Kërko

Mbrojtja e jetës Mbrojtja e jetës

Francë: Vatikani kundër "së drejtës" për të marrë jetë njerëzore

Akademia Papnore për Jetën publikon një deklaratë ku mbështet qëndrimin e Konferencës Ipeshkvnore të Francës (CEF), pas përfshirjes së të drejtës për abort në Kushtetutën franceze. Akademia nënvizon se “mbrojtja e jetës është objektivi i parë i njerëzimit” dhe u bën thirrje të gjitha qeverive dhe të gjitha traditave fetare të angazhohen për këtë

R.SH. – Vatikan

Mbrojtja e jetës nuk është ideologji, është realitet, që prek gjithë të krishterët, pikërisht sepse janë besimtarë në Krishtin e njerëz. Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku gjatë audiencës së përgjithshme të 25 marsit 2020, Akademia Papnore për Jetën shfaqi publikisht mbështetjen e saj për Konferencën Ipeshkvnore të Francës, në një deklaratë të botuar të hënën, më 4 mars. Më 29 shkurt, ipeshkvijtë francezë shprehën "pikëllimin e tyre" për votimin e senatorëve francezë, të cilët e përfshinë të drejtën për abort në Kushtetutën e Republikës. Prelatët kujtuan se "aborti, i cili mbetet sulm kundër jetës në fillimet e saj, nuk mund të shihet vetëm nga pikëpamja e të drejtave të grave”.

Këtë të hënë, më 4 mars, ndërsa Parlamenti Francez mblidhej për fazën përfundimtare të ndryshimit të Kushtetutës, me qëllim mbrojtjen e abortit në nenin 34, Akademia Papnore për Jetën kujtonte se “në epokën e të drejtave universale të njeriut, nuk mund të ketë edhe një "të drejtë" për t’ia marrë jetën njeriut”.

Mbrojtja e jetës si përparësi kryesore

Akademia Papnore për Jetën i bën thirrje “të gjitha qeverive dhe traditave fetare për të bërë ç’është e mundur që në këtë fazë të historisë, mbrojtja e jetës të bëhet përparësi absolute, me masa konkrete në favor të paqes dhe të drejtësisë shoqërore”. Pa harruar situatat e veçanta, ose kontekstet dramatike, të cilat duhet “të trajtohen mbi bazën e ligjeve, që synojnë së pari të mbrojnë më të ligështit dhe më të cënuarit”.

Së fundi, për Akademinë Papnore, “mbrojtja e jetës njerëzore është objektivi i parë i njerëzimit”, qëllim, i cili mund të arrihet vetëm “nëse shkenca, teknologjia dhe industria janë në shërbim të njeriut dhe të vëllazërimit”.

05 mars 2024, 15:32