Kërko

Chiesa di Santo Anselmo Processione Penitenziale e Basilica di Santa Sabina Imposizione delle Ceneri Chiesa di Santo Anselmo Processione Penitenziale e Basilica di Santa Sabina Imposizione delle Ceneri

Papët dhe e Mërkura e Përhime, nga hiri - te Zoti

Të kthehesh te gjërat kryesore; të jesh i vogël para Zotit, të ngjinosh a të heqësh dorë nga teprimet, të kthehesh me gjithë zemër në rrugën e Zotit. Në këtë drejtim shpaloset shtegu që na nxisin ta përshkojmë Papa Françesku, Papa Gjon Pali I, Shën Pali VI dhe Shën Gjon Pali I. Fjalët e marra nga Papnitë e tyre për këtë shtegtim kreshmor, janë nxitje e fuqishme drejtuar zemrës së çdo njeriu

R.SH. / Vatikan

Kreshmët që filluam këtë të Mërkure të Përhime, janë periudha dyzetditore, që i paraprin Pashkëve të Jezu Krishtit. Në fillimin e Kreshmëve, gjatë liturgjisë të së Mërkurës së Përhirme, Zoti na kujton duke thënë: “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell. (Mt 6,1). Shpërblimi për njeriun ka një vlerë, që nuk mund të krahasohet me asnjë trashëgimi tokësore: dashurinë për Zotin. E kjo vlerë shkrihet me dëshirën për Parajsën: atdheun e Amshuar. Në fillimin e Kreshmëve 2024 të kujtojmë mësimet e Papëve për këtë kohë të fortë liturgjike e shpirtërore që na përgatit për Pashkë.

Kthim te vlerat themelore

Në Meshën me ritin e bekimit dhe të përhimjes, më 22 shkurt 2023, Papa Françesku kujtoi se Kreshmët janë "kohë e favorshme. Udhë drejt së vërtetës. Kohë hiri për t'u kthyer te themelorja, që është Zoti". Rast “për të na kujtuar se bota nuk duhet të kufizohet brenda kufijve të ngushtë të nevojave personale"; "duhet t'i kthejë Zotit primatin e jetës", jo vetëm "pushimet e kohës".

Papa Françesku na kujton se themelorja është Zoti:

Kthim te themelorja, që është Zoti. Riti i hirit na hap rrugën e kthesës dhe na ofron dy ftesa: të kthehemi tek e vërteta e vetvetes e të kthehemi te Zoti dhe vëllezërit tanë. Para së gjithash, të kthehemi tek e vërteta e vetes. Hiri na kujton se kush jemi dhe nga vijmë e na çon te e vërteta themelore e jetës: vetëm Zoti është Zot, e ne, vepër e duarve të tij. Kjo është e vërteta jonë. Ai është Krijuesi, ndërsa ne jemi baltë e brishtë, brumosur nga duart e Tij. Ne vijmë nga toka, po kemi nevojë për Qiellin, për Atë; me Zotin do të ngrihemi nga hiri, por pa Të jemi pluhur. E ndërsa përkulim përvujtërisht kokën për të marrë hirin, ta kujtojmë këtë të vërtetë në zemrat tona: ne i përkasim Zotit, i përkasim Atij. Atij që "formoi njeriun me pluhurin e tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës" (Zanafilla 2,7): pra ekzistojmë, sepse Ai na dha frymën e jetës.

Kreshmë do të thotë të dëshmosh Ungjillin e solidaritetit

"Me fillimin e Kreshmëve, të krishterët zbresin së bashku me Jezusin në shkretëtirë. E me Të luten, reflektojnë, agjërojnë, por mbi të gjitha, rizbulojnë dashurinë ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj të varfërve. Kreshmët janë kohë e privilegjuar për dashurinë, që bëhet bamirësi, që i krijon zemrës kushtet të bëjë kthesën e madhe. Të jetohen Kreshmët si çast kthese në rrugën e dashurisë ndaj të afërmit e të së vërtetës të Ungjillit, duke iu kundërvënë gënjeshtrës që e helmon njerëzimin”. Kjo qe thirrja që Papa Benedikti XVI u drejtoi të krishterëve nga audienca e përgjithshme, mbajtur më 1 mars 2006 në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i ftuar për kthimin e zemrave.

Të vegjël para Zotit

Duke shfletuar kalendarin e fundit të historisë së Kishës, mund të shohim se 6 shtatori 1978 ishte e mërkurë. Jo dita e parë e Kreshmëve, por një e mërkurë në të cilën jehuan fjalët e Papës Gjon Pali I. Në audiencën e tij të parë të përgjithshme, kushtuar përvujtërisë, Papa Luçiani përqendrohet te ky virtyt i madh, të cilin edhe riti i hirit na nxit të mos e harrojmë. Të jesh i përvuajtur - nënvizon Papa Gjon Pali I - do të thotë të jesh i vogël para Zotit: të jesh si Abrahami para Perëndisë:

“Për të qenë të mirë, duhet të jemi të drejtë përpara Hyjit, përpara të tjerëve dhe përpara vetes. Para Zotit, qëndrimi i duhur është ai i Abrahamit, i cili tha: ‘Jam vetëm pluhur dhe hi para teje, o Zot!’. Duhet të ndihemi të vegjël para Zotit. Kur them: Zot besoj; nuk më vjen turp të ndihem fëmijë para nënës; fëmija i besohet nënës; unë besoj në Zotin, në atë që Ai më zbuloi”.

Të agjërosh nga nevojat materiale

Në Ritin Pendestar të së Mërkurës së Përhime, më 11 shkurt 1970, Shën Pali VI nënvizon se modelet e kësaj bote janë në të vërtetë zinxhirë, nga të cilët mund të çlirohemi. E na nxit t’i kthejmë sytë kah “shkolla e Zotit” për të “rikthyer jetën, atje ku ka vdekje”.

Pali VI: duhet të rebelohemi kundër skllavërisë së nevojave të jashtme

“Hiri - këtë mëngjes besoj të gjithë e morët këtë shenjë vdekjeje dhe u drodhët nga kjo shenjë dhe fjalët e tmerrshme, që e shoqërojnë: "Mos harroni se nuk jeni gjë tjetër veçse pluhur, e në pluhur do të ktheheni". Kjo thirrje duket pothuajse funebre, rrënqethëse, ogurzezë, por është bërë pikërisht për të kujtuar ndjenjat e forta që valojnë në shpirtin tonë. Një mënyrë tjetër për ta festuar këtë periudhë, e cila ndikon jo vetëm në jetën tonë shpirtërore, por edhe në atë fizike, është agjërimi: nevojë për t’u përmbajtur dhe për t'u rebeluar kundër skllavërisë së nevojave të jashtme e materiale. Dhe kjo për një periudhë aq të gjatë, sa ajo që vetë Krishti e jetoi në fillesën e shërbesës së tij ungjillore”.

Pendohuni, me gjithë zemër

Në stacionin e Kreshmëve, kryesuar më 20 shkurt 1980, të Mërkurën e Përhime, Shën Gjon Pali II i tregon njeriut një rrugë çlirimi, që të çon te Zoti. Kjo rrugë, e treguar në Ungjill, është pendesa, rikthimi tek Zoti.

Gjon Pali II: pendesa është rruga për të shëruar njeriun

Të kthehesh te Zoti siç dëshiron Kisha në këtë periudhë dyzetditore të Kreshmëve, do të thotë të zbresësh tek rrënjët e pemës që, siç thotë Zoti, nuk jep fryt të mirë" (Mt 3:10). Nuk ka rrugë tjetër për ta shëruar njeriun. “Liturgjia e sotme e vdekjes”, e cila shprehet në ritin e vendosjes së hirit, bashkon, në njëfarë kuptimi, këtë ditë të parë të Kreshmëve, me ditën e fundit, ditën e së Premtes së Madhe, ditën e vdekjes së Krishtit në kryq. Pikërisht atëherë plotësohen fjalët që apostulli shpall në leximin e dytë të sotëm, kur thotë:

“Të lutemi në emër të Krishtit, pajtohu me Zotin. Atë që nuk njihte mëkat, Zoti e trajtoi si mëkat, në favorin tonë, që ne të mund të bëheshim nëpërmjet tij, drejtësia e Hyjit".

Në realitetin e pendesës, të ripajtimit me Atin e amshuar është rruga e jetës përtej vdekjes, kalimi nga pluhuri,  tek Zoti!

14 shkurt 2024, 13:47