Kërko

Predikimi i Kreshmëve Predikimi i Kreshmëve  (Vatican Media)

Kard. Cantalamessa: shpresa bën mrekulli të përditshme

Predikatari shtëpisë papnore, Kardinali Cantalamessa, mbajti sot predikimin IV të Kreshmëve në prani të Papës dhe Kuries romake: të shpresosh është si të kesh një spirancë dhe një vel në lundrimin e jetës, e para "i jep siguri anijes dhe e mban të patundur ndërmjet valëve e detit", e dyta "e bën të lëvizë dhe të përparojë".

R. SH. - Vatikan

“Mrekullitë e përditshme të shpresës” ishin në qendër të predikimit IV të Kreshmëve, mbajtur nga Kardinali Raniero Cantalamessa sot, e premte, 15 mars, në Sallën Pali VI, në praninë e Papës Françesku.

Duke vazhduar ciklin e reflektimeve me temë fjalët solemne të Krishtit "Unë jam" nga Ungjilli i Gjonit, predikatari i Shtëpisë Papnore u ndal tek  Kapitulli XI, kushtuar tërësisht episodit të ringjalljes së Lazrit. E edhe lavdërimit të shpresës së krishterë, si "mrekulli e madhe", e aftë për t’i ngritur përsëri në këmbë "mijëra të gjymtuar shpirtërorë dhe të paralizuar me mijëra herë" - pohoi - duke  kujtuar episodin - treguar në Veprat e Apostujve - të shërimit të të gjymtuarit, që kërkonte lëmoshë para Portës së Bukur të tempullit në Jeruzalemit.

"E jashtëzakonshme për shpresën është se prania e saj e ndryshon gjithçka, edhe kur nga jashtë asgjë nuk ndryshon", komentoi kardinali kapuçin, duke kujtuar se si përshkruhet përmes figurave - të lidhura me botën e lundrimit - të spirancës apo velit. Nëse e para “është ajo që i jep siguri anijes dhe e mban të qetë mes valëve të detit”, e dyta “e bën të lëvizë dhe të përparojë”. E "në të dyja mënyrat", "vepron në lidhje me varkën, që është Kisha" dhe ndër ata të "varkës së jetës sonë: e mbledh erën dhe krejt pa zhurmë e shndërron në forcë lëvizëse" ose "në duart e marinarit të mirë, është në gjendje të shfrytëzojë çdo erë, nga çdo drejtim, për të lëvizur në drejtimin e dëshiruar."

Në të vërtetë - vazhdoi predikatari - "para së gjithash shpresa na ndihmon në udhëtimin tonë personal të shenjtërimit", duke u bërë "tek ata që e ushtrojnë, parim i përparimit shpirtëror". Është gjithmonë gati të zbulojë "raste të reja  për të bërë mirë". Prandaj nuk të lejon të  dremitësh e të përgjumesh”. Për më tepër, «nuk është prirje e brendshme e bukur dhe poetike që të bën të ëndërrosh dhe të ndërtosh botë imagjinare. Përkundrazi, është shumë konkrete dhe praktike. E kalon kohën duke caktuar gjithmonë detyra për t’u kryer".

Për më tepër, "shpresa zbulon gjithnjë diçka që mund të bëhet për të përmirësuar situatën: të bën të punosh më shumë, të jesh më i bindur, më i përulur, më i lënduar". E kur duket se “nuk ka mbetur asgjë për t’u bërë, shpresa na tregon akoma një detyrë: të rezistojmë deri në fund të fundit dhe të mos humbasim durimin” - këshilloi Kardinali Cantalamessa, duke cituar filozofin Kierkegaard. Për më tepër - vazhdoi predikatari - “në Besëlidhjen e Re shpresa ka marrëdhënie të privilegjuar me durimin. Është e kundërta e padurimit, e nxitimit, e “dëshirës për ta pasur çdo gjë, menjëherë”. Është kundërhelmi i çkurajimit. E mban gjallë dëshirën. E është edhe pedagoge e shkëlqyer, e cila nuk ta shpjegon gjithçka menjëherë, por të krijon mundësinë ta përvetësosh dalëngadalë. Të jep vetëm "bukën e përditshme".

Të ngarkon punën e të nxit ta  bësh. Për këtë arsye, theksoi kardinali, «shpresa ka nevojë për vuajtje, ashtu si flaka për erën që të lëshojë shtat. Arsyet tokësore për shpresë duhet të vdesin, njëra pas tjetrës, që të dalë në pah arsyeja e vërtetë, e palëkundur, që është Zoti". Pak a shumë siç ndodh kur lëshohet në det një anije. Është e nevojshme të hiqen skelat e mbështetëset e ndryshme njëra pas tjetrës, në mënyrë që të lundrojë e edhe të përparojë lirisht mbi ujë”.

 "Vuajtja na zhduk çdo "shpresë" tjetër, veç shpresës në Zotin" e na prin drejt "përsosmërisë  që na nxit për vazhdimin e shpresës, duke besuar tek Ai, edhe kur zhduket çdo arsye njerëzore". Ashtu si për Marinë nën kryq, të cilën prandaj e quajnë Mater Spei, Nëna e shpresës".

Çka frymëzoi mendime të tilla mbi "forcën shndërruese të shpresës" ishte, siç u përmend, episodi i ringjalljes së Lazrit, i cili - shpjegoi Kardinali Cantalamessa – pati si pasojë dënimin me vdekje të Jezusit; ndërsa kjo e fundit “sjell ringjalljen e cilitdo që beson në Të”. Ja pra, kuptimi i mirëfilltë i ringjalljes së Krishtit, ndryshe nga e Lazrit apo të birit të së vesë së Nainit, "që u ringjall, për të vdekur edhe një herë", siç na mëson Shën Agustini; aq më pak është ringjallje "shpirtërore" dhe ekzistenciale, sipas qëndrimeve teologjike si ato të Bultmann-it, tashmë të vjetruara. Përkundrazi, vërejti Predikatari Kardinali Cantalamessa: “Gjoni i kushton dy kapituj të tërë të Ungjillit të tij ringjalljes reale dhe trupore të Jezusit, duke dhënë disa informacione të hollësishme rreth tij. Për të, pra, nuk është vetëm “kauza e Jezusit”, mesazhi i atij që u ringjall prej së vdekuri, por Vetja e tij! Ringjallja aktuale nuk zëvendëson ringjalljen përfundimtare të trupit, por është garancia e saj. Nuk e anulon, as nuk e bën të padobishme ringjalljen e Krishtit nga varri: përkundrazi! Bazohet pikërisht në të". Në atë pikë sa vetë Jezusi "e tregoi ringjalljen si shenjë par excellence të vërtetësisë së misionit të tij".

Si pasojë, prediktari “zbërthen” “paragjykimet e jobesimtarëve ndaj fesë, që nuk janë më të pakta se ato, për të cilën i qortojnë besimtarët. Madje, ata kritikojnë se nuk mund të jenë objektivë, pasi feja ua imponon që në fillim përfundimin në të cilin duhet të arrijnë, pa e kuptuar se e njëjta gjë ndodh mes tyre. “Nëse nisemi nga supozimi se Zoti nuk ekziston, se e mbinatyrshmja nuk ekziston dhe se mrekullitë nuk janë të mundshme, përfundimi jepet gjithashtu që në fillim, pra fjalë për fjalë nuk është tjetër, veçse paragjykim”. E "Ngjallja e Krishtit përbën rastin më shembullor të kësaj", duke qenë se "asnjë ngjarje e lashtësisë nuk mbështetet nga kaq shumë dëshmi të dorës së parë si kjo", që i atribuohen "personaliteteve të kalibrit intelektual të Saulit të Tarsit, i cili më parë pati luftuar kundër këtij besimi”. Apostulli "na jep një listë të hollësishme të dëshmitarëve, disa prej të cilëve ende të gjallë, të cilët për këtë arsye mund ta kishin mohuar  fare lehtë atë".

Si pasojë, "ringjallja është rilindja e shpresës", fjalë që "mungon çuditërisht në predikimin e Jezusit”. Ungjijtë përsërisin shumë nga thëniet e tij për fenë dhe dashurinë, por asnjë për shpresën - sqaroi kardinali - edhe pse i gjithë predikimi i Tij shpall se ka ringjallje nga të vdekurit dhe jetë të pasosur. Përkundrazi, pas Pashkëve, ne shohim se ideja dhe ndjenja e shpresës shpërthejnë fjalë për fjalë në predikimin e Apostujve. Vetë Zoti përkufizohet si "Hyjii shpresës". Shpjegimi lidhur me mungesën e thënieve për shpresën në Ungjill është i thjeshtë: Krishti duhej së pari të vdiste dhe të ringjallej. Duke rilindur - përfundoi prediktari - ai hapi gurrën e shpresës; e përuroi vetë objektin e shpresës, që është jetë me Zotin, përtej kufijve të vdekjes!

15 mars 2024, 16:39