Kërko

Il disastroso terremoto in Turchia del 2023 Il disastroso terremoto in Turchia del 2023

Lëmoshë për Tokën Shenjte, Kard. Gugerotti: “bëjeni të ndjehet zemra solidare e Kishës”

Dikasteri i Vatikanit për Kishat Lindore bën të njohura lëmoshët e besimtarëve, të caktuara për 13 vende: në vitin 2023 arritën në 6 milionë e gjysmë euro. Ndihma u siguruan edhe për pasojat e tërmetit në Siri e në Turqi. Nisma e Papës për një projekt me qëllime humanitare në Gazë e Cisjordani, për t’ua rikthyer dinjitetin njerëzve.

R.SH. / Vatikan

Sot shumë shtegtarë rrinë larg Jeruzalemit “ndërsa banorët e Tokës së Shenjtë vazhdojnë të vuajnë dhe të vdesin. Zhurma e armëve vdekjeprurëse ndjehet në mbarë botën. E nuk ka prehje në horizont. Papa Françesku nuk resht së shprehuri afërsinë e tij me të gjithë të përfshirët në konfliktin e Tokës Shenjte. Ai i nxit burrat dhe gratë me vullnet të mirë që të punojnë për paqen dhe të respektojnë shenjtërinë e çdo njeriu.

“Ne sjellim zemrën e solidaritetit të Kishës”. Kështu shkruan në thirrjen kushtuar Lëmoshëve për të Krishterët e Tokës Shenjte Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore.

Në vijim Kardinali falënderon françeskanët e Rojtarisë së Tokës Shenjte dhe të Kishave Lindore, të pranishme në ato vise, për “punën bujare”. Ata mirëmbajnë dhe gjallërojnë shenjtëroret, shenjat e kujtimit të hapave dhe veprimeve të Jezusit, dëshmitare materiale të një Zoti, që mori natyrën njerëzore për të na shpëtuar ne, baltë e gjallëruar nga fryma e Shpirtit Shenjt. Falë përkushtimit të tyre për këto vende, ne vazhdojmë të lutemi pandërprerë për të gjithë botën”.

Lëmoshët “nuk janë traditë e devotshme për të paktët. Kudo në Kishën Katolike besimtarët janë të detyruar të ofrojnë ndihmën e tyre për të ashtuquajturën Lëmosha e Papës për Tokën Shenjte, që mblidhet të Premten e Madhe ose, për disa zona, në një ditë tjetër të vitit.  Do të mblidhen përsëri këtë vit, duke shpresuar në bujarinë e veçantë të të gjithë besimtarëve”.

Sot shumë të krishterë - vijon Kardinali Gugerotti - "nuk mund të jetojnë më në kushte të rënda dhe i braktisin vendet ku baballarët dhe nënat e tyre u lutën dhe dëshmuan Ungjillin. Ata lënë gjithçka dhe ikin sepse nuk shohin asnjë shkëndijë shprese. E ujqit grabitqarë ndajnë plaçkën e tyre. Ju drejtohem juve që klithma e tyre të mos kalojë pa u dëgjuar dhe Ati i Shenjtë të mund t'i mbështesë kishat vendase në gjetjen e rrugëve të reja, mundësive për strehim, punë, formim shkollor dhe profesional, që të mbeten e të mos humbasin në botën e panjohur të një Perëndimi, kaq të ndryshëm për ndjenjat e tyre dhe mënyrën e tyre të dhënies së dëshmisë për fenë. Nëse largohen, nëse i lënë bizneset e tyre të vogla në Jerusalem dhe Palestinë për shtegtarët, që nuk shkojnë më atje, Lindja do të humbasë një pjesë të shpirtit të saj, ndoshta përgjithmonë. Bëjeni, që ta ndjejnë zemrën solidare të Kishës!".

Së bashku me letrën e Kardinalit, Dikasteri bëri të njohura edhe të dhënat për çka u mblodh në vitin 2023 dhe për shpërndarjen që u bë. Në vitin 2023 u mblodhën 6,571,893.96 euro.

Veç Lëmoshëve - thekson Dikasteri - është e mundur të dhurohen kontribute në seminare, shtëpi të formacioneve fetare dhe institucione kulturore në territoret e kompetencës, duke mbështetur në forma të ndryshme edhe në Romë, seminaristë e priftërinj të rinj, burra e gra fetare, në përputhje me fondet në dispozicion, edhe disa laikë. Për formimin e seminaristëve, priftërinjve dhe murgeshave në Romë, si dhe mirëmbajtjen e kolegjeve dhe bashkëpunimin kulturor, u ndanë 2,376,167,17 euro, ndërsa 1 milion euro, për Institutin Papnor Oriental.

Dioqeza Patriarkale Latine e Jeruzalemit të Latinëve, Rojtaria Françeskane, si dhe Kishat dhe Institucionet e tjera fetare u impenjuan për formimin shkollor të të rinjve të Tokës Shenjte dhe së bashku me Sekretarinë e Solidaritetit, u mbështetën nga të ardhurat e Lëmoshëve.

11 mars 2024, 13:04