Kërko

Papa kryeson liturgjinë e të Premtes së Madhe. Forca e Zotit është pafuqia e Kalvarit

Papa kryeson liturgjinë e Mundimeve të Jezu Krisht Zot, të Premten e Madhe, në Bazilikën e Shën Pjetrit, predikatar i shtëpisë papnor kard. Cantalamessa kujton se: në kryq, Jezusi respekton zgjedhjen e lirë të njerëzve dhe zgjedh të anulojë veten, një mësim për të fuqishmit e botës. Nga triumfi i ngjalljes një ftesë për të mbarë njerëzimin që të mbështetët tek ai në saje të fesë: të moshuarit, të burgosurit, gratë viktima të dhunës.

R.SH. / Vatikan

Jezusi nuk ka erdhur për ta ndryshuar dhe për ta përsosur idenë që kanë njerëzit për Zotin, por, në njëfarë kuptimi, për ta përmbysur atë dhe për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Tij të vërtetë me vdekjen e tij në kryq. Një flijim që mund të dëshmohet vetëm në heshtje, si ajo e Papës Françesku, kur ndalon për t'u lutur përpara altarit dhe para 4500 besimtarëve të pranishëm në Bazilikën e Shën Pjetrit për kremtimin e Mundimeve të Krishtit Zot. Vetëm kur Ai të ngrihet në kryq, në fakt, do të dimë se kush është "Ai", në kuptimin absolut dhe metafizik. Kardinali Raniero Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, e ripohoi këtë në predikimin e tij të së Premtes së Madhe të Pashkëve, i frymëzuar nga ajo që Jezusi u zbuloi farisenjve në Ungjillin e Gjonit: "Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta dini se UNE JAM" (Gjn 8,28).

Këshgtu, sot kardinali Raniero Cantalamessa mbajti predikimin e së Premtes së Madhe të Pashkëve, në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e Papës dhe anëtarëve të Kuries Romake e të shumë besimtarëve të ardhur për kremtimin e Treditëshit të Pashkëve.

Në vijim predikimi i kardinalit Cantalamessa:

“Kur ta lartoni Birin e njeriut, atëherë do ta dini se unë jam”

 “Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do ta dini se unë jam” (Gjn. 8:28). Është fjala që Jezusi e shqiptoi në fund të një mosmarrëveshjeje të ashpër me kundërshtarët e tij.  E fjala e parë me të cilën kardinali Cantalamessa nisi homelinë e sotme për Papën e Kurien Romake, në Vatikan.

Ka një kreshendo në krahasim me "UNË JAM" të mëparshme të shqiptuar nga Jezusi në Ungjillin e Gjonit - kujtoi predikatari Cantalamessa - Ai nuk thotë më: ​​“Unë jam ky apo ai: buka e jetës, drita e botës, ringjallja dhe jeta... Thjesht thotë ‘Unë jam’, pa specifikim. Kjo i jep deklaratës së tij një rëndësi absolute, metafizike. Me qëllim kujton fjalët e Librit të Daljes 3.14 dhe të Isaisë Profet (43.10-12), në të cilat vetë Perëndia shpall "UNË JAM".

Jemi përballë një përmbysjeje totale të idesë njerëzore për Zotin dhe, pjesërisht, edhe të asaj të Besëlidhjes së Vjetër. Jezusi nuk erdhi për ta ndryshuar dhe për ta përsosur idenë që kanë njerëzit për Zotin, por, në njëfarë kuptimi, për ta përmbysur atë dhe për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Zotit. Kjo është ajo që apostulli Pal e kuptoi i pari kur shkruan:

“Në të vërtetë, meqenëse, në planin e urtë të Hyjit bota, me gjithë urtinë e saj, nuk e njihte Zotin, Zotit i pëlqei t’i shpëtonte besimtarët përmes marrëzisë së predikimit. Ndërsa hebrenjtë kërkojnë shenja dhe grekët kërkojnë mençuri, ne shpallim Krishtin, edhe atë të kryqëzuar: shkandull për hebrenjtë dhe marrëzi për paganët; por për ata që janë thirrur, qofshin hebrenj apo grekë, Krishti është fuqia e Hyjit dhe mençuria e Hyjit (1 Kor 1,21-24)”.

Përmbysja e idesë së Zotit

E kuptuar në këtë këndvështrim, fjala e Krishtit fiton vlerë universale duke i sfiduar ata, që e lexojnë, në çdo epokë dhe situatë, përfshirë edhe tonën. Duhet bërë gjithmonë përmbysja e idesë së Zotit. Fatkeqësisht, ne të gjithë e ruajmë brenda vetes idenë që kemi për Zotin, që Jezusi erdhi për ta ndryshuar brenda nesh, në pavetëdijen tonë. Mund të flasim për një Zot të vetëm, shpirt të pastër, qenie supreme, e kështu me radhë. Por si mund ta shohim atë në asgjësimin e vdekjes së tij në kryq?

Hyji është i gjithëpushtetshëm, sigurisht; por çfarë pushteti është ai? Përballë krijesave njerëzore, Zoti është i lirë nga çdo kapacitet, jo vetëm shtrëngues, por edhe mbrojtës. Ai nuk mund të ndërhyjë me autoritet për t'u imponuar. Nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të respektojë, në një masë të pafundme, zgjedhjen e lirë të njerëzve. Dhe kështu Ati zbulon fytyrën e vërtetë të gjithëpushtetit të tij në Birin e vet, Jezusin që gjunjëzohet përpara dishepujve për t’u larë këmbët; në atë që, i reduktuar në pafuqinë më rrënjësore në kryq, vazhdon të dojë dhe të falë, pa dënuar kurrë:

“Gjithëpushteti i vërtetë i Zotit është pafuqia totale e Kalvarit. Duhet pak fuqi për t'u dukur; duhet shumë, megjithatë, për të ndenjur mënjanë, për ta fshirë veten. Zoti është kjo fuqi e pakufizuar e vetëfshehjes! Exinanivit semetipsum: ai e asgjësoi veten (Fil 2, 7). Ai e kundërshtoi "vullnetin tonë për pushtet" me pafuqinë e tij vullnetare”.

Çfarë mësimi për ne që pak a shumë me vetëdije duam të dalim gjithmonë në pah! Çfarë mësimi, veçanërisht për të pushtetshmit e tokës! Për ata që as nëpër mend s’u shkon të shërbejnë, por vetëm të mbajnë pushtetin për hir të pushtetit; ata - thotë Jezusi në Ungjill - që "shtypin njerëzit" dhe, për më tepër, "e quajnë veten bamirës" (krh. Mt 20,25; Lk 22,25).

Por a nuk e përmbys këtë vizion triumfi i Krishtit në ringjalljen e tij, duke ripohuar plotfuqinë e pamposhtur të Zotit? Po, por në një kuptim shumë të ndryshëm nga ai që mendojmë zakonisht. Shumë ndryshe nga ‘triumfet’ që kremtoheshin pas kthimit të perandorit nga fushatat fitimtare, përgjatë një rruge që ende sot, në Romë, mban emrin "Via Trionfale".

Pati, sigurisht, një triumf në rastin e Krishtit, triumf përfundimtar dhe të pakthyeshëm! Por si manifestohet ky triumf? Ngjallja ndodh në mister, pa dëshmitarë. Vdekja e Jezusit - dëgjuam nga historia e Mundimeve - u pa nga një turmë e madhe. Në të morën pjesë autoritetet më të larta fetare dhe politike. Pasi u Ngjall, Jezusi iu duk vetëm disa dishepujve, larg “refletorëve”:

“Me këtë  donte të na thoshte se pasi të kemi vuajtur, nuk duhet të presim një triumf të jashtëm, të dukshëm, siç është lavdia tokësore. Triumfi jepet në të padukshmen dhe është i një rendi pafundësisht superior, sepse i përjetshëm! Dëshmorët e djeshëm dhe të sotëm janë dëshmi e kësaj”.

I Ngjalluri shfaqet përmes dukjeve të tij, në mënyrë të mjaftueshme për të siguruar një themel shumë të fortë për besimin, për ata që nuk refuzojnë të besojnë apriori; por nuk është sulm, që poshtëron kundërshtarët e tij. Ai nuk shfaqet në mesin e tyre për t'u vërtetuar se e kanë gabim dhe për të tallur zemërimin e tyre të pafuqishëm:

“Çdo hakmarrje do të ishte e papajtueshme me dashurinë që Krishti donte t'u dëshmonte njerëzve me mundimet e tij. Ai sillet me përvujtëri në lavdinë e ringjalljes, ashtu si në asgjësimin e Kalvarit. Shqetësimi i Jezusit të ringjallur nuk është të ngatërrojë armiqtë, por të shkojë menjëherë dhe të qetësojë dishepujt e tij të humbur dhe, para tyre, gratë që nuk kishin pushuar kurrë së besuari në të”.

 

Në të kaluarën kemi folur shpesh për "triumfin e Kishës së Shenjtë". Ne u lutëm për të dhe kujtuam çastet dhe arsyet historike të saj. Por çfarë lloj triumfi kishim në mendje? Sot ne e kuptojmë se sa i ndryshëm ishte ky lloj triumfi, nga ai i Jezusit. Por le të mos gjykojmë të shkuarën.

Ekziston gjithmonë rreziku për të qenë të padrejtë kur gjykojmë të kaluarën me mendësinë e së tashmes. Ndaj duhet ta pranojmë ftesën që Jezusi i drejton botës nga maja e kryqit të tij:

"Ejani tek unë, të gjithë të lodhur dhe të këputur, e unë do t'ju çlodh" (Mt 11, 28).

Ishin fjalë që tingëllonin si ironi, si tallje! Ai që nuk kishte një gur mbi të cilin të mbështesë kokën, ai që u refuzua nga të tijtë, u dënua me vdekje, ai "para të cilit mbulohet fytyra, për të mos e parë" (krh. Is 53,3) thotë:

"Ejani tek unë, të gjithë ju, dhe unë do t'ju jap prehje!" Eja, ti që je plak, i sëmurë dhe i vetmuar, ti që bota të lë të vdesësh në varfëri, në uri ose nën bomba; ju që për besimin tuaj tek unë, ose për luftën tuaj për liri, lëngoni në qeli burgu; hajde, ti grua, viktimë e dhunës. Me pak fjalë, të gjithë, nuk përjashtoj askënd: Ejani tek unë dhe unë do t'ju jap pije freskuese! A nuk kam premtuar solemnisht: "Dhe unë, kur të ngrihem nga toka, do t'i tërheq të gjithë njerëzit pranë vetes" (Gjn 12:32)?”

 Po çfarë lehtësimi mund të na japësh, o njeri i kryqit, më i braktisur dhe më i lodhur se ata që dëshiron të ngushëllosh? “Ejani tek unë, sepse UNË JAM! Unë jam Zoti! Unë kam hequr dorë nga ideja jote e plotfuqishmërisë, por e mbaj të paprekur plotfuqinë time, që është plotfuqia e dashurisë. Është shkruar: “Dobësia e Perëndisë është më e fortë se njerëzit” (1 Kor 1:25). Mund të jap freski, edhe pa e hequr lodhjen e këputjen në këtë botë. Pyet këdo që e ka jetuar!

“Po, o Zot i kryqëzuar, me zemrat tona plot mirënjohje, në ditën kur përkujtojmë mundimin dhe vdekjen tënde, me apostullin tënd Pal ne shpallim me sa zë që kemi:

“Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Ndoshta mundimi, ankthi, persekutimi, uria, lakuriqësia, rreziku, shpata? [...] Sepse jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as principatat, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijesë tjetër, nuk do të jenë në gjendje të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë, që është në Krishtin Jezus, Zotin tonë (Rom 8, 35-39)”.

29 mars 2024, 18:23