Kërko

 Kard Parolin në Fossanova për Meshën në 750-vjetorin e vdekjes të Tomës Aquinas. Kard Parolin në Fossanova për Meshën në 750-vjetorin e vdekjes të Tomës Aquinas. 

Kard. Parolin: Toma i Akuinit, gjeni i përvuajtur që harmonizoi fenë me arsyen

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, kremtoi një Meshë në Abacinë e Fossanova në kujtim të 750-vjetorit të vdekjes së Doktor angelicus

R. SH. - Vatikan

Osservatore Romano

Trashëgimia e jashtëzakonshme filozofike, teologjike, shpirtërore dhe baritore e lënë nga Shën Toma i Akuinit, është për Kishën dhe njerëzimin “hir i madh nga Zoti". Këtë nënvizoi kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, duke kryesuar Meshën për 750-vjetorin e vdekjes së Doktor Angelicus, pasditen e së enjtes, 7 mars, në Fossanova. Në festë ishin ipeshkvi i Latina-Terracina-Sezze-Priverno, imzot Mariano Crociata, Kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, Kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore - i cili organizoi një seminar mbi "ontologjinë sociale dhe ligjin natyror të Akuinas-it" - prelatët domenikanë dhe etërit, në prani të autoriteteve të shumta civile e ushtarake dhe të bashkësisë dioqezane.

Gjatë homelisë, Kardinali nënvizoi trashëgiminë e rëndësishme që i la Toma kohëve tona,  duke na ftuar të gjithë “edhe në mënyra të ndryshme", të jemi "dishepuj" dhe "pasues" "të rrugës së tij të shenjtërisë". E pikërisht shenjtëria - këmbënguli Kardinali duke kujtuar letrën e Papës Françesku për 700-vjetorin e Shenjtërimit të Akuinas-it, është trashëgimia më e madhe që na la Akuini. Një nga kontributet e tij - vërejti Sekretari i Shtetit, duke kujtuar një fragment nga katekizmi i Benediktit XVI kushtuar Shenjtit më 2 qershor 2010, është vënia në pah e "harmonisë natyrore ndërmjet fesë së krishterë dhe arsyes", në një çast "përplasjeje ndërmjet dy kulturave, kur dukej se feja duhej të dorëzohej para arsyes, por që nuk humbi asgjë nga rëndësia e saj: feja dhe arsyeja vijojnë të ecin së bashku". Prandaj Pali VI - kujtoi gjithashtu kardinali - e quajti atë "ndriçues i Kishës dhe i mbarë botës".

Por Shën Toma, vazhdoi Kardinali Parolin duke u frymëzuar prej leximeve të propozuara nga liturgjia, ishte edhe dijetar i vërtetë, që e jetoi "në harmoni,  identifikimin me Zotin". Sepse njeri i mençur "është ai që di, ashtu si Zoti; që e shijon realitetin, ashtu siç e shijon Zoti... ai është vërtet mik i Zotit dhe e shijon miqësinë e tij". Fakti - vuri në dukje kremtuesi - që Akuini ishte teolog i madh spekulativ, do të thotë se «zotësia e tij spekulative e ndoqi nga afër dhe ishte e ndërthurur me atë qëndrim të thellë soditës, që e bëri të jetonte marrëdhënie dashurie të pakushtëzuar me Zotin». Kjo - saktësoi kardinali - nuk e bëri atë krenar, por të përulur, besnik ndaj mësimit të Jezusit: “Kushdo që është më i madhi ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj; kushdo që e larton veten, do të përulet dhe kushdo që përul veten, do të lartohet". I njëjti stil i Marisë - komentoi kardinali - "dishepull i mirëfilltë".

Një stil që Akuini nuk e braktisi kurrë, as në ditët e fundit të jetës së tij. Aq sa - shtoi Parolin - duke kujtuar dëshminë e Bartolomeut të Kapuas, në dhjetor 1273, ndërsa kremtonte meshën, sekretari Reginaldo pa se shenjti i nënshtrohej “një shndërrimi të habitshëm. Pas kësaj meshe, nuk shkroi kurrë më e as diktoi gjë”. Përsëriste vetëm e vazhdimisht: “Nuk mundem më. Gjithçka shkrova, më duket si kashtë, në krahasim me atë që kam parë”. Megjithatë, "kashta" e Shën Tomës - përfundoi Sekretari i Shtetit duke cituar teologun francez Jean-Pierre Torrell - nuk do të thotë "asgjë". Në të vërtetë, “kashta e mban grurin” dhe “mjeshtër i vërtetë, në kuptimin më fisnik të fjalës, është vetëm “kashta” që mban grurin e Fjalës së Zotit”.

08 mars 2024, 16:40