Kërko

Jordania Jordania

Imzot Gallagher në Jordani: takim me mbretin dhe vizitë në qendrën për Gazën

Nga data 11 deri më 14 mars vizita e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet në vendin e Lindjes së Mesme, me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike. Programi përfshin meshën me Ordinarët Katolikë të Tokës Shenjte, një vizitë në vendet e Pagëzimit të Jezusit dhe një takim me Philippe Lazzarini, komisar i përgjithshëm i UNRWA

R.SH. – Vatikan

Filloi sot, 11 mars, udhëtimi në Jordani i kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, që do të zgjasë deri të enjten, më 14 mars. Rasti është 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Sot, imzot Gallagher u takua me mbretin Abdullah II bin Al-Hussein, për të vijuar me Ayamen Saladi, zëvendëskryeministër dhe ministër për Punët e Jashtme. Në plan, edhe vizita në Organizatën Hashemite Charleble, qendër për ndihmat humanitare të dërguara nga Jordania në Rripin e Gazës. Po sot, Gallagher kremton meshën me asamblenë e ipeshkvijve katolikë të Tokës Shenjte dhe të përfaqësuesve të bashkësive katolike në Jordani, në kishën e Shën Marisë së Nazaretit në Sweifah të kryeqytetit Aman.

Vizitë në vendet e Pagëzimit të Jezusit

Nesër, e martë 12 mars, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet do të takohet me asamblenë e ipeshkvijve të Tokës Shenjte dhe do të vizitojë qendrën e pritjes së Karitasit për refugjatët irakianë dhe sirianë në qytetin Madaba. Programi për 13 mars përfshin një vizitë në vendet e shenjta të Pagëzimit të Jezusit, në malin Nebo dhe në Machaerus. Në të njëjtën ditë, kryeipeshkvi do të takohet me ministrin e Turizmit dhe të Antikiteteve, Makram Mustafa Queisi. Të enjten më 14 mars, ditën e fundit të udhëtimit, imzot Gallagher do të bisedojë me Philippe Lazzarini, komisar i përgjithshëm i UNRWA, agjencisë së Kombeve të Bashkuara për ndihmën, zhvillimin dhe kujdesin shëndetësor të refugjatëve palestinezë në Lindjen e Afërt.

11 mars 2024, 12:54