Papa: Motra Caram ma dha rruzaren dhe Ungjillin e ushtarit të vdekur
R.SH. / Vatikan
Në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku - gjatë lutjes së tij për paqen - kujtoi se kishte marrë rruzaren dhe Ungjillin e një djali, që u vra në front. Ia solli, përpara audiencës në Sheshin e Shën Pjetrit, motra Lucia Caram, me origjinë argjentinase, që jeton në Barcelonë. Këtë e bëri të ditur vetë ajo, në Facebook.
“E pamë plot forcë, me shumë gëzim dhe me zemër mikpritëse që na preku”, shkruan murgesha, e cila u prit nga Françesku me grupin Religion Digital. “Pamë një Papë të qetë”- vijon motra Caram - e në vijim shtoi se ishte ajo që ia dorëzoi rruzaren dhe Ungjillin e ushtarit të rënë duke luftuar në Ukrainë.
“I dhashë një dhuratë, që e emocionoi: Librin e Ungjijve dhe Psalmeve të një ushtari, që ra në ball të luftës. E edhe rruzaren që Oleksandre e kishte në dorë kur vdiq. Ishte rruzare e bekuar nga vetë Papa. Ati i Shenjtë Françesku e puthi tejet i prekur.
Ai e do Ukrainën dhe e vuan martirizimin e këtij populli të pushtuar dhe të sulmuar mizorisht” - shkruan motra Caram. - "Më inkurajoi të vazhdoj. Më dhuroi shumë rruzare për t'i çuar në Ukrainë" - përfundoi e prekur thellë .