gjakovë. Aty egërsisht e morën në pyetje dhe e keqtrajtuan, por atë Luigji u përgjigjej: “Jam në shërbim të Jezu Krishtit dhe të Papës”. Atëherë në Gjakovë, pas dy ditësh, ia hoqën zhgunin dhe sandalet dhe, pasi e lidhën me tel me gati 52 të burgosur të tjerë, dy nga dy, e nisën bashkë me të tjerët ashtu të lidhur e në këmbë për në Pejë. Gjatë rrugës ushtarët shpesh i binin me kondakun e pushkës ose e shtynin me bajonetë. Nga plagët mezi arrinte të ecte.

Duke e parë gjendjen e tij dhe faktin se me gjithë këto vuajtje e tortura nuk kthehej nga bindja e tij e besimi i tij, atëherë ushtarët e larguan disa metra nga rruga dhe në afërsi të fshatit Janosh e vranë me 4 plumba pas shpine dhe aty shpejt e shpejt e mbuluan me pak dhe. Ishte vetëm 36 vjeç. Por ngjarja nuk mbeti e fshehur. Një fshatar, Smail Sadria, shkoi dhe lajmëroi famullitarin e zonës, dom Shtjefën Krasniqin e ky fretërit në Gjakovë. Menjëherë këta lajmëruan arqipeshkvin Lazër Mjedjën dhe delegacionet e qeverive të huaja të pranishme në Prizren: konsullatën austro-hungareze, franceze dhe italiane. Këta kërkuan një autopsi të dytë dhe në vazhdim e detyruan qeverinë malazeze të autorizonte transferimin e trupit për varrimin jashtë kufijve të territoreve të pushtuara nga malazezët, të vendosej një kryq përkujtimor në vendin e vrasjes në Janosh dhe të ndërtohej një kishë në Gllogjan si një riparim ndaj këtij akti të lig.

Ndërkohë, jehona e vrasjes së padrejtë të atë Paliqit u përhap gjerësisht dhe bindja që ai vdiq si një martir i vërtetë i fesë dhe i Krishtit erdhi e u forcua. Kur trupi i tij u mor nga Janosh për t’u transferuar më 15 korrik në Zym, u gjet i paprishur dhe pa shenja dekompozimi, si edhe nuk vinte erë të keqe. Besimtarët e shumtë të mbledhur në Gjakovë, ku u vendos fillimisht para transferimit për në Zym, e lusnin për të fituar hire. Edhe në ditët e sotme, qoftë në Zym, ku është i varrosur, qoftë në Janosh, në vendin e vrasjes, besimtarët shkojnë të luten e të kërkojnë ndërmjetësimin e tij. Dëshmia që na jep Rexhep Sla, i besimit mysliman, na tregon se atë Paliqi gjithçka bëri, e bëri për dashurinë ndaj Krishtit.
Ja si tregon ai: “nga Gjakova në Janosh isha i lidhur krah për krah me Atë Paliq … E munduan shumë gjatë rrugës e ishte i lodhur, i munduar e i gjakosur. E shkëputën nga grupi për ta vrarë afër rrugës. Ndërsa ishin gati për ta vrarë, Atë Luigji për tre herë thirri me zë të lartë: “Gjithçka të jetë për dashuri të Krishtit!”.

Atë Gjergj Fishta kompozoi një poezi për atë Paliqin për të kujtuar heroizmin e tij të krishterë. Vërtet se ushtarët arritën të vrasin trupin e tij në atë moshë të re, por nuk bënë gjë tjetër përveçse e rritën fuqishëm personalitetin moral të tij që gjeti te të gjithë, të krishterë e myslimanë, edhe sot e kësaj e dite, bindjen e gjallë e të fuqishme se atë Paliqi, duke kaluar nëpër vuajtjet e mëdha, arriti të marrë palmën e fitores e të lavdit si martir besnik i Krishtit dhe i Kishës së Tij, besnikëri që e shprehu në dashurinë ndaj popullit të Tij.

Lutja për kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

O Zot, Atë i mirë dhe i mëshirshëm,
me shembullin e ndritshëm të Krishtit,
Birit Tënd të kryqëzuar,
që vdiq dhe u ringjall,
e mbështete në trojet shqiptare
meshtarin tënd Atë Luigj Paliq,
të Urdhërit të Fretërve Minorë,
për të dëshmuar besnikërinë
ndaj Ungjillit dhe Kishës,
në vuajtje dhe në martirizim.
Po të lutemi ta lumnosh edhe në tokë
duke na dhënë hirin që po ta kërkojmë,
ndërsa i porositemi ndërmjetësimit të tij…
(kërkohet hiri).
Shembulli i tij heroik le të na frymëzojë,
që të angazhohemi për t’u rritur në fe,
që Jezu Krishti të jetë qendra e vetme
e jetës sonë. Amen.

Atë Gjergj Fishta: Mbi vorr t’ A. Alois Paliq, ofm

Me 7 marc 1913 ushtrija malazeze mbytëte në Janosh (afër Gjakovet) mizorisht françeskanin A. Luigj Paliq, vetëm pse, si meshtar katolik e shqyptar i njimendtë, nuk mujt me pëlqye mizoritë, qi Sllavët bajshin mbi grigjë të tij, as pse s’dijti zemra e dhimbëshme e tij me mshehë mjerimin qi ndiete, kah shihte se n’ato vise thjesht shqyptare, kamba e anmikut mâ të madhit të kombit lête gjurmët e veta shkretnuese. (Shih “Hylli i Dritёs” Marc 1914).
Në rasën e kryevjetorit Poeti, me këte vjershë përkujton vrasjen mizore të këtij dëshmori, tue lypë prej Hyjit, qi të gjikojë mbi dhunë të bame Shqypnisë. Kjo u botue në “H.i D.”, marc 1914.


1. Barbarët... e mbyten! E pra
Ky ‘i dhunë kurrkuj s’ia bani;
Nuk bâni kand me kja:
Per t’keq s’i duel kurr zani;
Per Atme e shejten Fé
Punoi me t’drejtë m’ket dhé.

2. I vorfni pa prind mbetun,
Qi kjan, per bukë i mjeri,
Te ky shujtën pat gjetun;
Ky lott prej sysh i a teri,
S’e la nen dhunë me fshâ
E át e mâmë iu bâ.

3. Pse pra me e mbytë?...Trathtari,
E gjaksi e i patenzoni
E i trishtueshmi kursari,
Qi s’njeh se shk’âsht zakoni,
Kah t’duen ata po mbajn:
Pse kshtu me e mbytë t’pafaj’n?...

4. Por, po; per shka të prujtun
Isht’ ky n’dy faje zhye,
Qi ndryshej nuk ka mujtun
Veç se me gjak me i shkmbye:
Shqypnin dote t’lirueme,
E Fén s’ndrrote t’bekueme.

5. E per ket punë mizori,
Ushtari i Malit t’Zi
Qi mshrirë s’i njeh krahnori
Heshten i a nguli n’gji,
Edhe me tê të ngratit
Zemrën shporoi ai Fratit.

6. U rrzue sherbtori i Zotit
—Heu! Si nuk plasi djerri!
E syt per t’gjatë të motit
Ndermjet anmiqve i erri:
Gjaku prej varrvet t’ngrata
Gurglloi mbi buca t’thata.

7. O Perëndi i amshuem,
A thue tu’ i vue kjé trollin
Ndo’i rruzlli mâ t’lumnueshëm
Qi per nen qiellë mund t’ndollin
Kso punësh mbi ftyrë t’ksaj bote,
Pa shkrepun mnija Jote?

8. Qe shkjau, harlisë krenijet,
Meshtarët âsht tue t’i mbytun;
Lterët t’u, seli hyjnijet,
Me gjak âsht tue t’i zhytun:
E rrfeja e Jote kisha
Por rrzon, e veç çan pisha!

9. As gjaku, pra i Meshtarëvet
As gurt e letervet t’ue
S’mund reshkan mshrirë Shqyptarëvet
Nuk mujtkan mnin me t’ zgjue?
E fatin e Shqypnís
E lankan n’dorë t’shkjenís?...

10. O e mjera, moj e mjera
Shqypni, se keq ké ngelun!
Se mirë, moj ty t’thau vera,
Qysh se shkjau âsht tue t’shkelun
E tue t’poshtnue pa dhimë,
Tue t’lanun n’vaj e n’brimë.

11. T’kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’djegë e tue t’shkrumue
T’kanë damun copa-copa,
Si t’ishe pa zot lshue,
E shk’âsht mâ fort per t’kja,
Me dorë t’Mbretnivet t’Mdha.

12. O Zot! O Zot! Mostjetër
Per ketë pleqni trathtare,
Qi europa, rrênce e vjetër,
Bani mbi tokë shqyptare
Deh! Ti mos len qi niri
Kshtû t’a dhunojë pa hiri.

13. Veç m’ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse nierit fjalët e besën
Fort mirë sot po i a njohim;
Ai syt s’i prír kurr njeti,
veç ku mund t’grryejë per veti.

14. Prandej o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né
E bân qi puna t’kthiellet,
Si âsht mirë për Atme e Fé;
E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoftë falë per komb t’Shqyptarit.
Nga A. Gjergj Fishta: “Mrizi i Zànavet, Shkoder 1941
 

07 mars 2024, 09:34