Kërko

Armi autonome, la Santa Sede: le macchine non possono avere l’ultima parola sugli esseri umani Armi autonome, la Santa Sede: le macchine non possono avere l’ultima parola sugli esseri umani

Armët autonome, Selia e Shenjtë: makinat nuk mund të thonë fjalën e fundit për njerëzit

Kryeipeshkvi imzot Balestrero foli në Gjenevë në diskutimet e vitit 2024 të Grupit të Ekspertëve Qeveritar (GGE) mbi Teknologjitë e reja në sektorin e Sistemeve autonome të Armëve Vdekjeprurëse (LAWS) dhe ripohoi shqetësimin etik për teknologjitë në sektorin e të ashtuquajturave "sisteme të armëve autonome vdekjeprurëse", duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në luftë: "Zhvillimi i armëve gjithnjë e më të sofistikuara nuk është një zgjidhje e qëndrueshme"

R.SH. / Vatikan

Lufta ka një "natyrë thelbësisht çnjerëzore" dhe "qëllimi përfundimtar, ai që është i denjë për thirrjen e njeriut dhe qytetërimin njerëzor, është shfuqizimi i luftës". Duke riafirmuar "besimin e vendosur" të Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë. Nunci Apostolik imzot Balestrero foli dje, më 4 mars, në takimin e shkëmbimit të përgjithshëm të opinioneve të Grupit të Ekspertëve Qeveritar 2024 (GGE) mbi Teknologjitë në zhvillim në sektorin e Sistemeve Autonome të Armëve Vdekjeprurëse (Gge LAWS). Fjalimi i tij e filloi me Mesazhin e Papës Françeskut për Ditën Botërore të Paqes 2024. Në veçanti, imzot Balestrero kujtoi pasazhin në të cilin Papa thotë: "Kërkimet mbi teknologjitë e reja në sektorin e të ashtuquajturave 'sisteme të armëve autonome vdekjeprurëse', duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në luftë, është shkak serioz për një shqetësim etik. Ndërsa konfliktet dhe ndarjet vazhdojnë të prekin njerëzimin, nuk mund të shmangen pyetjet serioze etike që lidhen pikërisht me sektorin e armatimeve”.

Një makinë, sado "inteligjente", mbetet një makinë

“Urgjenca e kësaj çështjeje po rritet për shkak të zhvillimit dhe përdorimit të gjerë të dronëve të armatosur, duke përfshirë kamikazët dhe dronët e tufës”, gjë që ka çuar në “një perceptim të zvogëluar të shkatërrimit që ata shkaktojnë dhe përgjegjësisë për përdorimin e tyre, duke kontribuar në një gjendje edhe më të ftohtë dhe në një qasje më të shkëputur ndaj tragjedisë së pamasë të luftës”, theksoi përfaqësuesi papnor. “Sistemet autonome të armëve nuk mund të konsiderohen entitete moralisht përgjegjëse”, shtoi imzot Balestrero. Në fakt, “qeniet njerëzore zotërojnë një kapacitet unik për gjykim moral dhe vendime etike që nuk mund të merren nga një grup kompleks algoritmesh”; në vend të kësaj "një makinë e cila, sado 'inteligjente', mbetet gjithnjë një makinë". Rreziku është real: “Nëse funksionojnë pa mbikëqyrje të drejtpërdrejtë njerëzore, sisteme të tilla mund të bëjnë gabime në identifikimin e objektivave të synuara për shkak të paragjykimeve të paidentifikuara të shkaktuara nga aftësitë e tyre të mësimit automatik si makineri”, paralajmëroi Imzot Balestrero, duke bërë thirrje për “mbikëqyrje adekuate, domethënëse dhe të vazhdueshme njerëzore mbi sistemet e armëve të pajisura me funksione të inteligjencës artificiale”. Është një çështje "vendimtare".

Dinjiteti i personit dhe një kulturë paqeje

Makinat, vazhdoi imzot Balestrero, “duke qenë objekte dhe jo subjekte, nuk mund të mendojnë, të ndjejnë, të vendosin apo të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Ata mund të ekzekutojnë vetëm udhëzime dhe të simulojnë sjelljen njerëzore. Prandaj, është e gabuar të thuhet se makinat mund të 'vendosin' ose 'gjykojnë'." Me pak fjalë, me fjalë të tjera, "megjithë kompleksitetin e tyre, makinat nuk mund të thonë fjalën e fundit për qeniet njerëzore!".

Prandaj, për Selinë e Shenjtë, është urgjente që Grupi i Ekspertëve Qeveritar të punojë "veçanërisht në fushën e ndalimeve dhe rregullimeve të sistemeve të armëve bazuar në shkallën e tyre të autonomisë", duke mbajtur fort në qendër të diskutimeve "si pikëë referimi themelor dinjitetin e personit njerëzor”. Nga këtu, një paralajmërim përfundimtar: "Zhvillimi i armatimeve gjithnjë e më të sofistikuara, edhe me synimin për të reduktuar dëmin kolateral, nuk është një zgjidhje e qëndrueshme", tha Balestrero, "ashtu si çdo formë tjetër e keqe, lufta buron nga zemra e njeriut". Prandaj, përfundoi ai, "zgjidhja e vërtetë qëndron në konvertimin në një kulturë paqeje që vë përparimet teknologjike në shërbim të njerëzimit, zhvillimit integral njerëzor dhe të mirës së përbashkët".

05 mars 2024, 10:57