Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Imzot Gallagher në Mal të Zi, takim me autoritetet e me bashkësinë katolike

Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat ndërkombëtare do të niset nesër, 21 mars, për të qëndruar deri të dielën në vendin ballkanik, ku do të takohet me presidentin, kryeministrin dhe me ministrin e jashtëm. Kryeipeshkvi do të marrë pjesë në seancën e hapjes së Komisionit të Përzier për zbatimin e marrëveshjes bazë me Selinë e Shenjtë

R.SH. – Vatikan

Do të fillojë nesër, 21 mars, për të vijuar deri të dielën, 24 mars, udhëtimi i Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, në Malin e Zi. Sipas programit të njoftuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, parashikohet një takim me presidentin e Republikës, Jakov Milatoviq, të premten më 22 mars, pasuar nga ai me kreun e Parlamentit, Andrija Mandiq, si edhe me kryeministrin Milojko Spajiq.

Po të premten, imzot Gallagher do të marrë pjesë në hapjen e Sesionit të Komisionit të përzier për zbatimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Malit të Zi. Të shtunën, më 23 mars, ai do të takohet me bashkësinë katolike të dioqezës së Kotorrit, me të cilën prelati do të kremtojë Eukaristinë, në katedralen e Shën Trifonit. Të dielën, 24 mars, dita e fundit e vizitës së tij, imzot Gallagher do të takohet me bashkësinë katolike të kryedioqezës së Tivarit dhe do të kremtojë meshën në konkatedralen e Shën Pjetrit.

20 mars 2024, 12:21