Kërko

Ushtrimet shpirtërore, meditimi i tretë i Cantalamessa-s: Ti, a beson?

Nga 19 deri më 24 shkurt, një minut me predikatarin e Shtëpisë Papnore, Kardinalin Cantalamessa, për t’u lutur me Papën e Kurien Romake e për të marrë për pyetjet tona jetike, përgjigjen që del nga vetë goja e Jezusit!

R.SH. - Vatikan

Në këtë javë, në të cilën Papa Françesku dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake janë të impenjuar me Ushtrimet Shpirtërore të Krezhmëve, Vatican News propozon, nga 19 deri më 24 shkurt, një reflektim të përditshëm të predikatarit të Shtëpisë Papnore, kardinalit Raniero Cantalamessa, në rrjetet e tij shoqërore në X, Facebook, Instagram dhe WhatsApp. “Më kërkuan të ndaj me ju, për gjashtë ditë, një reflektim prej rreth një minuti. Në botë ka pak fjalë, që mund të thuhen në një minutë, të mjaftueshme për të mbushur një ditë, madje, një jetë: ato që dolën nga goja e Jezusit. Do t’jua propozoj një nga një, duke ju kërkuar t’i 'përtypni' gjithë ditën, si një lloj çamçakëzi të shpirtit”, shpjegon kardinali françeskan kapuçin.

Meditimi i tretë

Sot pyetja që i bën Jezusi motrës së Lazrit para varrit të vëllait të vdekur, është:  "Ti, a beson?" (Gjn 11,26).

Lëre për një çast mënjanë gjithçka e mësove përmendsh në katekizëm dhe e përsërit në Besojmë. Hyr në skutën e fshehtë, ku je vetëm ti dhe Zoti.  Hyr e pyete veten: a besoj? A kam besuar ndonjëherë me të vërtetë, personalisht e jo vetëm "përmes ndërmjetësimit të një pale të tretë", qoftë edhe përmes Kishës universale? Shën Pali shkruan: “Për të fituar shëlbimin, duhet të besosh me zemër, ndërsa fenë duhet ta dëshmosh gojë”. (Rom 10:10): por, a më buron nga thellësia e zemrës rrëfimi  i fesë?

Feja hap horizonte të reja; është e vetmja që ka aftësinë t'i japë  përgjigje serioze pyetjeve më të rëndësishme të njeriut: "Kush jam? Prej nga vij? Ku po shkoj?".

Epoka elektronike na ofron një pamje të panjohur të fesë: lidhjen me internetin. Hape faqen e Google dhe je i lidhur! Para teje hapet e gjithë bota virtuale. Diçka e ngjashme arrihet me fenë. Pa tela, pa shpenzime. Një lutje e shkurtër, një rrahje e rëndomtë e zemrës, një sy i ngulur në figurën e Krishtit përpara jush, ndërsa jeni ulur në tryezë dhe keni hyrë në lidhje! Lidhje me një botë jo virtuale, por reale. E vetmja e njëmendtë, sepse e amshuar: bota e Zotit!

Provoje e do të shikosh a po të them të vërtetën!

21 shkurt 2024, 11:23