Kërko

Ushtrimet shpirtërore, meditimi IV i Cantalamessa-s: "Shko dhe mos mëkato më!"

Nga 19 deri më 24 shkurt, ju ftojmë për ta kaluar një minut me predikatarin e Shtëpisë Papnore, Kardinalin Cantalamessa, me Papën e Kurien Romake e për të marrë, për pyetjet tona jetike, përgjigjen që del nga vetë goja e Zotit! Fjala e Jezusit për t’u medituar sot është ajo që ia drejtoi kurorëthyeses, pasi akuzuesit qenë shpërndarë: “Grua, askush nuk të dënoi?”. “Askush, o Zot!”. “As unë nuk po të dënoj e tani e tutje mos mëkato më” (Gjn 8,10-11)

R.SH. - Vatikan

Në këtë javë, në të cilën Papa Françesku dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake janë të impenjuar me Ushtrimet Shpirtërore të Krezhmëve, Vatican News propozon, nga 19 deri më 24 shkurt, një reflektim të përditshëm të predikatarit të Shtëpisë Papnore, kardinalit Raniero Cantalamessa, në rrjetet e tij shoqërore në X, Facebook, Instagram dhe WhatsApp. “Më kërkuan të ndaj me ju, për gjashtë ditë, një reflektim prej rreth një minuti. Në botë ka pak fjalë, që mund të thuhen në një minutë, të mjaftueshme për të mbushur një ditë, madje, një jetë: ato që dolën nga goja e Jezusit. Do t’jua propozoj një nga një, duke ju kërkuar t’i 'përtypni' gjithë ditën, si një lloj çamçakëzi të shpirtit”, shpjegon kardinali françeskan kapuçin.

Jezusi: "Shko dhe mos mëkato më!"

 “Tani e tutje mos mëkato më”. Fjala e Jezusit për t'u mirëpritur sot pra, është ajo që ia drejtoi gruas kurorëthyese, pasi akuzuesit e saj ishin zhdukur:

"O grua, a nuk të dënoi askush?".

"Askush, o Zot".

“As unë nuk po të dënoj. Shko! E sot e tutje mos mëkatno më” (Gjn 8, 10-11).

"Tani e tutje, mos mëkatoni më!". Secili prej nesh, nëse e shqyrton veten me kujdes, do të kuptojë se krahas mëkateve të shumta që bëjmë, është edhe një, i ndryshëm nga të tjerët. Ai mëkat me të cilin lidhemi paksi fshehurazi, e që rrëfehet, por pa vullnetin e vërtetë për të thënë "mjaft më!" Shën Agustini, në Rrëfimet e tij, na e përshkruan luftën për t'u çliruar nga mëkati i sensualizmit. Pati një çast, në të cilin iu lut me gjithë zemër Zotit: "Më jep dëlirësi dhe vetëpërmbajtje..., por - shtoi një zë i brishtë brenda tij - jo menjëherë, të lutem!". Gjithsesi erdhi edhe çasti kur i bërtiti sa mundi vetvetes: "Pse nesër, nesër? E pse jo tani?". Mjaftoi fjala "mjaft!", për t’u ndjerë i lirë.

Çfarë duhet bërë konkretisht? Duhet vënë vetja para Zotit për një çast e i duhet thënë: "Zot, ti e njeh mirë brishtësinë time. Duke besuar, prandaj, vetëm në hirin tënd, unë po të them se, tani e tutje dua të jetoj pa atë kënaqësi, pa atë liri, pa atë miqësi, pa atë inat, pa atë nënshtrim financiar, me pak fjalë, pa atë mëkat që unë dhe ti e dimë mirë. Po të them "mjaft më!" e po vij të marr faljen tënde sakramentore.

Ndoshta mund të bie rishtas në të, por gjithsesi për Zotin diçka ka ndryshuar: liria jote është radhitur në anën e Tij. Tani jeni dy, që luftoni së bashku. Do ta shohësh sa bukur është të jetosh i lirë nga skllavëria e mëkatit, në paqe me Zotin dhe me vetveten!

22 shkurt 2024, 11:12