Kërko

 Arte che consola MV15APRILE Arte che consola MV15APRILE

Mësimi i madh i Pashkëve

Në Pashkë mos këndoni himnin e fitimtarëve, por të të mundurve! Po kush janë fitmtarët? Pashkët vijojnë të na japin mësimin se Hyji gjindet gjithmonë, aty ku më pak pritet: sepse askush në botë nuk priste që një i mundur, do të ishte fitimtari, që guri i hedhur tutje nga ndërtuesit, do të bëhej gur themeli; që i Vdekuri mbi kryq do të ngjallej rishtas dhe që, i mohuari, i dënuari, i kryqëzuari, i varrosuri në shkëmb, do të bëhej ringjallja jonë, jeta jonë.

R.SH. / Vatikan

Sipas botës, Jezu Krishti u mund atë të Premte të Madhe, po sipas Zotit, ngadhënjeu! Ata që e dënuan me vdekje vetëm sa i dhanë mundësinë që i duhej; duke e mbyllur varrin me gurë, i hapën derën që donte; e triumfi i tyre i dukshëm, i hapi rrugën fitores së tij të pakrahasueshme me asnjë nga fitoret e historisë së Universit.

Krishtlindja na mëson se Hyjnorja gjindet gjithmonë aty, ku bota e pret më pak; askush nuk priste ta gjente vetë Zotin të mbështjellë me pelena dhe të vendosur në një grazhd.

Pashkët vijojnë të na japin mësimin se Hyji gjindet gjithmonë, aty ku më pak pritet: sepse askush në botë nuk priste që një i mundur, do të ishte fitimtari, që guri i hedhur tutje nga ndërtuesit, do të bëhej gur themeli; që Jezusi i vdekur do të Ngjallej rishtas dhe që, i mohuari, i dënuari, i kryqëzuari, i varrosuri në shkëmb, do të bëhej Ringjallja jonë, jeta jonë.

DItën e Pashkëve, këndojmë himnin e të mundurve!

Ditën e Pashkëve ne nuk këndojmë himnin e fitimtarëve, por himnin e të mundurve. Të atyre që ranë heroikisht në betejën e jetës: himnin e të plagosurve, të rrahurve, që humbën jetën në përleshje. Nuk këndojmë këngën ngazëlluese të fitimtarëve, për të cilët kumbon kori i kombeve, atyre me kurorën e lavdisë tokësore mbi ballë, por himnin e të mjerëve, të përvuajturve, të lodhurve, zemërthyerve, që luftuan dhe humbën, duke luajtur me guxim rolin e tyre, të heshtur, në dukje, e të pashpresë.

Vdekja e fshiu dështimin e tyre… Fshiu gjithçka, përveç besimit. Ndërsa bota, në kor, këndon himnet e atyre që fituan - na rikujton këto ditë Krishti i kryqëzuar e i ngjallur - unë mbetem përkrah të mundurve, në hije, me të rënët, të plagosurit, të vdekurit, atje këndoj me zë të ulët një requiem… Vë  duart e mia mbi ballin e tyre të rrudhur nga vuajtja, them një lutje me zë të ulët, shtrij dorën time të pafuqishme dhe pëshpërit:

"Fitimtarë do të quhen vetëm ata, që luftuan luftën e mirë, që e shpartalluan demonin tundues brenda tyre, që e ruajtën fenë, duke mos pranuar joshjet, të cilat bota i vlerëson më shumë;  ata që për një kauzë më të lartë, guxuan të vuanin, të rezistonin, të luftonin e, kur ishte e nevojshme, edhe të vdisnin”.

Fol histori: kush janë fitimtarët!

Fol, o histori! Kush janë fitimtarët në betejën e jetës? Shfletoi analet tuaja dhe thuaj: a janë fitimtarë ata që bota i quan të tillë, pse patën suksesin kalimtar të një dite? Janë fitimtarë martirët - apo Neroni? Spartanët e ramë në Termopile? Apo Persianët dhe Kserksi? Sokrati, a gjyqtarët që e dënuan me vdekje? Pilati apo Krishti?

31 mars 2024, 15:11