Kërko

Lutje gjatë Ramazanit Lutje gjatë Ramazanit

Mesazhi për Ramazan: të krishterë e myslimanë, ta shuajmë zjarrin e luftës e të ndezim qiriun e paqes

“Dënimi dhe refuzimi i luftës duhet të jetë i qartë: çdo luftë është vëllavrasëse, e kotë, e pakuptimtë dhe e errët”. Kështu shkruhet në mesazhin e Dikasterin vatikanas për Dialogun Ndërfetar drejtuar gjithë myslimanëve me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. U kërkohet myslimanëve e të krishterëve, të parët në Ramazan e të dytët në Krezhmë, të jenë dëshmitarë të paqes

R.SH. – Vatikan

Numri në rritje i konflikteve, që në këto kohë përshkojnë botën, duke filluar nga luftimet ushtarake tek ndeshjet me armë, në të cilat përfshihen shtete, organizata kriminale, banda të armatosura e civilë, e nxitën sivjet Dikasterin vatikanas për Dialogun Ndërfetar, t’ia kushtojë temës së luftës e të paqes, mesazhin e tij drejtuar gjithë myslimanëve për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Të mos e ngjyejmë bukën në gjakun e vëllait

Në tekstin, që u bë i njohur sot (15 mars), u bëhet thirrje të krishterëve e myslimanëve ta shuajnë zjarrin e luftës e të ndezin qiriun e paqes. Ndërsa vlerësohet fakti që ky Mesazh vjetor përhapet jashtëzakonisht në media, sidomos në rrjetet shoqërore, duke kontribuar në marrëdhëniet e mira ndërmjet të dyja bashkësive fetare, vihen në dukje fjalët e Papës Françesku, që nënvizon shpesh se Lufta e tretë Botërore pjesë-pjesë po shndërrohet në konflikt global. Përmenden shkaqet e konflikteve, që nisen nga dëshira njerëzore për dominim, nga ambiciet gjeopolitike e interesat ekonomike, për të përfunduar në etjen për fitime nga prodhimi e shitja e armëve. Papa Françesku e ka përshkruar këtë me fjalët: “të ngjyesh bukën në gjakun e vëllait”.

Në luftë të gjithë humbasin

Por, si mylimanët, ashtu edhe të krishterët, nënvizohet më tej në Mesazhin e Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, nënshkruar nga prefekti, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot dhe, nga sekretari, imzot Indunil Kodithuwakku Janakaratne Kankanamalage, kanë pasuri të jashtëzakonshme njerëzore dhe fetare për të nxitur paqen. Të gjithë i shohin pasojat tragjike të luftës, me humbjen e jetëve njerëzore, me jetimët e vejushat e shumta. Për të mos folur për shkatërrimin e infrastrukturave, të shtëpive e të gjithçkaje të nevojshme për jetesë, gjë që i detyron njerëzit të ikin nga atdheu e të kthehen në refugjatë. “Rrjedhimisht, - shkruhet në tekst - dënimi dhe refuzimi i luftës duhet të jetë i qartë: çdo luftë është vëllavrasëse, e kotë, e pakuptimtë dhe e errët. Në luftë të gjithë humbasin. Edhe një herë, me fjalët e Papës Françesku: ‘Asnjë luftë nuk është e shenjtë, vetëm paqja është e shenjtë’”.

Myslimanë e të krishterë, së bashku, dëshmitarë të paqes

 Për të gjitha fetë, jeta njerëzore meriton respekt dhe mbrojtje. Në Mesazhin vatikanas për Ramazanin vihet në dukje se gjithnjë e më shumë shtete nuk e zbatojnë më dënimin me vdekje, gjë që duhet të kontribuojë në refuzimin e luftës. Për këtë, theksohet më tej, është i nevojshëm formimi i ndërgjegjeve, në mënyrë që të punohet për paqen.

“Ta Shohim Zotin e Gjithëpushtetshëm si Hyjin e paqes, burimin e paqes, që i do në mënyrë të veçantë të gjithë ata, që ia kushtojnë jetën shërbimit për paqen. Si shumë gjëra, paqja është dhuratë hyjnore, por, njëkohësisht, është edhe fryt i përpjekjeve njerëzore, veçanërisht në përgatitjen e kushteve të nevojshme për vendosjen dhe ruajtjen e saj”, shkruhet në tekst, në të cilin u kërkohet myslimanëve e të krishterëve, të parët në Ramazan e të dytët në Krezhmë, të jenë dëshmitarë të paqes, që bota të shpresojë në të.

Të ndezim qiriun e paqes

“Shpresa – vëren Mesazhi - mund të simbolizohet nga një qiri, drita e të cilit rrezaton siguri dhe gëzim, ndërsa zjarri i pakontrolluar mund të çojë në shkatërrimin e faunës, të florës e të infrastrukturës, si edhe në humbjen e jetëve njerëzore”. Le të bashkohemi, u bën thirrje Dikasteri vatikanas myslimanëve, “për ta shuar zjarrin e urrejtjes, të dhunës e të luftës dhe, në vend të tij, të ndezim qiriun e ëmbël të paqes, duke përdorur mjetet për paqen, të pranishme në traditat tona të pasura njerëzore dhe fetare”.

Mesazhi përfundon me urimin për një Ramazan të lehtë, që sjell paqe, shpresë e gëzim.

15 mars 2024, 12:12