Kërko

 Papa dhe Kuria Romake duke dëgjuar predikimin e tretë të Kreshmëve nga Kardinali Cantalamessa (Media e Vatikanit) Papa dhe Kuria Romake duke dëgjuar predikimin e tretë të Kreshmëve nga Kardinali Cantalamessa (Media e Vatikanit)  (Vatican Media)

Kard. Cantalamessa: në shoqërinë masive njeriu është në kope, Jezusi është i vetmi bari i mirë

Predikatari papnor, kardinali Raniero Cantalamessa, mbajti sot predikimin e tretë të Kreshmëve për Papën dhe Kurien Romake, në Sallën Pali VI: edhe pse i plagosur, i krishteri thirret të kujdeset për vuajtjet e të tjerëve.

R. SH. - Vatikan

Një nga fenomenet më të dukshme të “shoqërisë sonë është masivizimi”. Shtypi, televizioni, interneti quhen “mjete komunikimi masiv, masmedia, jo vetëm sepse informojnë masat, por edhe sepse i formojnë, i standardizojnë”. Këtë theksoi kardinali kapuçin Raniero Cantalamessa, gjatë predikimit të tretë të Kreshmëve, mbajtur sot në mëngjes, e premte, 8 mars, në Sallën Pali VI, në prani të Papës Françesku. Duke vazhduar reflektimet e tij mbi pohimin e Krishtit në Ungjillin e Gjonit: "Unë jam", prediktari u ndalua sot tek shprehja ungjillore "Unë jam Bariu i Mirë”. Kujtoi se ne, si pa e kuptuar “e lëmë veten të udhëhiqemi pasivisht nga të gjitha llojet e manipulimeve dhe bindjeve okulte”. Mjafton të mendosh për ato "modele të mirëqenies dhe sjelljes, ideale dhe objektiva të përparimit, “të cilat njerëzit i pranojnë sapo propozohen". Ne, vërejti ai, i ndjekim "të frikësuar nga humbja e ritmit, të kushtëzuar dhe të hutuar nga reklamat". Hamë çka “na thonë”; vishemi si na e dikton moda, flasim siç dëgjojmë”. Për më tepër - shtoi - «argëtohemi kur shohim një film që ecën me ritëm të shpejtuar, me njerëz që lëvizin vrullshëm, me ngut, si kukulla; duke harruar se ndër ta shohim vetveten…”. Në këtë kontekst, është figura e bariut të mirë, me të cilin lidhen “delet e grigja”. Duke vënë në dukje se njeriu i sotëm “refuzon me përbuzje rolin e deleve dhe idenë e grigjës”, predikatari theksoi se si, megjithatë, ai nuk e kupton se në realitet jeton “situatën, që e dënon në teori”.

Për të kuptuar pse Jezusi e quan veten bariu i mirë dhe "ne na quan delet e tij, duhet të njohim historisë biblike" - kujtoi Cantalamessa. Izraeli ishte, në fillim, "popull i barinjve endacakë ". Beduinët e shkretëtirës "na japin sot një ide se si ka qenë dikur jeta e fiseve të Izraelit". Në këtë shoqëri, “ndërmjet bariut dhe grigjës zhvillohet një marrëdhënie pothuajse personale”. Kjo shpjegon pse, "për të shprehur marrëdhënien e tij me njerëzimin, Zoti përdori këtë figurë, që tani është bërë e paqartë".

Nga ana tjetër, theksoi Kapuçini, figura e Krishtit, Bariut të Mirë, ka një vend të privilegjuar në artin dhe mbishkrimet e hershme të krishtera. Ai «paraqitet sipas formës klasike, në shkëlqimin e rinisë». Figura e Tij "tashmë është shkrirë përgjithmonë me atë sinoptike të bariut që shkon në kërkim të deleve të humbura (Lk 15, 4-7)".

Shkon e u flet! Po fjalimi i Jezusit - shpjegoi Kardinali Cantalamessa - ka dy aktorë: bariun dhe grigjën, që domethënë, në njëjës, çdo dele të vetme. Më pas kujtoi se psikologu Carlo Gustavo Jung e përkufizoi psikiatrin shërues i plagosur. Kuptimi i teorisë së tij ishte se njeriu duhet të njohë "plagët e veta psikologjike, për t’i shëruar ato të të tjerëve dhe se njohja e plagëve të të tjerëve e ndihmon për të shëruar plagët e veta". Intuita e psikoanalistit - tha kardinali- vlen edhe për plagët shpirtërore. Bariu i Kishës është gjithashtu shërues i plagosur, njeri i sëmurë që duhet të ndihmojë të tjerët të shërohen.

Predikatari nuk harroi të përmendë sëmundjen kryesore, që duhet mjekuar, për të mjekuar edhe të tjerët. Domethënë "mos kini frikë". Ne po flasim - theksoi kardinali - për këtë "të keqe të errët" të frikës, e cila ka "aq shumë fuqi t'ua grabisë burrave dhe grave gëzimin e të jetuarit". Është “gjendja jonë ekzistenciale”, që “na shoqëron nga fëmijëria deri në vdekje”. Jezusi i dha një emër frikës kryesore të të rriturve: frika nga e nesërmja, frika nga bota dhe nga të fuqishmit, nga "ata që vrasin trupin (Mt 10, 28)". Por për secilin prej tyre, ai shqiptoi të tijën: “Nolite timer!” - “Mos kini frikë”.

Kjo nuk është “fjalë boshe dhe e pafuqishme; është fjalë gati sakramentale”. Si të gjitha fjalët e Jezusit!  

08 mars 2024, 14:21