Kërko

Takimi i kardinalit Pietro Parolin me presidentin italian Sergio Mattarella, në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë për përvjetorin e Pakteve të Lateranit Takimi i kardinalit Pietro Parolin me presidentin italian Sergio Mattarella, në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë për përvjetorin e Pakteve të Lateranit

Toka Shenjte, Parolin: indinjatë për masakrën, duhet guxim për zgjidhjen

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, në fund të takimit në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë për përvjetorin e Pakteve të Lateranit, komentoi gjendjen në Gazë: kërkojmë që e drejta e Izraelit për mbrojtje, e cila përdoret për të justifikuar operacionet ushtarake, të zbatohet proporcionalisht dhe sigurisht, me 30 mijë vdekje, kjo nuk ndodh. Në takimin dypalësh, në praninë e presidenti italian Mattarella dhe të kryeministres Meloni, u diskutua për temat e fundjetës, familjet, taksat, Jubileun

R.SH. – Vatikan

         Nga njëra anë, "indinjata"; nga ana tjetër, "shpresa". Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, citoi fjalët e Shën Agustinit për të komentuar situatën në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Gazë, ku me 30 mijë të vdekur, po ndodh një "masakër" e vërtetë, siç e quajti ai, duke bërë thirrje për zgjidhje të menjëhershme. Kardinali kryesoi delegacionin e Vatikanit pasditen e djeshme, 13 shkurt, për takimin tradicional dypalësh, me rastin e 40-vjetorit të Pakteve të Lateranit, nënshkruar më 1929, por rishikuar më 1984, me të cilat u përcaktuan kufijtë e Shtetit të Vatikanit dhe u lidhën marrëdhëniet me Italinë, të ndërprera në vitin 1870. Në fund të takimit - ku ishin të pranishëm presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella dhe kryeministrja Giorgia Meloni - kardinali u ndal për t'iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke renditur temat e trajtuara në dialogun e gjatë me dyer të mbyllura.

Reagim jo proporcional

         Dje, pikërisht ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani, foli për një reagim të tepruar të Izraelit në Rripin e Gazës. Pra, komentoi kardinali Parolin, edhe Italia bashkohet me korin e përgjithshëm, që mendon se “nuk mund të vazhdohet kështu”. “Duhen gjetur mënyra të tjera për të zgjidhur problemin e Gazës, problemin e Palestinës – deklaroi Sekretari i Shtetit. - Selia e Shenjtë e ka thënë që në fillim: nga njëra anë, dënimi i qartë dhe pa rezerva i asaj, që ndodhi më 7 tetor dhe po e përsëris këtu; dënimi i qartë dhe pa rezerva për çdo lloj antisemitizmi dhe po e përsëris këtu. Por, njëkohësisht, edhe kërkesa që e drejta e Izraelit për mbrojtje, e cila u përdor për të justifikuar këtë operacion të fundit, të jetë proporcionale e sigurisht, me 30 mijë të vdekur, nuk është e tillë”.

Të mos e humbasim shpresën

Aktualisht, vërejti kardinali Parolin, zgjidhja e konfliktit duket larg, por “nuk duhet ta humbasim shpresën. Shën Agustini thotë se shpresa bazohet në indinjatë e në guxim, besoj se të gjithë jemi të indinjuar nga ç’po ndodh, nga kjo masakër, por duhet të kemi guximin për të ecur përpara dhe për të mos e humbur shpresën, sepse, nëse e humbim shpresën, rrimë duarkryq. Përkundrazi, duhet të luftojmë deri në fund dhe të përpiqemi të japim kontributin tonë, deri aty ku të jetë e mundur”.

Temat e takimit dypalësh

         Në dialogun dypalësh ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë u prekën tema me interes të përbashkët, si familja dhe ndihma sociale për të, shkolla, fundi i jetës, taksat, selia e re spitalit papnor “Bambino Gesù” dhe bashkëpunimi për Jubileun 2025.

14 shkurt 2024, 14:56