Kërko

Në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, u mbajt takimi me temë: “Dialogu dhe vëllazërimi ndërfetar si garanci për paqen: rasti i Shqipërisë” Në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, u mbajt takimi me temë: “Dialogu dhe vëllazërimi ndërfetar si garanci për paqen: rasti i Shqipërisë”

Imzot Paul Gallagher: Shqipëria, shembull vëllazërimi ndërfetar

Përfaqësuesit e feve të ndryshme në Shqipëri, nuk e tolerojnë njëri-tjetrin, por jetojnë në harmoni: kështu deklaroi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, në takimin me temë “Dialogu dhe vëllazërimi ndërfetar si garanci për paqen: rasti i Shqipërisë”. Kjo konferencë, uroi imzot Paul Richard Gallagher, të kontribuojë në mirëkuptimin më të madh dhe në respektin e ndërsjellë, që e forcon harmoninë dhe e kupton rëndësinë e saj në garantimin e paqes

R.SH. - Vatikan

Të hënën pasdite, 25 mars 2024, në Universitetin Papnor Gregoriana, në Romë, u mbajt takimi me temë: “Dialogu dhe vëllazërimi ndërfetar si garanci për paqen: rasti i Shqipërisë”. Konferenca u organizua në 10-vjetorin e vizitës apostolike të Papës Françesku në Shqipëri dhe në 5-vjetorin e Dokumentit të Abu Dabit mbi 'Vëllazërimin Njerëzor dhe Bashkëjetesën ndërmjet njerëzve', nga ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë dhe në Urdhrin Sovran të Maltës, Majlinda Frangaj, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Ndërfetare të ateneut të jezuitëve. I pranishëm, ministri për Evropën dhe për Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili u takua paradite me Papën Françesku, si edhe imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare.

Në praninë e rektorit të Universitetit, atë Mark Lewis, përveç vetë ambasadores Frangaj, e cila u përqendrua në vëllazërimin ndërfetar përgjatë historisë shqiptare, mbajtën relacione prof. Ambrogio Bongiovani, drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërfetare të ateneut, që foli për parimet bazë të dialogut ndërfetar; prof. Roberto Regoli i Gregorianës, që vuri në dukje aspekte të diplomacisë papnore për paqen; prof.sha Maria Gabriella Belgiorno e Universitetit të Peruxhës, që reflektoi mbi vlerën e dialogut ndërfetar për paqen në konfliktet aktuale; si edhe dr. Sokol Lulgjuraj, drejtor i Qendrës për Bashkëpunimin Ndërfetar, i cili paraqiti sfidat e kësaj qendre me seli në Elbasan.

Në vijim, përshëndetja e plotë e imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare:

Hirësi,

zoti ministër,

zonja ambasadore e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë,

Shkëlqesi,

zonja dhe zotërinj,

jam shumë i gëzuar që mund të përshëndes pjesëmarrësit e kësaj konference të organizuar nga znj. Majlinda Frangaj, ambasadore e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, për të përkujtuar 10-vjetorin e vizitës së Atit të Shenjtë Françesku në Shqipëri dhe 5-vjetorin e nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërimin njerëzor, Paqen botërore dhe Bashkëjetesën.

Ju përgëzoj për temën e zgjedhur: “Dialogu dhe vëllazërimi ndërfetar si garanci e paqes: rasti i Shqipërisë”. Në një kohë të karakterizuar nga pasiguria, që pandemia na bëri ta rizbulojmë dhe nga fakti se "lufta e tretë botërore pjesë-pjesë" vazhdon të ashpërsohet, të flasësh për fenë duket sikur po i referohemi diçkaje, që na ngushëllon, ose që, disave, mund t’u kujtojë "das Opium des Volkes" (opium për popujt), konceptin e njohur mbi fenë të Karl Marksit. Ndërsa këtu duam të flasim për të, pasi besojmë se feja është rrugë e mundshme dialogu dhe vëllazërimi, udhë që mund ta bëjmë së bashku, pa hequr dorë nga idetë apo doktrinat personale, që përbëjnë identitetin e secilit, por pa i valëvitur ato si elemente të ndarjes dhe të kundërvënies.

Aty ku feja ka qenë shpesh rast për konflikte, madje edhe për luftëra të përgjakshme, sot flasim për një përvojë të re për t’u jetuar së bashku. Kjo kërkon njohje reciproke ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme: tjetri nuk është e keqja për t'u refuzuar, nëse jo për t’u eleminuar. Në përvojën fetare të të tjerëve njohim dhe vlerësojmë një realitet pozitiv, që e prek thellë njeriun, deri në atë pikë sa i jep formë mendjes dhe zemrës.

Fetë mund të shndërrohen në udhë dialogu dhe vëllazërimi nëse të gjithë e jetojnë me të vërtetë përmasën fetare, duke u nisur nga përshpirtëria, që sheh drejt Misterit dhe jo nga identiteti i absolutizuar etnik, politik e fetar “kundër” tjetrit. Ja ç’na mëson Papa Françesku në Enciklikën “Fratelli tutti” mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore: “Fetë e ndryshme, duke filluar nga njohja e vlerës së çdo njeriu si krijesë e thirrur për të qenë bir a bijë e Zotit, japin një kontribut të çmuar në krijimin e vëllazërimit e në mbrojtjen e drejtësisë në shoqëri. Dialogu ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme nuk bëhet vetëm për diplomaci, për mirësjellje a tolerancë. Siç na kanë mësuar ipeshkvijtë e Indisë, ‘objektivi i dialogut është të vendosë miqësi, paqe, harmoni dhe të ndajë me të tjerët vlerat dhe përvojat morale e shpirtërore në frymën e së vërtetës dhe të dashurisë’1”.

Dikush mund të pyesë pse, në këtë kuadër, duam të flasim për Shqipërinë, e cila, në një kohë jo shumë të largët, jo tepër të gjatë, por vërtet të dhimbshme për ata që e jetuan, ishte gjithçka, përveçse vendi, ku mund të flitej hapur për fenë, konsideruar pikërisht “das Opium des Volkes” (opium për popujt), ose të flitej për rolin e saj në udhën e dialogut e të vëllazërimit. Pas vitesh ateizmi, gjatë të cilave, siç ka thënë Papa Françesku: “Shqipëria ka qenë dëshmitare e trishtë se çfarë dhune dhe çfarë tragjedish mund të shkaktojë përjashtimi me forcë i Zotit nga jeta personale dhe komunitare”2, në jetën e shoqërisë shqiptare filloi një periudhë e re historike. U kthyen veprimtaritë fetare e të gjitha bashkësitë fetare luajnë sërish një rol të rëndësishëm në jetën e shqiptarëve. Një rol të veçantë në promovimin e lirisë fetare në Shqipëri e luan Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, themelimi i të cilit, siç pati pohuar z. Bamir Topi, atëherë president i Republikës, kur u përurua ky Këshill (22 tetor 2009) “shënon institucionalizimin e tolerancës fetare në Shqipëri”. Bashkësitë fetare, anëtare të tij, mbajnë marrëdhënie vlerësimi të ndërsjellë dhe bashkëpunimi të përzemërt, si edhe impenjohen për ndërtimin e urave dhe shembjen e mureve, gjë që vlerësohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Me rastin e vizitës sime në Shqipëri, në mars 2023, takova edhe anëtarët e atij Këshilli. U befasova kur njëri prej tyre vërejti me shumë vend se fjala "tolerancë" nuk ka gjithmonë kuptim pozitiv. Në fakt, kur themi se njëri e toleron tjetrin do të thotë se e duron, por do të bënte edhe pa të. Më pas, ai saktësoi se “ne, përfaqësuesit e feve të ndryshme në Shqipëri, nuk e tolerojmë njëri-tjetrin, por jetojmë në harmoni”.

Shpresoj që kjo konferencë mund të kontribuojë në mirëkuptimin më të madh dhe në respektin e ndërsjellë, që e forcon harmoninë dhe e kupton rëndësinë e saj në garantimin e paqes. Faleminderit!

----------------------------------------------------------

1. Papa Françesku, Fratelli Tutti, Enciklikë mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore, 2020, n. 271.

2. Papa Françesku, Takim me krerët e feve të tjera dhe të emërtimeve të ndryshme të krishtera, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” (Tiranë), 21 shtator 2014.

27 mars 2024, 15:46