Kërko

Ushtrimet shpirtërore, meditimi V i Cantalamessa-s: Zake, zbrit!

Vijomë t’ju ftojmë, nga 19 deri më 24 shkurt, për ta kaluar një minut me predikatarin e Shtëpisë Papnore, Kardinalin Cantalamessa, me Papën e Kurien Romake. Sot ky minut i kushtohet takimin me Zakeun, tagrambledhësin

R.SH. - Vatikan

Në këtë javë, në të cilën Papa Françesku dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake janë të impenjuar me Ushtrimet Shpirtërore të Krezhmëve, Vatican News propozon, nga 19 deri më 24 shkurt, një reflektim të përditshëm të predikatarit të Shtëpisë Papnore, kardinalit Raniero Cantalamessa, në rrjetet e tij shoqërore në X, Facebook, Instagram dhe WhatsApp. “Më kërkuan të ndaj me ju, për gjashtë ditë, një reflektim prej rreth një minuti. Në botë ka pak fjalë, që mund të thuhen në një minutë, të mjaftueshme për të mbushur një ditë, madje, një jetë: ato që dolën nga goja e Jezusit. Do t’jua propozoj një nga një, duke ju kërkuar t’i 'përtypni' gjithë ditën, si një lloj çamçakëzi të shpirtit”, shpjegon kardinali françeskan kapuçin.

ZAKE, ZBRIT!

Fjala që na shoqëron sot është ajo që Jezusi i drejtoi Zakeut, i cili ishte ngjitur mbi një fik për ta parë më mirë. Duke kaluar, Jezusi çoi sytë dhe - me një ton ftese, jo qortimi - i tha: "Zake, zbrit menjëherë, se sot dua të vij në shtëpinë tënde!" (Luka 19, 1-10).

Zaké, jam unë që flas, e ti që më dëgjon.

“Dua të vij në shtëpinë tënde”, ndërmjet nesh, do të thotë: dua të hyj në intimitetin e jetës sate. Nuk më mjafton të të takoj në turmë, në shesh apo në kishë...

Të kujtojmë ftesën e Papës Françesku në fillim të Evangelii Gaudium: “E ftoj çdo të krishterë, në çdo vend e në çdo gjendje që të ndodhet, ta përtërijë sot takimin e tij personal me Jezu Krishtin, ose të paktën, të vendosë të na lejojë të takohemi me Të, ta kërkojmë çdo ditë pa pushim”(EG, 3).

E çfarë kuptimi ka ky "takim personal" i famshëm me Krishtin? Është si të takosh një njeri, që e njeh prej vitesh vetëm prej fotografive. Të ndihmon të kuptosh ndryshimin që ndodh në jetën njerëzore, kur pasi e njeh një njeri, bie sakaq në dashuri me të.

Nëse je i ri apo e re, mund ta kuptosh më mirë se kushdo këtë ndjenjë të stuhishme. Të kuptosh se jetën ta ndryshon vërtet vetëm rënia në dashuri. Si ajo natyrore, ashtu edhe ajo shpirtërore. E Jezusi është një i dashur, që nuk të zhgënjen kurrë!

23 shkurt 2024, 11:11