Krijimtari, guxim, ëmbëlsi. Gratë në artin e Muzeve të Vatikanit
R.SH. - Vatikan
Magdalena, Helena, Katerina e Sienës, Skolastica dhe, para të gjithave, Virgjëra Mari. Janë gratë, që e vënë krijimtarinë e gjenisë femërore në shërbim të Zotit dhe të tjerëve, për të shëruar butësisht plagët e shumta të shoqërisë së kohës së tyre, duke e bërë botën më të bukur. Këto figura i takojmë në ekspozitën e veçantë, që ofrojnë Muzetë e Vatikanit, me rezervim, për vizitorët në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Një turne me udhërrëfyes, organizuar dje 7 dhe sot, 8 mars, për të dytin vit me kryeveprat e Pinakotekës dhe Kapelës Sikstine nga Zyra e Veprimtarive Arsimore të Muzeve të Vatikanit, përgjegjëse për të cilën është motra Emanuela Edwards: “Nisma ishte sukses, pati vizitorë të shumtë në vitin 2023 dhe vendosëm ta propozonim sërish itinerarin. Kësaj radhe u përqendruam në 'vështrimin krijues' dhe në 'zemrën e butë' që Papa Françesku, në disa raste, ka kujtuar se është tipar tërësisht femëror".
Maria, përkryerje e të gjitha virtyteve femërore
Kujtojmë dy karakteristika që sfidojnë gratë e të gjitha kohërave, të cilat mishëruan në histori figurat e shenjtorëve. Gra, që ia falën Zotit çdo ditë të jetës e lanë gjurmë të pashlyeshme. “Përsosmëria e të gjitha virtyteve femërore” është Zoja, së cilës i kushtohet një “vend i veçantë” në këtë rrugëtim arti. Është ajo, që ndërmjetëson përkrah Krishtit, gjykatës në Gjyqin e Mbram të Mikelanxhelos; e Nënë e ëmbël dhe e guximshme në Lajmërimin e famshëm dhe Ikjen në Egjipt të Federico Barocci.
Rikthimi i dinjitetit gruas samaritane
"Misionarja e parë e Besëlidhjes së Re" - vazhdon motra Emanuela Edwards - është samaritanja tek pusi, e portretizuar nga Francesco Trevisani në shekullin e 17-të në një vepër e cila "thekson dinjitetin që Zoti mund t'i japë gruas, e cila jeton në skutat e shoqërisë. Jezusi e shpengon, duke i zbuluar se është ai Mesia i shumëpritur."
Maddalena dhe lajmi më i rëndësishme i të gjitha kohërave
“Zemra krijuese dhe e butë e grave shenjte është karakteristikë e vetvetishme e të gjithave: Maria Magdalena, për shembull, u bë Apostulle e Apostujve, rol unik, i papërsëritshëm”. Është ajo që dërgohet. “Zoti ia besoi kësaj gruaje detyrën për të shpallur Ringjalljen e Tij, lajmin më të rëndësishëm të të gjitha kohërave. Ajo e meritoi këtë nder, sepse zemra e saj ishte plot dashuri. Në agimin e Pashkëve u vërsul drejt varrit për ta varrosur denjësisht trupin e Zotit të saj dhe këtu mori dhuratën ta takonte e para të Ngjallurin.
Primati i Elenës
"Mund të krahasohet me arkeologen e parë të Kishës" Shën Helena, nëna e perandorit Konstandin, që u dha lirinë e adhurimit të krishterëve. "Një rekord i vërtetë!", vëren murgesha. “Ishte ajo, pavarësisht moshës së shtyrë, që shkoi në Tokën Shenjte dhe urdhëroi të fillonin gërmimet në Kalvar, gjë që çoi në zbulimin e Kryqit, mbi të cilin vdiq Jezusi”.
Katerina dhe kthimi i Papës në Romë
Këmbëngulja dhe aftësia për të këshilluar janë aspekte të karakterit të Shën Katerinës së Sienës. “Pa ditur të shkruajë, ajo u bë një nga shkrimtaret më të rëndësishme të Mesjetës”, shton kryetarja e Zyrës së Veprimtarive Arsimore të Muzeve të Vatikanit: “ajo ishte në gjendje t'u bënte thirrje me forcë pushtetarëve të kohës për ta inkurajuar Papën t'i japë fund mërgimit në Avignon dhe të kthehet në Romë".
Ta bëjmë të bukur botën
“Besoj se këto gra të shenjta janë shembuj që na mësojnë të përdorim gjithmonë, në çdo rrethanë, frymëzimin tonë krijues për të ndjekur të mirën e familjes, Kishës dhe botës. Gruaja - përfundon motra Emanuela - duhet të guxojë gjithmonë të jetë vetvetja, sepse kjo e lejon të kryejë detyrën e veçantë që i cakton Zoti në jetë. Një grua nuk duhet të ligështohet kurrë, por të përdorë aftësinë krijuese dhe gjenialitetin e saj femëror për ta bërë më të bukur këtë botë, shpesh tejet të shëmtuar - siç thotë Papa Françesku”.
Muzetë e Vatikanit për Ditën e Gruas
Vizita, e shoqëruar në italisht dhe anglisht, është e hapur për të gjithë: nga familjet me fëmijë, tek njerëzit me aftësi të kufizuara shqisore, motorike dhe intelektuale (rezervimi i dedikuar në adresën e emailit accessibilityta.musei@scv.va). Një mënyrë për të festuar këtë ditë të grave në emër të bukurisë dhe që i shtohen nismave të tjera të Muzeut të Vatikanit për këtë rast, si çmimi promovues prej 8 euro i rezervuar për publikun femëror që do të prezantohet në biletat e Kompleksit Muzeor të Castel Gandolfo, për të hyrë në ditët e premte 8, të shtunën 9 dhe të dielën 10 mars në Pallatin Papnor ose në Koleksionet Historike.