Kërko

Gra në rrugë, në Indi Gra në rrugë, në Indi

Selia e Shenjtë: në shumë vende ende abuzohet me gratë, varfëria ndër shkaqet

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Gabriele Caccia, i cili foli në Nju Jork në Komisionin e OKB-së për Statusin e Grave, theksoi rëndësinë e luftës kundër varfërisë për të arritur objektivin ende të largët të barazisë ndërmjet grave dhe burrave: "Varfëria shkakton mungesën e arsimimit, të punës, të asistencës shëndetësore, i ekspozon gratë ndaj dhunës, abuzimit, amësisë së rrezikshme dhe pengon zhvillimin e potencialit të tyre"

R.SH. – Vatikan

“Varfëria mund të shkaktojë dhe të keqësojë një sërë problemesh shoqërore të grave e vajzave”, prandaj duhet të zhduket nëse duam të arrijmë barazinë ndërmjet grave dhe burrave në botë, me të drejta dhe mundësi të njëjta. Ky ishte reflektimi i Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, imzot Gabriele Caccia, gjatë sesionit të 68-të të Komisionit për Statusin e Grave, mbajtur në Nju Jork, me temë: "Të përshpejtohet arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave, duke zgjidhur çështjen e varfërisë dhe duke përforcuar institucionet e financimet me perspektivë gjinore”.

Mohimi i të drejtave të grave

Deklarata e kryeipeshkvit nis nga realiteti, i cili, pavarësisht nga impenjimi i shteteve për të drejtat e grave, është ende larg arritjes së objektivit. “Në shumë vende, gratë konsiderohen qytetare të dorës së dytë”, nënvizoi imzot Caccia, duke përmendur fjalët e Papës Françesku për Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, më 9 janar 2023. Ndërsa shumë grave u mohohet e drejta për të studiuar, për të punuar, asistenca shëndetësore e, madje, edhe ushqimi, vuri në dukje Vëzhguesi i Vatikanit, "delegacioni im duhet të theksojë shqetësimin e tij të thellë për faktin se një në dhjetë gra jeton në kushte varfërie ekstreme dhe se nuk jemi në rrugën e duhur për të arritur SDG 1", objektivin numër një të Axhendës së Zhvillimit të miratuar nga OKB-ja, që parashikon t’u jepet fund të gjitha formave të varfërisë brenda vitit 2030.

Pasojat e varfërisë

Format e varfërisë, që prekin gratë në veçanti, duke i penguar të "arrijnë potencialin e tyre", janë strehimi i papërshtatshëm, ushqimi i keq, mungesa e strukturave higjieniko-sanitare, të cilat mund të kenë pasoja afatgjata mbi shëndetin e grave dhe vajzave, duke përfshirë amësinë e tyre të ardhshme. Të rënda, edhe pasojat që rrjedhin nga mungesa e arsimit. Imzot Caccia renditi disa prej tyre: "Pa arsim, vajzat dhe gratë mbeten në injorancë dhe varfëri. Vajzat e pashkolluara janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të abuzimit seksual dhe martesës në moshë të njomë”. Duhen edukuar vajzat, djemtë e, edhe familjet, vazhdon kryeipeshkvi, për dëmet që sjell puna dhe martesa në moshë të vogël. Këto praktika, denoncoi ai, do të vazhdojnë për aq kohë sa privimet e ndryshme, për shkak të varfërisë, të çojnë në vendime të dëshpëruara.

Aborti, shpesh, vendim jo i lirë

Me tej, delegati i Vatikanit theksoi: "Një argument thellësisht shqetësues është mungesa e përparimeve në uljen e vdekshmërisë së lehonave që nga viti 2015. 800 gra vdesin ende çdo ditë nga ndërlikimet e shtatzanisë dhe të lindjes së fëmijëve". Nga ana tjetër, përveç mungesës së asistencës shëndetësore, në forumet ndërkombëtare bëhet shumë “për të promovuar të ashtuquajturin shëndet seksual dhe riprodhues dhe të drejtat riprodhuese", ku përfshihet aborti. Ndërprerja e shtatzënisë, saktësoi imzot Caccia, shpesh, është vendim, që varet nga “mungesa e përkrahjes ekonomike dhe shoqërore” e “nuk është liri dhe barazi e vërtetë”. Prandaj, banalizimi i abortit, "jo rrallë, vë në dukje mungesën e vullnetit dhe të përkushtimit për t’i mbrojtur me të vërtetë gratë" nga shfrytëzimi, dhuna e varfëria, vijoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, i cili rinovoi impenjimin vatikanas për zbatimin e Platformës së Pekinit, pas Konferencës Botërore për Gratë më 1995, e cila përcaktoi pikërisht kapërcimin e varfërisë, arsimin dhe punën, si rrugë për arritjen e barazisë ndërmjet grave e burrave.

20 mars 2024, 11:04