Kërko

Papa Françesku gjatë audiencës së 2023.10.25 Papa Françesku gjatë audiencës së 2023.10.25
Editorial

Me Pjetrin, gjithmonë

Njëmbëdhjetë vjet papni, në rrugën e mëshirës dhe të paqes.

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Në heshtjen shurdhuese të diplomacisë, në një panoramë të karakterizuar nga mungesa gjithnjë e më dukshme e nismës politike dhe lidershipit të aftë për të vënë bast mbi paqen, ndërkohë që bota ka nisur garën e çmendur të armëve duke shpërndarë shuma për mjetet e sofistikuara të vdekjes që do të mjaftonin për të siguruar dyfishin e kujdesit shëndetësor të bazës për të gjithë banorët e tokës dhe reduktimin e ndjeshëm të emetimeve të gazeve serrë, zëri i vetmuar i Papës vazhdon të lutet që të heshtin armët dhe të merret guximi për të favorizuar shtigjet e paqes. 

Papa vazhdon të kërkojë armëpushim në Tokën Shenjte, ku masakra e pamëshirshme e 7 tetorit, e kryer nga terroristët e Hamasit, pasohet nga masakra tragjike në Gaza. Ai vazhdon të kërkojë të heshtin armët në konfliktin tragjik që shpërtheu në zemër të Evropës së krishterë, në Ukrainën e shkatërruar dhe të martirizuar nga bombardimet e ushtrisë agresive ruse. Vazhdon të bëjë thirrje për paqe në pjesë të tjera të botës, ku konfliktet e harruara, që përbëjnë pjesët gjithnjë e më të mëdha të një konflikti global, po luftohen me dhunë të papërshkrueshme.

Ipeshkvi i Romës hyn në vitin e dymbëdhjetë të papnisë së tij në një orë të errët, kur fatet e njerëzimit janë lënë në mëshirën e protagonizmit të sundimtarëve të paaftë për të vlerësuar pasojat e vendimeve të tyre, ndaj  duket se i dorëzohen pashmangshmërisë së luftës. E me kthjelltësi dhe realizëm thotë: “Është më i fortë ai, që e sheh situatën; ai, që mendon për popullin;  pra “ai që ka guxim të bisedojë”, sepse “negocimi është fjalë e guximshme”, prej të cilës nuk duhet të kesh turp. Papa Françesku, duke sfiduar keqkuptimet e të afërmve dhe të largtëve, vazhdon të vendosë në qendër shenjtërinë e jetës, të jetë pranë viktimave të pafajshme dhe të padisë interesat e ndyra ekonomike, që lëvizin fijet e luftërave duke u veshur me petkun e hipokrizisë.

Një vështrim i shpejtë në këto njëmbëdhjetë vitet e fundit të historisë na bën të kuptojmë vlerën profetike të zërit të Pjetrit. Alarmi, i  lëshuar fillimisht dy dekada më parë, për luftën e tretë botërore copa-copa. Enciklika shoqërore Laudato si' (2015), e cila tregoi se si ndryshimet klimatike, migrimi, luftërat dhe ekonomia që vret janë fenomene të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe mund të trajtohen vetëm përmes një vështrimi global. Enciklika e madhe për Vëllazërinë Njerëzore (Fratelli tutti, 2020), e cila tregoi rrugën për të ndërtuar një botë të re të bazuar mbi vëllazërinë, duke zhdukur edhe një herë çdo alibi  abuzimi të emrit të Zotit për të justifikuar terrorizmin, urrejtjen dhe dhunën.

E, më pas, kujtimi i vazhdueshëm në mësimin e tij për mëshirën, e cila end gjithë strukturën e një papnie misionare.

Në shoqëritë e shekullarizuara dhe "likuide", që nuk kanë më kurrfarë sigurie, asgjë nuk mund të merret si e përkryer, ndaj ungjillizimi - na mëson Françesku - rifillon përsëri nga themelorja, siç lexojmë në Evangelii gaudium (2013): "Rizbuluam se edhe në katekizëm ka rol themelor kumti i parë apo "kerygma", që duhet të jetë në qendrën e veprimtarisë ungjillëzuese dhe të çdo përpjekjeje për përtëritje kishtare. [...]. Qendërsia e kerygmës kërkon disa karakteristika të kumtit, të cilat sot janë të nevojshme në çdo vend: të shprehë dashurinë shëlbuese të Zotit, përpara detyrimit moral dhe fetar, që nuk duhet ta imponojë të vërtetën e duhet të bëjë thirrje për lirinë, e cila ka nota gëzimi, stimulimi, vitaliteti dhe përkryerje harmonike, që nuk e redukton predikimin në disa doktrina të cilat ndonjëherë janë më shumë filozofike, sesa ungjillore. Kjo kërkon nga ungjillëzuesi disa kushte, që e ndihmojnë ta mirëpresë më mirë njoftimin: “afërsi, dialog, durim e, sidomos, mikpritje të përzemërt, që nuk dënon”.

Prandaj mund të themi se dëshmia e mëshirës është element themelor i kësaj "dashurie shëlbuese të Zotit" që vjen "përpara detyrimit moral dhe fetar". Me fjalë të tjera, ata që nuk kanë rënë ende në kontakt me faktin e krishterë, siç e pati vërejtur qartë Benedikti XVI në maj 2010, vështirë se mbeten të prekur dhe të mahnitur nga afirmimi i normave dhe i detyrimeve morale, nga këmbëngulja për ndalime, nga listat e hollësishme të mëkateve, nga dënimet apo thirrjet nostalgjike për vlerat e kohëve tashmë të perënduara.

Në zanafillën e mikpritjes, të afërsisë, të butësisë, të shoqërimit, në zanafillën e një bashkësie të krishterë të aftë për të përqafuar dhe për të dëgjuar, është jehona e mëshirës, që duhet jetuar dhe që kërkohet - pavarësisht nga një mijë kufizime dhe rënie - të rikthehet në jetë. Nëse i lexojmë me këta sy gjestet e Papës, madje edhe ato që provokuan tek disa njerëz të njëjtat reagime shkandulluese, pasojë e gjesteve të Jezusit dy mijë vjet më parë, zbulojmë fuqinë e tyre të thellë ungjillëzuese dhe misionare.

13 mars 2024, 15:33