Kërko

Selia e Shenjtë: në shoqëri, gratë nuk kanë ende të njëjtat të drejta me burrat

Me rastin e sesionit të jashtëzakonshëm të Këshillit të përhershëm të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS) për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Vëzhguesi i Vatikanit, imzot Serrano, nënvizoi vlerën e figurës femërore, “protagoniste e domosdoshme në rindërtimin e një bote më të drejtë dhe më vëllazërore"

R.SH. – Vatikan

 Selia e Shenjtë mbështet të drejtat e grave dhe i promovon ato. Delegacioni i Vatikanit në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS) nënvizoi rëndësinë e të drejtave të ligjshme të grave, në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Përhershëm me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave. Imzot Juan Antonio Cruz Serrano pohoi se Selia e Shenjtë bashkohet me përpjekjet e atyre, që promovojnë rolin e gruas në shoqëri dhe në bashkësitë kishtare, duke mbrojtur të drejtat e saj. Ai denoncoi qëndrimin nënvlerësues mbajtur shpesh në histori ndaj grave, por ngriti lart edhe dëshminë e tyre të guximshme në fusha të ndryshme. Kujtoi gjithashtu fjalët e Papës Françesku: "Gjenia femërore është e nevojshme në të gjitha fushat e jetës shoqërore; prandaj, prania e grave duhet të garantohet në vendin e punës dhe në vendet e ndryshme ku merren vendime të rëndësishme, si në Kishë, ashtu edhe në strukturat shoqërore”.

Gratë, të domosdoshme për një botë të drejtë e vëllazërore

 Pasi dha shembuj grash të guximshme, shenjte e nëna në të gjithë botën, imzot Cruz Serrano përfundoi me fjalët: “Selia e Shenjtë mendon se organizimi i shoqërive është ende larg nga dëshmimi i faktit që gratë kanë saktësisht të njëjtin dinjitet dhe të njëjtat të drejta si burrat. Gratë janë protagoniste të domosdoshme në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më vëllazërore. Kërkesa për të drejtat e tyre të ligjshme, bazuar në bindjen e vendosur se burrat dhe gratë kanë të njëjtin dinjitet, shtron pyetje të mëdha për shoqërinë dhe për vetë Kishën, që e sfidojnë atë dhe janë të pashmangshme”.

08 mars 2024, 11:13