Imzot Balestrero: paratë e armëve të financojnë luftën kundër urisë
R.SH. / Vatikan
“Ndryshimet klimatike janë një nga shkaqet kryesore të rritjes së pashoqe aktuale të urisë në botë”. Por do të mund të luftoheshin me sukses nëse aty ku shpenzohen pasuri të pallogaritshme për armë dhe arsenale, paratë do të ndaheshin për një planet të pastër e pa mjerim. Fjalimi i shkurtër, i mbajtur dje nga përfaqësuesi i Vatikanit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Imzot Ettore Balestrero, u hap me një deklaratë të qartë, shoqëruar me shifra që përshkruajnë një skenar serioz dhe shumë shqetësues në perspektivë: “Në vitin 2023 - pohoi Vëzhguesi i përhershëm - më shumë se 333 milionë njerëzve iu desh të përballojnë një pasiguri të rëndë ushqimore e ky numër pritet të rritet e të arrijë në 600 milionë deri në vitin 2030".
Vendet e pasura ndotin më shumë
Imzot Balestrero hodhi poshtë një klishe tipike, që flet për begatinë perëndimore, duke e cilësuar "mashtrues, të rremë dhe të papranueshëm" faktin e "fajësimit të të varfërve ose të numrit tejet të madh të lindjeve, për ndryshimet klimatike dhe pasigurinë ushqimore". Jo vetëm kaq, pohoi, “fëmijët janë burim, jo problem”, sepse “ata e pasurojnë jetën, nuk e varfërojnë”. Por ka një të dhënë e është ajo që na kujton “se emetimet për frymë të vendeve më të pasura janë dukshëm më të larta se ato të vendeve më të varfra" dhe këto të fundit, që "përbëjnë pothuajse gjysmën e popullsisë së botës", "janë përgjegjës për vetëm 10% të emetimeve toksike”.
E drejta për ushqim të shëndetshëm dhe mjedis të pastër
Selia e Shenjtë - vazhdon përfaqësuesi i Vatikanit - "është e bindur se ruajtja e të drejtave të lidhura me ushqimin dhe mjedisin e pastër dhe të shëndetshëm duhet të jetë gur themeli i politikave ekonomike dhe klimatike". E si bën këtë pohim - rikujton propozimin e Papës për një "fond global" që përdor "burimet e mëdha aktualisht të caktuara për armë dhe konflikte”, për t’i dhënë fund urisë. Natyrisht ky veprim shkon dorë për dore - nënvizoi ai - me aksionin e “vendosur” që do të zbatohet për të luftuar ndryshimet klimatike. E në vijim citoi Françeskun i cili, në fillim të Laudato si', kujton se "zhvillimi i vërtetë njerëzor ka karakter moral dhe kërkon respekt të plotë për njeriun, por pa harruar t'i kushtojë vëmendje botës natyrore dhe duke pasur parasysh - siç shkroi në vitin ‘87 Gjon Pali II në Sollicitudo rei socialis – natyrën e çdo qenieje dhe të lidhjes së saj të anasjelltë në një sistem të rregullt".